E shtunë, 27 Korrik, 2024

PRESIDENTI UKRAINAS: PO MBROHEMI VET

Në ditën e dytë të pushtimit rus të Ukrainës, kanë vazhduar sulmet me raketa në kryeqytetin Kiev, ku mijëra njerëz kaluan natën në stacionet e metrosë për t’u mbrojtur nga raketat. Sipas të dhënave të autoriteteve ukrainase, transmeton KDP njoftimin e BBC-s, 137 njerëz – ushtarë dhe civilë – u vranë dhe 169 u plagosën.

Megjithëse presidenti rus Vladimir Putin tha se “nuk ka ndërmend të pushtojë Ukrainën”, sipas raportimeve nga terreni, ushtria ruse po depërton thellë në territorin e vendit fqinj nga drejtime të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme.

Shpërthime janë dëgjuar në Kiev që herët në mëngjes dhe zyrtarët ukrainas thonë se Rusia ka kryer sulme me raketa në qytet dhe se të paktën një ndërtesë banimi në kryeqytet është dëmtuar rëndë.

Presidenti ukrainas Vladimir Zelensky tha se Rusia vazhdoi sulmet me raketa rreth orës katër të mëngjesit të sotëm, por se përparimi i trupave ruse u pengua në shumicën e drejtimeve, raporton Reuters.

Në një fjalim televiziv në uniformë ushtarake, Zelenski tha se sulmet ruse kishin për qëllim objektivat ushtarake dhe civile.

“Ne po e mbrojmë shtetin vetë. Forcat më të fuqishme të botës po vëzhgojnë nga larg. A e bindën Rusinë sanksionet e djeshme? Ne po dëgjojmë në qiellin tonë dhe po dëgjojmë në vendin tonë se kjo nuk mjafton”, tha Zelenski.

Forcat ruse të enjten e pushtuan Çernobilin, vendin ku më 1986 ndodhi një ndër katastrofat  më të mëdha bërthamore në histori dhe ku edhe sot ka shkallë të rrezatimit.

Shumica e vendeve në botë e dënuan ashpër Rusinë për sulmin kundër Ukrainës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ashpërsuan sanksionet ndaj Rusisë, kurse aleanca e NATO-s njoftoi se nuk do të dërgonte trupa në Ukrainë. Veprimet ruse janë dënuar edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Serbisë.

Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se më shumë se 100.000 njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe disa prej tyre kanë kaluar tashmë kufijtë me Poloninë, Hungarinë dhe Moldavinë.

Të fundit