E premte, 26 Korrik, 2024

PROFESOR BASHKIM SELMANI: KOMPANITË E MËDHA TA PËRDORIN GJUHËN SHQIPE KONFORM LIGJIT

SHKRUAN: ELJESA DERVISHI

 

Në faqet elektronike të disa institucioneve dhe kompanive të mëdha, versionin në gjuhën shqipe nuk e gjen dot, ndërsa në disa faqe të tjera është e vendosur vetëm formalisht.

Profesori universitar Bashkim Selmani, për KDP tha se është fakt se jo vetëm kompanitë e mëdha por edhe institucionet që udhëhiqen nga shqiptarët janë akoma në ngecje.

“Është fakt se jo vetëm kompanitë e mëdha, por edhe një pjesë e institucioneve që udhëhiqen nga vetë shqiptarët janë akoma në konsultime e sipër, ku poashtu është edhe një neglizhencë e vetë veprimtarisë së Inspektoratit për Zbatimin e Gjuhës Shqipe. Ky është një detyrim i caktuar të cilin duhet detyrimishit  ta respektojnë edhe ata. Pra, ta zbatojnë gjuhën shqipe në përmbajtje të aspektit ligjor”, tha Bashkim Selmani për KDP.

Nga ana tjetër, kompanitë e mëdha dhe institucionet që nuk e zbatojnë Ligjin e gjuhëve arsyetohen se kanë mungesë të përkthyesve. Por, të dhënat në Agjencinë për Punësim tregojnë për Alsat se gjithsej janë 154 persona në listën e pritjes me diplomë për përkthyes dhe interpretues nga gjuha shqipe në maqedonisht dhe anasjelltas, profesorë të gjuhës shqipe, studime albanologjike dhe të ngjashme.

 

TË DIPLOMUAR NË GJUHËN SHQIPE QË KËRKOJNË PUNË 

(gjendja 31.01.2022)

Përkthyes dhe interpretues nga gjuha shqipe në maqedonisht dhe anasjelltas – 4

Përkthyes dhe interpretues nga gjuha maqedonase në shqip dhe anasjelltas – 12

Profesor i diplomuar për gjuhën shqipe dhe literaturë – 26

Filolog i gjuhës shqipe – 1

Filolog i gjuhës shqipe me gjuhë maqedonase dhe literaturë – 2

Filolog i gjuhës maqedonase me gjuhë shqipe dhe literaturë – 2

Profesor i gjuhës shqipe – 41

Profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë – 65

Magjistër i studimeve albanologjike – 1

GJITHSEJ 154

 

Ndërkaq Selmani ka deklaruar për KDP se kompanitë e mëdha si Lukoil, Makpetrol, TehnoMarket, Beko, Setec…, aktualisht nuk janë mirënjohës ndaj klientëve, me të cilët janë të detyruar të zbatojnë gjuhën shqipe. Por, Selamni shton se edhe vetë Inspektorati për Zbatimin e Gjuhës Shqipe është i vonuar në reagime dhe se duhet që këto kompani të jenë të sanksionuara për mosrespektimin e zbatimit të gjuhës shqipe.

“Pra janë dy momente, ku e para këto kompani nuk kanë respekt ndaj klientëve dhe ligjit të gjuhës, dhe e dyta vetë Inspektorati për Zbatimin e gjuhës shqipe është i vonuar, dhe duhet që këto kompani të jenë të sanksionuara për mosrespektimin e zbatimit të gjuhës shqipe në nivel institucional dhe detyrues që është paraparë në të gjitha institucionet përkatëse”, tha Selmani.

Qytetarët po ashtu thonë se respektimi i Ligjit të Gjuhëve nga ana e kompanive të mëdha do të ishte mirë në radhë të parë për ato subjekte. Qytetarët thonë se gjuha nuk ndryshon në thelbin e mendimeve dhe ideve. Përdorimi i një gjuhe më shumë nëpër institucione apo kompani nuk dëmton askënd.

Të fundit