Presidenti Joe Biden tha të mërkurën se komuniteti amerikan i zbulimit është i ndarë lidhur me origjinën e koronavirusit, rreth asaj nëse virusi vjen nga kontakti njerëzor me një kafshë të infektuar apo nëse ai ishte pasojë e një aksidenti laboratorik.
Biden tha në një deklaratë se ai ka bërë thirrje për hetime të mëtejshme mbi origjinën e pandemisë, raporton VOA, përcjell KDP.
Presidenti tha se zbulimi amerikan po shqyrton dy skenarë të ndryshëm dhe se asnjë nga konkluzionet e deritanishme nuk gëzon mbështetje të fortë dhe ata janë të ndarë në supozimet mbi ngjarjet që sollën përhapjen e virusit.
“I kam kërkuar komunitetit të zbulimit që të dyfishojë përpjekjet për të mbledhur dhe analizuar informacione që mund të na sjellin më pranë një përfundimi dhe të më raportojnë mbi këtë çështje brenda 90 ditësh”, tha Presidenti Biden.
“Si pjesë e këtij raporti, kam kërkuar hetime të mëtejshme, duke përfshirë pyetje specifike për Kinën“, tha Presidenti Biden.
Nga ana tjetër, OBSH në shkurt të vitit konstatoi se COVID-19 nuk buron nga laboratorët.
Në një konferencë të zhvilluar me pjesëtarët e ekipit në fund të misionit mbikëqyrës në terren, pjesëtari i grupit përfaqësues të OBSH-së hedh poshtë dyshimet se koronavirusi që ka pushtuar globin e ka origjinën nga laboratori i virologjisë në Wuhan.
“Gjetjet tregojnë se një incident në laborator është jashtëzakonisht i pamundur për të shpjeguar përhapjen e COVID-19ës mes njerëzve. Për këtë arsye, nevojiten studime të tjera për të zbuluar origjinën e virusit”.
Sipas tij, dyshimet mbi origjinën e COVID-19ës janë në një rezervat të mundshëm natyror të lakuriqëve të natës në Kinë. Por për përfaqësuesit kinezë të këtij ekipi thanë se tregu i famshëm i kafshëve të egra ku mendohet ta ketë origjinën virusi në Dhjetor 2019 nuk ka gjasa ta ketë përhapur virusin. Sipas tyre, virusi mund të ketë ardhur në këtë qytet nga zona të tjera të Kinës dhe kjo duhet të shndërrohet në subjekt hetimi.