Sërish raketa e sirena në Kiev
Ka shenja për sulme të reja në Kiev, pasi sirenat ajrore janë dëgjuar të hënën dhe banorët janë strehuar në ambiente nëntokësore.
Transmetuesi britanik, BBC, ka thënë se përleshjet po afrohen afër zemrës së kryeqytetit ukrainas.
This was the explosion that shook our base! #kiev pic.twitter.com/yXOxtxaDqD
— Clive Myrie (@CliveMyrieBBC) February 28, 2022
Çfarë ka ndodhur sot?
Nata ka rënë në Ukrainë pas ditës së pestë të pushtimit.
Zhvillimet kryesore të ditës kanë qenë këto:
- Sirenat janë dëgjuar sërish në Kiev dhe banorët janë strehuar në ambiente nëntokësore si garazhe apo metro, pas raportimeve për sulme të reja ruse në afërsi të kryeqytetit ukrainas
- Negociatorët nga Kievi dhe Moska kanë zhvilluar bisedime në Bjellorusi me qëllim të dhënies fund të konfliktit. Rusia ka thënë se të dyja palët janë pajtuar për të zhvilluar diskutime dhe do të takohen sërish “në ditët në vijim”
- Para atij takimi, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje trupave ruse që të ulin poshtë armët dhe ka kërkuar anëtarësim të menjëhershëm të Ukrainës në Bashkimin Evropian
- Kompania Shell ka njoftuar se do të shesë të gjitha sipërmarrjet e përbashkëta që ka me kompaninë ruse të energjisë Gazprom, pas pushtimit rus në Ukrainë
- Kombet e Bashkuara kanë thënë që më shumë se gjysmë milioni refugjatë kanë ikur nga Ukraina drejt shteteve fqinje
- Sanksionet ekonomike globale kanë ndikuar që Rusia të rrisë normën e interesit në 20 për qind – më shumë sesa dyfish – në përpjekje për të ndalur zhvlerësimin e rublës.
- Federata Botërore e Futbollit (FIFA) dhe Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) kanë pezulluar klubet ruse dhe ekipet kombëtare ruse nga të gjitha garat.
/REL