E premte, 26 Korrik, 2024

Shkup, dënime për manipulimin e zgjedhjeve

Një gjykatë në Shkup u dha dënime me nga disa vjet burg dy ish-ministrave të qeverisë së Nikolla Gruevskit dhe ish-zyrtarëve të tjerë të lartë të shtetit dhe të partisë VMRO-DPMNE, të akuzuar për manipulime zgjedhore. Edhe ndaj vetë ish-kryeministrit Gruevski janë ngritur akuza të tilla, por ai ndodhet në arrati në Hungari, ndërsa autoritetet hungareze nuk e ekstradojnë.

Ish-ministrat e kabinetit të Nikolla Gruevskit, Mile Janakievski dhe Gordana Jankullovska u dënuan sot përkatësisht me 4 vjet e gjysmë dhe 2 vjet e gjysmë burgim për manipulim të zgjedhjeve parlamentare dhe vendore të vitit 2011 dhe 2013. Ndërkohë, katër të akuzuarve të tjerë, ndër ta Martin Protugjer, ish-shef i kabinetit të zotit Gruevski dhe Biljana Brishkovska Boshkovski, ish-Zëvendës Ministre e Drejtësisë iu dha dënimi me kusht, pasi pranuan fajin për një pjesë të veprave penale për të cilat akuzoheshin.

Gjykatësi Osman Shabani i dha dënimin më të lartë ish-Ministrit të Transportit Mile Janakievski – 4 vjet e gjashtë muaj heqje lirie. Ndërkaq, ish-Ministres së Rendit Gordana Jankullovksa, 2 vjet e gjysmë. Edhe tre persona të tjerë u dënuan me nga 1, 2 vjet e gjysmë dhe 3 vjet burg.

Të gjithë të dënuarit kishin mbajtur poste të larta në qeveri, apo në partinë VMRO-DPMNE. Ata, mes tjerash, kishin organizuar sjelljen e një numri prej disa qindra shtetasish të Shqipërisë nga rajoni i Liqenasit dhe nga Gora e Kosovës, të cilët i kishin pajisur me dokumente për të votuar në favor të VMRO-DPMNE-së.

Dosja hetimore ishte hapur nga Prokuroria e Posaçme, e cila u mbyll pas një skandali me ish-drejtuesen e saj Katica Janeva.

Grupi i udhëhequr nga ish-Kryeministri Nikolla Gruevski akuzohet për bashkëpunim në krim, për shkeljen e të drejtës zgjedhore, shkeljen e lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë votimit, prishtje të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore.

Gjykata do ta vazhdojë më 9 mars gjyqin për Nikolla Gruevskin dhe dy ish-eksponentë të lartë të VMRO-së, të cilët nuk ndjehen fajtorë për këtë vepër penale.

Zoti Gruevski ndodhet në arrati në Hungari që prej 3 vjetësh. Ai është dënuar me disa vjet burg për vepra të tjera penale, sikur se edhe ish-ministrat e tij, Jankullovska dhe Janakievski.

Partia LSDM në pushtet kërkon që kryetari i VMRO-DPMNE-së Kristijan Mickovski të japë dorëheqje nga kreu i partisë, për shkak se ajo nuk është reformuar dhe persona të dënuar vazhdojnë të jenë në poste të larta të partisë, sipas social-demokratëve. Ndërkohë, VMRO-ja e akuzon Lidhjen Social Demokrate se po e keqpërdor gjyqësorin për persekutime politike. Drejtuesit e VMRO-së thonë se përfaqësojnë një gjeneratë të re, e cila do të sjellë ndryshime.

Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut nuk gëzon shumë besim tek opinioni i gjerë publik, dhe disa mendojnë se në bashkëpunim me pushtetin mundësojnë ikjen ose lirimin e të akuzuarve, apo dhënien e dënimeve të ulëta për kryerjen e veprave të rënda./VOA

Të fundit