E premte, 26 Korrik, 2024

Çfarë vjen pas Big Brother-it?

Qysh prej 21 vitesh punoj në media, në thuajse çdo format të mundshëm televiziv, nga spikere e thjeshtë në drejtore lajmesh, nga prezantuese programesh sportive në spektakle prime time, nga informacioni në argëtim, në shqip, anglisht e italisht, në TV kombëtare, media të fuqishme, të mëdha e në të vogla me audiencë modeste, pra kam realizuar atë që italianët e quajnë metaforikisht “gavetta”, kalimin nga angazhimet e thjeshta tek ato të rëndësishmet në media. Dhe pa drojë them se i njoh mirë ngjarjet, skandalet, transmetimet dhe programet, që kanë mbërthyer audiencën gjer në zbrazje rrugësh. Dhe në dhjetëshen e parë të tyre me a pa keqardhje, me a pa shifra konkrete hyn Big Brother.

Dhe kjo së pari për meritë të kujt në fillim të shekullit të ri, me largpamësi e intuitë kuptoi lidhjen mes internetit, televizionit dhe qendrave të kontrollit. Shkenca do ta vërtetonte se eksperimenti social i mbikqyrjes 24/24 të jetës së njerëzve brenda një shtëpie pa televizor, celular, libra, kompjuter a tablet do qe “i suksesshëm” në termat e kërshërisë njerëzore, nevojës për të ngopur vetminë, thirrjes narcistike për të njohur të ngjashmin e për t’u identifikuar me të, joshjes për të ndikuar në jetën e disa banorëve të përgjuar pa ndalesë, për t’i gëzuar a stresuar, për t’i argëtuar a bërë të vuajnë.

Brenda një “lirie” të kontrolluar nga produksioni i programit, të cilit banorët do duhet t’i binden. Aq më tepër kur këta banorë janë “vip”-a, idhuj, të adhuruar, të njohur a provuar publikisht në art, balet, këngë, humor, media, sport.

Pra nga çdo analizë psiko-sociale, teknologjike, shkencore ky lloj programi ishte i destinuar të tërhiqte vëmendje të jashtëzakonshme. Disa duke e konsideruar gjënë më të mirë në kohë depresioni, papunësie, vuajtjeje, pandemie, të tjerë duke e kritikuar fort për çfarë promovon, që nga personazhet deri tek intrigat, veset e kotësinë e jetës e të tjerë duke bërë në heshtje detektivin me kohë të pjesshme. E për më pak të tjerë mbeti e qartë filozofia “cirk e bukë” mbështetur nga elitat drejtuese të vendit.

Mirëpo hipokrizia është komplimenti që vesi i bën virtytit. Dhe motivet e krijuesve nuk janë as më të mira e as më të këqija se ato të audiencës, asaj që sheh e nuk sheh formatin.

Edhe vetë, e ftuar të jap opinion brenda programit, pata një proces të vogël me veten. Në mes të sa e sa skandaleve, padrejtësive, shkeljeve, dhunimeve, që i denoncoj në programet e mia, a duhej ta përfshija audiencën time edhe në një shtëpi ku disa personazhe (që ngjallin ende debat nëse janë a jo vip-a) vendosin të përgjohen e mbikqyren nga kamerat 24/24, ndërsa urdhërohen nga një “Vëlla i Madh” i panjohur dhe që përfshihen në përplasje, sherre, intriga, joshje e tradhti në kushte privimi e provokimi?! Dhe sërish vendosa se duhej të shkoja. Të dyja aspektet në thelb janë pasoja e një eksperimanti të madh social.

Vetë Big Brother është eksperiment brenda eksperimentit të madh ku të gjithë si shoqëri jemi përfshirë. Sepse jemi “banorët” e një “shtëpie” gjithnjë e më të mbikqyrur, ku intrigat në një “dhomë” ndodhin për të tërhequr vëmendjen nga skandali në “dhomën” tjetër. Ku përdoremi, fyhemi, lëndohemi, shfrytëzohemi, ndjekim më të fortin, i bindemi rrethanave, votojmë, por nuk zgjedhim prej manipulimeve, bëjmë militantin pa asnjë arsye të shëndetshme, nuk protestojmë kur na thonë bëni këtë a atë, indinjohemi për tre ditë deri në shpengimin e radhës, duam të fitojmë pa punuar, kërkojmë 5 minutat e famës, rendim të çmendur pa asnjë vektor moral drejt suksesit, mbushim jetët me rrënimin e tjetrit, spiunojmë e spiuonohemi, e drejta jonë mbetet relative në funksion të afërsisë me më të pushtetshmin…

Dikur Wilde thosh: “Hallet e punët e mia janë të mërzitshme n’kulm, pëlqej të të tjerëve”. Kështu ka qënë, thjesht u ngrit në fenomen mediatik në të cilin shqiptari përfshihet për të “shpërblyer” vetminë, duke synuar me të vetën, në të voglën e vet një konsensus social të ngjashëm me atë që kanë personazhet e Big Brother.

Ndaj kritikojeni, lëvdojeni, shmangeni, ndiqeni, përqesheni e veneroni, por s’duhet harruar, qeverisemi nga ata që meritojmë, marrosemi pas atyre që meritojmë, hamë çfarë meritojmë, argëtohemi e pasionohemi pas atyre që meritojmë. Dhe kur them “meritojmë” kam parasysh ndërgjegjen e secilit.

Ndërkohë sot do ta shoh finalen e Big Brother Vip dhe menjëherë më pas do vijoj jetën time. Mandej të hënën jam sërish në punë, si gazetare, duke denoncuar “Vëllezërit e Mëdhenj”, që kanë kapur shtetin.

Të fundit