E shtunë, 27 Korrik, 2024

“Escobar zbuloi detajet që nuk i tregoi Kurti”/ Ky është projekti në tavolinën e kryeministrit

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, teksa ka raportuar para komitetit për marrëdhënie ndërkombëtare të Senatit Amerikanpër dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, deklaroi se Uashingtoni ia kanë bërë të qartë Qeverisë së Kosovës e cila udhëhiqet nga Albin Kurti, se për të arritur deri te njohja reciproke me Serbinë, Prishtina duhet të bëjë kompromise.

“Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës se ne presim që ata të angazhohen plotësisht në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe t’i shohin ato si negociata të vërteta për të arritur qëllimin kryesor të tyre që është njohja e ndërsjellë me Serbinë, njohja nga pesë shtetet e BE-së, dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare që ata duan të anëtarësohen. Kjo do të kërkojë kompromis dhe ne kemi qenë shumë të qartë. Ambasadori ynë i ri, Jeffery Hovenier e ka bërë këtë shumë të qartë gjatë takimeve të tij të para me Qeverinë Kurti dhe ai do të vazhdojë ta bëjë këtë dhe ne do të vazhdojmë që ta mbështesim atë”, tha Escobar.

Sipas Escobar dialogu nuk është proces për statusin e Kosovës, por për njohjen e ndërsjellë, dhe se SHBA e mbeshtet formimin e Asociacionit.

““E mbështesim krijimin e Asociacionit për shumë arsye. E para është se për të palët janë pajtuar. Edhe pse Gjykata Kushtetuese (e Kosovës) ka thënë se disa pjesë nuk janë në përputhje me Kushtetutën, nuk ka thënë se vetë Asociacioni është jokushtetues. Në kuadër të bisedimeve, është në dorën e Kosovës dhe Serbisë që të vendosin se si do të dukej (asociacioni). Nuk duhet të jetë, dhe sigurisht ne nuk duam që të jetë i ngjashëm me Republikën Serbe, por ne i kemi bërë thirrje dhe kolegu im Lajçak i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës të shqyrtojë modelet që ata besojnë se mund të jenë të përshtatshme, që nuk do të dëmtojnë sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës”, deklaroi Escobar.

E për raportimin nga Escobar dhe mesazhet e tij, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“I ngarkuari i presidentit Joe Biden për Ballkanin, zoti Gabriel Escobar, ishte këto ditë para nën komisionit të politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan dhe iu përgjigj pyetjeve të kryetarit të këtij komisioni rreth Kosovës e zgjidhjes përfundimtare të konfliktit midis saj e Serbisë. Madje shefi i komisionit të Jashtëm Amerikan në Kongres iu drejtua me një pyetje shumë të qartë, nëse Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë do të krijojë ose jo një Republikë Srspka në këtë vend. Nëse ky Asociacion do të dëmtojë shtetësinë ose jo. Pyetja shprehte një lloj dyshimi dhe hezitimi njëkohësisht të tij”, thotë Bytyçi./Bota Sot

Të fundit