E premte, 13 Dhjetor, 2024

Blinken do të vizitojë Evropën për të siguruar aleatët për mbështetjen e SHBA-së

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi se planifikon të udhëtojë për në Evropë për të riafirmuar mbështetjen e Uashingtonit për Ukrainën. Ai tha se kostot njerëzore të pushtimit rus të Ukrainës veçse janë “tronditëse”.

Kuraja e popullit ukrainas përballë “luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar” po frymëzon botën, tha Blinken në një konferencë për media nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Blinken po ashtu foli për vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që miratoi një rezolutë për dënimin e pushtimit rus. Ai tha se miratimi i rezolutës, që u mbështet nga rreth tre e katërta e anëtarëve të OKB-së, tregoi se komuniteti ndërkombëtar “qëndron kundër përpjekjeve të pamatura të Rusisë për të ndryshuar kufijtë e një shteti tjetër”.

Sekretari Blinken po ashtu tha se SHBA-ja do të “mbështesë përpjekjet diplomatike” të Kievit për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe për tërheqjen e forcave ruse nga Ukraina.

“Nëse ka hapa diplomatikë që ne mund të ndërmarrim që Qeveria ukrainase beson se do të ndihmojnë, ne jemi të gatshëm t’i ndërmarrim, edhe nëse ne do të vazhdojmë të mbështesim aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur veten”, tha ai.

Blinken tha po ashtu se ishte i bindur që mbështetja ushtarake nga NATO po arrinte në Ukrainë dhe përsëriti se aleatët e NATO-s kanë thënë se janë të vendosur që të mbrojnë “çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”.

Blinken do të niset për në Bruksel më 3 mars për t’u takuar me homologët e tij nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Më pas ai do të udhëtojë për në Poloni, shtet që deri më tani ka strehuar mbi 450,000 refugjatë ukrainas.

Më pas Blinken do të vizitojë Moldavinë që po ashtu ka pranuar mijëra refugjatë. Ai do të takohet me presidenten moldave, Maia Sandu dhe me zyrtarët e tjerë të lartë.

Moldavia nuk është anëtare e NATO-s, por ka raporte me aleancën pasi për një kohë të gjatë ka qenë objekt i prezencës ushtarake ruse rajonin e shkëputur të Transdniester.

Blinken po ashtu do ta vizitojë Baltikun. Liderët e tri shteteve anëtare të NATO-s të këtij rajoni kanë shprehur shqetësimet lidhur me sulmin rus. NATO është zotuar se do të forcojë praninë ushtarake në Lituani, Letoni dhe Estoni, por edhe në Poloni dhe Rumani.

/REL

Të fundit