Në kohën kur gjithnjë e më tepër kemi flukse të keqinformimit, edukimi mediatik shihet si një mekanizëm mbrojtjeje.Ekspertë të fushës së komunikimit theksojnë se tek ne kultura mediatike është minimale. Spas tyre, edukimi mediatik duhet të bëhet pjesë e kurrikulave shkollore
Shkruan: Valmisa Novi
Prej kohësh kemi hyr në epokën e informacionit digjital. Në momentin që lidhemi në rrjet, fillojmë të lundojmë në rrjedhën e informacioneve, e vetmja rrjedhë ku është e pamundur të notojmë kundër rrymës pasiqë nuk mund të injorojmë atë që ndodh rreth nesh. Megjithatë mund të mësojmë si të lundrojmë në lumin e informacioneve që na rrethojnë. Të kuptojmë si t’i lexojmë lajmet e përcjellura nga media dhe si të ndërveprojmë me to duhet të trajtohet si një nevojë themelore aftësimi. Dinamikat e epokës digjitale janë duke diktuar standarde të reja edukimi, siç është edukimi mediatik.
I cilësuar nga socio-politologu Faton Murseli si “një imperativ i kohës’, çështja e edukimit mediatik duhet të fillojë të shihet me rëndësinë e duhur sepse frekuentimi i mediave të reja po arrin në pikun e tij dhe si rrjedhojë është rritur dhe zgjeruar dukshëm shkalla e ndikimit të tyre.
Por sa i rëndësishëm është roli i edukimit mediatik kundër keqinformimit dhe sa e nevojshme është që edukimi mediatik të bëhët pjesë e kurrikulave shkollore? Profesoresha Aurora Karameti, doktore e shkencave të informatikës dhe të komunikimit, në një deklaratë për KDP, thotë se edukimi mediatik luan një rol shumë të rëndësishëm kundër keqinformimit. Media dhe informacioni i marrë prej saj formësojnë vetëdijen qytetare në një shkallë të gjerë, prandaj “për të qenë qytetar i mirë i kohës së sotme duhet që po ashtu të pajisemi me dituritë e nevojshme për këtë kohë, konkretisht me dituritë mbi median, funksioninim e saj, produktet e saj dhe ndërveprimin qytetar me të”, shton më tej profesoresha. Rëndësia që media ka arritur të fitojë në jetën tonë, hapësira që ajo zë në përditshmërinë tonë duket nga roli që luan në kushtëzimin e mënyrës të së menduarit e deri te diktimi i mënyrave të caktuara të të sjellurit.
Profesoresha Karameti shprehet se në botën perëndimore edukimi mediatik është tashmë pjesë e kurrikulave shkollore, ndërsa ne edhe në këtë çështje jemi pas. Mesa duket vendi jonë është në hap me avancimet teknologjike, por është mbrapa me hartimin e një kornize përshtatjeje dhe ndërgjegjësimi sesi këto avancime mund të keqpërdoren në shoqërinë tonë. Me tej, ajo deklaron se kultura mediatike në vendin tonë është minimale, por dhe kjo shihet e kultivuar më shumë të brezat të mësuar me konsum të medias konvencionale, dhe se brezat e rinj janë kryesisht konsumatorë të përmbajtjeve argëtuese. Duke edukuar brezat e sotshëm, ne formojmë qytetarët e së nesërmes, qytetarë të vetëdijshëm, të aftë për të bërë dallimin mes manipulimit mediatik dhe mirëinformimit, por mbi të gjitha të aftë për të berë dallimin mes faktit dhe gjithçkaje që vishet dhe prezantohet si i tillë.