E enjte, 25 Prill, 2024

ANALIZË: DEFINIMET PROBLEMATIKE KUSHTETUESE

Nëse termi kombësi ishte shpikje e komunizmit, termi nacionalitet ishte shpikje e gjeneratës politike paskomuniste, i cili vlente për shqiptarët dhe turqit, por edhe për vllahët, romët, boshnjakët, serbët. Terminologjia e përdorur juridike-kushtetuese në monizëm, por edhe ajo e Kushtetutës së vitit 1991 ishin miratuar pa bekimin e shqiptarëve, edhe pse funksionarë të caktuar shqiptarë në komunizëm ka pasur dhe të cilët janë pajtuar me këtë formulim. Megjithatë formulimet e këtilla nuk kanë pasur asnjëherë mbështetje tek opinioni publik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

 

Shkruan: Sefer Tahiri

 

KUSHTETUTA E VITIT 1991

Nëse Kushtetuta e vitit 1974 kishte qasje të avancuar ndaj të drejtave kolektive përkatësisht statusit të shqiptarëve dhe turqve, Kushtetuta e vitit 1991, e miratuar pas referendumit të 8 shtatorit të vitit 1991, të cilin shqiptarët e bojkotuan, popullatën shqiptare dhe pjesëtarët e kombeve të tjera që jetojnë në Maqedoni, i emërton me termin e ri kushtetues-juridik nacionalitet. Me siguri si relikt i socializmit, pasi termi i ri ka kuptimin e ngjashëm me kombësi. Politika neokomuniste, duke tentuar që shqiptarët t’i denigrojë kolektivisht në aspektin kushtetues, për shkak të fuqisë së tyre politike (numrit të deputetëve, gjithmonë mbi 20 në Kuvendin e Maqedonisë), për shkak të pranisë demografike (me regjistrimin e fundit në vitin 2020 shqiptarët përbëjnë zyrtarisht 25.17 për qind), por edhe për shkak të fuqisë reale ekonomike që kanë, nuk ua njohu statusin e kombit shtetformues. Por, edhe duke mos dashur t’i trajtojë si pakicë u përcaktua për një zgjidhje hermafrodite apo hibride në përkufizimin e tyre në aktin më të lartë juridik. Nëse termi kombësi ishte shpikje e komunizmit, termi nacionalitet ishte shpikje e gjeneratës politike paskomuniste, i cili vlente për shqiptarët dhe turqit, por edhe për vllahët, romët, boshnjakët, serbët. Terminologjia e përdorur juridike-kushtetuese në monizëm, por edhe ajo e Kushtetutës së vitit 1991 ishin miratuar pa bekimin e shqiptarëve, edhe pse funksionarë të caktuar shqiptarë në komunizëm ka pasur dhe të cilët janë pajtuar me këtë formulim. Megjithatë formulimet e këtilla nuk kanë pasur asnjëherë mbështetje tek opinioni publik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë, e botuar më 22 nëntor të vitit 1991

            Në pjesën hyrëse të Kushtetutës të vitit 1991 thuhet:

Duke u nisur nga trashëgimia historike, kulturore, shpirtërore dhe shtetërore e popullit    maqedonas dhe nga lufta e tij shekullore për liri kombëtare dhe sociale dhe për krijimin e       shtetit të vet, e veçanërisht nga traditat shtetërore juridike të Republikës së Krushevës dhe vendimet historike të KAÇKM-së dhe kontinuitetit kushtetues juridik të shtetit         maqedonas si republikë sovrane në Federatën jugosllave, nga vullneti lirisht i shprehur        i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë në referendumin e 8 shtatorit, 1991, si dhe nga           fakti historik se Maqedonia është konstituuar si shtet kombëtar i popullit maqedonas, në   të cilin sigurohet barazia e plotë qytetare dhe bashkëjetesa e përhershme e popullit   maqedonas me shqiptarët, turqit, vllahët, romët dhe kombësitë e tjera që jetojnë në      Republikën e Maqedonisë.

Përderisa gjuha shqipe, si gjuhë zyrtare garantohet vetëm në nivel lokal (komunal), prandaj krahasuar me Kushtetutën e vitit 1974 kemi restriksion sa i përket kësaj fushe. Njësoj si në dokumentet e KAÇKM-së, gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj ruajnë ekskluzivitetin e gjuhës së vetme zyrtare në tërë territorin e vendit dhe në të gjitha nivelet.

Neni 7

Në Republikën e Maqedonisë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj       cirilik.Në njësitë e vetëadministrimit lokal, në të cilat shumicë janë pjesëtarët e          nacionaliteteve, në përdorim zyrtar krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit cirilik, janë edhe gjuha dhe alfabeti i nacionaliteteve, në mënyrë të përcaktuar me ligj.

Në njësitë e vetëadministrimit lokal, në të cilat në numër të konsiderueshëm jetojnë          pjesëtarët e nacionaliteteve, në përdorim zyrtar krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit cirilik, janë edhe gjuha dhe alfabeti i nacionaliteteve, në kushte dhe në mënyrë   të përcaktuara me ligj.

Neni i vetëm që në mënyrë të veçantë garanton mbrojtjen formale- juridike të identitetit të nacionaliteteve (shqiptarëve, turqve dhe të tjerëve) është neni 48.

Neni 48

Pjesëtarët e kombësive kanë të drejtë që lirisht t’i shprehin, kultivojnë dhe             zhvillojnë             identitetin e tyre dhe veçoritë kombëtare.
Republika ua garanton nacionaliteteve mbrojtjen e identitetit etnik, kulturor,         gjuhësor dhe fetar.
Pjesëtarët e nacionaliteteve kanë të drejtë të themelojnë institucione kulturore dhe            artistike, shoqata shkencore dhe shoqata të tjera me qëllim të shprehjes, kultivimit dhe        zhvillimit të identitetit të tyre.
Pjesëtarët e nacionaliteteve kanë të drejtë për mësim në gjuhën e tyre në arsimin fillor      dhe të mesëm, në mënyrën e përcaktuar me ligj. Në shkollat, në të cilat arsimimi zhvillohet në gjuhën e nacionalitetit, mësohet edhe gjuha maqedonase.

Kushtetuta e miratuar më 17 nëntor të vitit 1991 nuk u votua nga deputetët shqiptarë, të cilët në momentin e votimit qëndruan në sallë, por respektuan vendimin e kryesive të dy partive të atëhershme të shqiptarëve, Partia e Prosperitetit Demokratik (PPD-ja) dhe Partia Demokratike Popullore (PDP-ja), që të bojkotohet votimi i aktit më të lartë juridik të shtetit. Kjo Kushtetutë vite me radhë, deri në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit nuk do të ketë legjitimitet tek shqiptarët, ndërsa nga forcat opozitare të shqiptarëve, sidomos nga Partia e Prosperitetit Demokratik të Shqiptarëve (PPDSH-ja) e më vonë Partia Demokratike Shqiptare (PDSH-ja) do të shihet si gjenerator i krizës ndëretnike në Maqedoni.

Elita politike shqiptare, edhe pse merrte pjesë në pushtet, si PPD-ja (në vitet 1992 – 1998), poashtu edhe PDSH-ja (në vitet 1998 – 2002), kontestonin rendin kushtetues të Maqedonisë paskomuniste, kishin akumuluar pakënaqësi te një pjesë e madhe e popullatës shqiptare.

Edhe pse viti 2001, nga elita politike maqedonase (VMRO-DPMNE-ja) dhe shqiptare (PDSH-ja) cilësohej si relaksues në dimensionin ndëretnik, ndodhi konflikti i armatosur midis një grupacioni të armatosur të shqiptarëve, i njohur me emrin Ushtria Çlirimtare Kombëtare me forcat ushtarake dhe policore shtetërore. Dëshmi se në vitin 2001 vendi po realizonte reformat e kërkuara për integrim euroatlantik, elitat politike theksonin prillin e vitit 2001. Pas përfundimit të suksesshëm të negociatave në Samitin e Zagrebit, më 24 nëntor të vitit 2000, në 9 prill të vitit 2001 në Luksemburg u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asocimit. Me këtë Marrëveshje, palët lejojnë që të hyjë në fuqi tregtia dhe çështjet që kanë të bëjnë me tregti, në kuadër të MSA-së.

Por, pavarësisht relaksimit që shfaqej nga elitat politike, edhe pse papritmas më 16 shkurt të vitit 2001 nisi konflikti në Maqedoni, që zyrtarisht do ta ketë fundin me firmosjen e Marrëveshjes së Ohrit.

Si çdo konflikt edhe ky i Maqedonisë së Veriut, përfundoi me marrëveshje paqësore, e arritur në tavolinën e negociatave dhe e cila përkufizohet si kompromis, nga i cili palët ngelën të pakënaqura. Marrëveshja paqësore u arrit në gusht të vitit 2001, pas negociatave në Ohër mes presidentit të atëhershëm, Boris Trajkovski, katër partive kryesore në Maqedoninë e Veriut: VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH dhe me lehtësimin e dy përfaqësuesve ndërkombëtarë: atij të SHBA-së, Xhejms Perdju dhe atij të Bashkimit Evropian, Fransoa Leotar. Dokumenti i ri garantonte që shteti bashkëkohor i Maqedonisë duhet vazhdimisht të sigurojë që Kushtetuta e tij tërësisht t’i plotësojë nevojat e të gjithë qytetarëve të saj, në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare. Kjo marrëveshje avancoi statusin juridik- kushtetues të shqiptarëve në bashkësi (etnike), ndërsa në ligje të veçanta shqiptarët nuk përmenden në mënyrë të qartë dhe precize, por në mënyrë jo të drejtpërdrejt si pjesëtarë të bashkësisë, që përbën mbi 20 për qind te popullatës në Maqedoni.

 

 

            Dokumenti i firmosur i Marrëveshjes së Ohrit më 13 gusht të vitit 2001

Edhe pse varianti i parë i Preambulës së Kushtetutës, e miratuar më 16 nëntor të vitit 2001, që derivoi nga Marrëveshja e Ohrit kishte koncept qytetar, preambula e re e Kushtetutës i përkufizon si “pjesë e popullit shqiptar”, ngjashëm si edhe turqit, serbët, boshnjakët, romët dhe vllahët.

Preambula e Kushtetutës së vitit 2001

Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, populli maqedonas, si dhe qytetarët të cilët            jetojnë brenda kufijve të saj të cilët janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit    vllah, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak e të tjerë, duke e marrë përsipër       përgjegjësinë për të tashmen dhe të ardhmen e atdheut të tyre, të vetëdijshëm dhe     mirënjohës ndaj paraardhësve të tyre për viktimat dhe përkushtimin e përpjekjeve të tyre       dhe luftës për krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Maqedonisë, dhe përgjegjës para     gjeneratave të ardhshme për ruajtjen dhe zhvillimin e të gjithë asaj që është e vlefshme     nga trashëgimia e pasur kulturore dhe bashkëjetesa në Maqedoni, të barabartë në të   drejtat dhe detyrimet e tyre për të mirën e përbashkët – Republikës së Maqedonisë – në përputhje me traditën e Republikës së Krushevës dhe vendimet e KAÇKM-së dhe të      referendumit të 8 shtatorit të vitit 1991, vendosën ta konstituojnë Republikën e   Maqedonisë si shtet të pavarur, sovran, me qëllim që të vendoset dhe forcohet sundimi i   së drejtës, që të garantohen të drejtat e njeriut dhe liritë qytetare, të sigurohet paqja dhe                  bashkëjetesa, drejtësia sociale, mirëqenia ekonomike dhe përparimi i jetës individuale      dhe të përbashkët, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Republikës së   Maqedonisë, të zgjedhur në zgjedhje të lira dhe demokratike.

Kjo do të thotë se shqiptarët janë “pjesë e popullit shqiptar”, një nocion i ri dhe i paeksploruar mirë apo një zgjidhje që del jashtë çdo teorie identitare. Dallimi nga kombi është se bashkësia etnike identitetin e saj e lëvron në mënyrë joinstitucionale, pa përkujdesje nga shteti. Nëse identiteti kombëtar është i lidhur me shtetin, atëherë identiteti etnik është më tepër folklorik dhe i pasistemuar mirë. Sipas antropologut Thomas H. Eriksen, dallimi ndërmjet etnisë dhe kombit qëndron në raportin e tyre me shtetin. Sipas tij, derisa kombet synojnë që kufijtë e tyre gjeografikë të jenë të përputhshëm me ato kulturorë, bashkësitë etnike s’pretendojnë të kenë kontroll mbi shtetin ose të qeverisin me të.

(Vazhdon)

Të fundit