E hënë, 11 Nëntor, 2024

RRUGËT E KËRÇOVËS NË TERR, KOMUNA KËRKON MIRËKUPTIM NGA QYTETARËT  

Plot një muaj qytetarët e Kërçovës po përballen me mungesë të paparalajmëruar të rrymës elektrike. Të gjitha rrugët e fshatrave, lagjeve të qytetit madje edhe rruga magjistrale  “Kërçovë-Ohër”, kanë kufizim të energjisë elektrike. Situata duket se po përkeqësohet sepse mungesa e energjisë fillon nga orët e para të mbrëmjes, duke i agravuar edhe më tepër pakënaqësitë tek qytetarët, të cilët të shqetësuar shprehen se edhe pse po paguajnë situata vazhdon të jetë e pazgjidhur.

Shkruan: Puhiza Osmani

 

Pas shpalljes së krizës energjetike në fillim të nëntorit, nga të gjitha qytetet tjera në Maqedoninë e Veriut, qyteti i Kërçovës është një ndër të vetmit që po përballet me një problem të tillë. Ndërkohë që qytetarët dyshojnë se një situatë e këtillë është shkaku i borxhit që Komuna e Kërçovës ndaj kompanisë së furnizimit të energjisë “Burimi”, autoritet përkatëse thonë se këto informata janë të pasakta. Sipas përfaqësuesve të Komunës së Kërçovës, kufizimet e energjisë janë pasojë e rritjes së çmimit të rrymës elektrike në vend dhe krizës energjetike në të gjithë botën.

Zëdhënësi i Komunës, Laurent Qerimi, për KDP deklaroi se këto kufizime kanë për qëllim shpenzim racional të energjisë në këtë periudhë krize energjetike.

“Kufizimi i energjisë elektrike fillon nga ora 10 e mbrëmjes e deri në orët e para të mëngjesit, në të gjitha rrugët e fshatrave dhe lagjeve të qytetit. Arsyet e kufizimit vijnë si rrjedhojë e ngritjes së çmimit të rrymës në të gjithë vendin”, tha Qerimi.

Ai gjithashtu u shpreh se Komuna është në kontakt të vazhdueshëm me kompaninë “Burimi” dhe se është në përgatitje e sipër për realizimin e një projekti të ri për kursimin e energjisë elektrike.

Nga Kompania “Burimi”, ndërkaq, u shprehën se mungesa e rrymës elektrike vjen si pasojë e çekuilibrimit të sistemit për shkak të zgjerimit të rrjetit elektrik. Drejtori i kompanisë, Burim Saliu, tha që duhet të bëhet rishikim i të gjithë ndriçimit publik.

“Kufizimi i energjisë ka ardhur me vendim të Komunës si pasoj e krizës. Por gjithashtu një nga arsyet është edhe zgjerimi i rrjetit të energjisë nga vetë ana e qytetarëve, të cilët e kanë dyfishuar ndriçimin publik nëpër shtëpitë e tyre”, tha Saliu për KDP.

Sipas tij, kjo gjendje do të vazhdojë edhe dy javë të tjera, varësisht nga vendimet që do të marrë komuna.

Ekspertët kanë paralajmëruar se vendi mund të përballet me trazira publike si shkak i rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, e cila mund të shkaktojë edhe rritje të prodhimeve ushqimore. Pamundësia për të prodhuar energjinë e nevojshme dhe varësia gjithmonë më e madhe nga importi i energjisë, thonë ekspertët, po shkakton edhe rritjen e çmimit të rrymës. Sipas tyre, çmimi i rrymës tash është deri në 54% më i lartë në krahasim me vitin 2020.

 

 

Të fundit