E mërkurë, 26 Mars, 2025

ERDOGANI PRET ZAEVIN, TAKIM PRAPA DYERVE TË MBYLLURA

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan në Stamboll u takua me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi Erdoğan-Zaev u mbajt në Pallatin Vahdetin në rrethin Cengelkoy dhe ishte i mbyllur për mediat.

Në pritje morën pjesë ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, shefi i Komunikimeve të Presidencës, Fahrettin Altun, zëdhënësi i Presidencës, İbrahim Kalın, zëdhënësi i AK Partisë, Ömer Çelik dhe ndihmësi i kreut të AK Partisë, Efkan Ala.

Ndërkohë, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftojnë se bashkëpunimi ekonomik ishte në fokus të bisedimeve.

Zaev: Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar është jetik për Maqedoninë dhe Turqinë

Kryeministri Zoran Zaev dje së bashku me ministrin e Shëndetësisë Venko FIlipçe ka realizuar takim pune me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan.

– Advertisements –

“Gjatë takimit, kryeministri Zaev theksoi bashkëpunimin jashtëzakonisht të mirë ekonomik midis dy vendeve dhe interesin e theksuar të kompanive turke për të investuar në Maqedoninë e Veriut dhe për të thelluar lidhjet e biznesit dhe tregtisë”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

“Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar janë jetike, tha kryeministri Zaev duke shtuar se pritet një vrull më intensiv në këtë drejtim pas nënshkrimit të një marrëveshje të re të tregtisë së lirë që po hartohet me qëllim hapjen e më shumë dyerve për investitorët turq”, thuhet tutje në kumtesën e Qeverisë.

Turqia është ndër 5 vendet e para si investitorë më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut. Marrëdhëniet midis dy shteteve kanë qenë tradicionalisht të mira, me ç’rast Turqia ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e vendit. /KDP

Të fundit