Instituti për Studimin e Luftës ka publikuar dje një material të përditësuar për zhvillimet ushtarake në Ukrainë. Në përmbledhjen e bërë vihet në dukje fakti se trupat ruse kanë vijuar për të disatën ditë përpjekjet e pasuksesshme për të rrethuar kryeqytetin Kiev dhe kapjen e Kharkivit. Një ndër arsyet e kësaj vonese është edhe zgjidhja taktike që po zbatohet:
“Komandantët rusë duket se preferojnë hapjen e linjave të reja për operacione në shkallë regjimenti por nuk kanë mundur të arrijnë sinergji domethënëse në përpjekjet e bëra në disa drejtim drejt të njëjtave objektiva”, shkruhet në raport.
Në të njëjtin dokument thuhet se dështime të këtij niveli që bëjnë pjesë në leksionet bazë të artit operacional në shkollat ushtarake ruse, mbeten të pashpjegueshme.
“Ushtria konvencionale ruse vijon të performojë poshtë standardit dhe keq…Të dhëna se Rusia që po mobilizon përforcime nga Oqeani Paqësor janë shqetësuese në këtë drejtim”, shkruajnë autorët, sipas të cilëve Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ruse është bindur se arritja e objektivave të fushatës nuk mund të bëhet me kaq trupa. Nëse kjo provohet si e vërtetë, atëherë jemi para një skenari, kur një shtab i tërë ka dështuar me turp në planifikimin e parë në shkallë masive që nga lufta në Afganistan.
Në plan të përgjithshëm, Kievi është synimi qendror, mbështetur nga tre drejtime: kapja e Kharkivit, Mariupolit dhe kapja e Khersonit që hap rrugën për në Odesa. E gjithë kjo situatë aspak e pëlqyeshme dhe që rrezikon të shndërrohet në poshtëruese, është shoqëruar me hapa ligjorë në Rusi: stacioni i fundit liberal, radio Echo Moskvy u mbyll më 3 mars, ndërkohë që autoritetet ruse po përpiqen të kufizojnë përdorimin prej rusëve të mediave sociale.
Situata priret të ndërlikohet nga fakti se ndonëse ligjërisht NATO dhe Rusia nuk janë në luftë, faktikisht lufta po vazhdon. Armatimet që po i dërgohen Ukrainës janë të konsiderueshme: Spanja ka dërguar 1 300 armë antitanke dhe 700 000 njësi municioni si dërgesë të parë.
Norvejgia ka dërguar 2000 armë antitanke, M72, Kanadaja premton dërgimin e 4 500 M72 dhe 75000 granata dore, ndërkohë që SHBA aprovoi 10 miliardë dollar ndihmë për Ukrainën. Përtej aspektit ushtarak, ka disa zhvillime politike që duhen konsideruar.
Konkretisht, Suedia dhe Finlanda kanë intensifikuar bashkëpunimin me NATO-s, Gjeorgjia dhe Moldavia kanë kërkuar hyrjen në BE, kurse Finlanda, Suedia, Norvegjia, Islanda, SHBa, Kanadaja dhe Danimarka, shtatë nga tetë vendet e Këshillit të Akrtikut, kanë njoftuar bojkotin e diskutimeve në Rusi që parashikohet të mbaheshin në maj në Arkhangelsk.