E martë, 29 Prill, 2025

FRIKA NGA NUMËRIMI

Shtyrja e regjistrimit për në shtator të këtij viti mund të jetë një periudhë e cila mund të shfrytëzohet në mënyrë konstruktive, që nënkupton mënjanimin e defekteve që pamundësojnë regjistrimin. Por, është rëndë të besohet për një rezultat pozitiv kur kihet parasysh antagonizmi i theksuar politik dhe etnik midis aktorëve kryesorë në skenën politike të Maqedonisë së Veriut. Duke e marrë parasysh këtë realitet, regjistrimi ka shumë gjasa që të mos mbahet as në shtator, për shkak të zgjedhjeve lokale në tetor dhe rrënimit të besimit në këtë proces me shtyrjen vetëm dy ditë para fillimit të tij nga dyshja Zaev-Mickovski.

 

Shkruan: Xhelal NEZIRI

 

Që para fillimit të procesit paralajmërova se ka skenarë për dështimin e regjistrimit. Në janar të këtij viti, i ftuar në emisionin “99 minuta” të TV “Klan M”, theksova se ka skenarë për dështim të qëllimshëm të këtij procesi statistikor dhe jo vetëm. Kishte një pakt të heshtur që qarqe nacionaliste ekstreme ta bojkotojnë pjesshëm regjistrimin, me qëllim që të krijohej bazë për kontestimin e rezultateve finale. Kjo do të hapte shteg që procesi të shpallej i pavlefshëm, në veçanti rezultati që ka të bëjë me përqindjen etnike dhe religjioze.

Por, në vend të kësaj, u zgjodh një mënyrë tjetër e dështimit të regjistrimit – shtyrja për në shtator. Vendimi u mor vetëm dy ditë para datës ligjore të fillimit të regjistrimit (21 prill) në një takim tet-a-tet midis kryeministrit, njëherazi lider i LSDM-së, Zoran Zaev, dhe liderit të opozitares VMRO-DPMNE, Hristian Mickovski.

Regjistrimi, në fakt, ishte politizuar ende pa filluar. Qeveria e kishte dorëzuar propozim-ligjin e ri të regjistrimit për miratim në Kuvend, pa i pranuar amendamentet e opozitares VMRO-DPMNE. Partia e Mickovskit kërkonte që regjistrimi të bëhet me marrjen e shenjave nga gishtërinjtë dhe me kryqëzimin elektronik të të dhënave. Pasi ligji kaloi pa i pranuar këto ide të opozitës, ajo filloi grumbullimin e nënshkrimeve për zhbërjen e Ligjit të regjistrimit, por pa ftuar haptas për bojkot të procesit.

Statistikë me pasoja politike

Strategjia e blerjes së kohës e ka karakterizuar përherë qasjen e politikës në Shkup kur është dashur të ballafaqohet me gjetjen e zgjidhjeve për probleme të mëdha, që prekin gjenezën e projektimit të shtetit. Kjo qasje ishte edhe në raport me zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, një problem që u zvarrit për tre dekada, ose tash të problemit të historisë me Bullgarinë. Edhe në periudhën e shtet-ndërtimit të Maqedonisë së Veriut çështja e të drejtave të shqiptarëve etnikë u zvarrit derisa e prodhoi konfliktin e 2001-shit. Pikërisht te kjo pjesë është burimi i pengesave që pamundëson një proces, që kudo është statistikor dhe pa pasoja politike.

Regjistrimi i popullsisë është operacioni më i madh statistikor në çdo shtet. Ai nënkupton mbledhjen e informacionit të detajuar për numrin e banorëve dhe amvisërive. Këto të dhëna më pas përcaktojnë shumë procese, qoftë ekonomike ose politike. Ato shërbejnë për analiza demografike – të shihen trendët, ndryshimet, identitetet dhe të bëhen strategjitë për arritjen e zhvillimit të dëshiruar. Më tej, shërbejnë për përcaktimin e numrit real të banorëve, shtetasve dhe votuesve. Në çdo vend me sistem proporcional zgjedhor të dhënat e regjistrimit shërbejë për ta mbajtur në suaza ligjore numrin e votuesve ose të të zgjedhurve në çdo zonë elektorale.

Nëse kombi është grupi i njerëzve që kanë të njëjtën shtetësi, regjistrimi është pasqyra e një kombi. Ai tregon se prej cilave identitete përbëhet një komb (gjinor, social, individual, etnik…), ku është dhe kah shkon. Numri i saktë i fëmijëve i ndihmon institucionet që ta planifikojnë numrin e shkollave dhe mësuesve, kurse numri i saktë i popullsisë është bazë për planifikimin e numrit të spitaleve, çerdheve, barnatoreve, pompave të benzinës, restoranteve ose të shtëpive të pleqve. Numri i banorëve në zonat zhvillimore është bazë për shpërndarjen e fondeve qeveritare, por edhe i grumbullimit të tatimeve për arkën e shtetit. Numri i zanatçinjve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme ndihmon në projektimin e drejtimeve të shkollave profesionale ose të fakulteteve në universitetet e vendit. Numri i saktë i banorëve në një vend është i nevojshëm për t’i ditur saktë nevojat e popullsisë për energji, ushqim, strehim. Pra, këto të dhëna përdoren e ripërdoren vazhdimisht në të gjitha institucionet, institutet, nga analistët ose nga subjektet e ndryshme që merren me studime dhe parashikime.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Maqedoninë e Veriut është zbatuar në vitin 2002. Ishte ky një operacion i pranuar edhe nga shqiptarët etnikë, që rezultuan 25.7 për qind nga afër 2.1 milionë prej popullsisë së përgjithshme. Regjistrimi paraprak (1991) u bojkotua nga shqiptarët etnikë, që më pas ai të mbahet më 1994. Standardi i Eurostatit është që çdo shtet ta numërojë popullsinë në vitin e parë të çdo dekade. Një shtyrje e këtij procesi ndodhi edhe në vitin 2011, kur komisioni për zbatimin e regjistrimit e humbi kontrollin mbi regjistruesit në terren dhe u detyrua të ndërpresë operacionin.

Ka dy arsye për politizimin e përhershëm dhe të pashmangshëm të regjistrimit në vend: E para ka të bëjë me mosbesimin ndaj institucioneve dhe mosbesimin te njëri-tjetri në aspektin etnik; dhe, dyta, me lidhjen e të drejtave të shqiptarëve etnikë (dhe etnive tjera në nivel lokal) me përqindjen e tyre.

Mosbesimi ndaj institucioneve ka qenë përherë i pranishëm te një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve etnikë, të cilët besojnë se që pas Luftës së Dytë Botërore në çdo regjistrim numri i tyre është treguar më i ulët për të marrë më pak të drejta dhe resurse shtetërore. Pikërisht te ky inxhiniering statistikor e kanë parë burimin e diskriminimit të tyre kulturor, arsimor dhe ekonomik. Mosbesimi i një pjese të maqedonasve etnikë buron nga politikat etnonacionaliste, të cilët e kanë paraqitur numrin e shtetasve të etnisë shqiptare si kancer që duhet mbajtur sa më i vogël. Këto politika e kanë zhvendosur debatin dhe betejën politike në sferën e riprodhimit biologjik, ku sa më shumë në numër të jetë një etni, aq më superiore ndaj etnive tjera do të jetë.

Lidhja e të drejtave të shqiptarëve etnikë me përqindjen e tyre e kanë burimin në Marrëveshjen e Ohrit, e cila është pjesë e Kushtetutës së vendit që nga viti 2002. Në Amendamentin V e drejta e përdorimit zyrtar të gjuhëve jomaqedonase lidhen me së paku 20 për qind të popullsisë që e flasin atë gjuhë, në nivel lokal ose kombëtar. Flamuri etnik mund të përdoret në komunat me mbi 50 për qind të një etnie. Përfaqësimi, ndërkaq, lidhet po ashtu me përqindjen e tyre në shtet ose në komunë. Së këndejmi, gjatë kohë në opinionin publik maqedonas është tentuar të ndërtohet narrativi se shqiptarët janë nën 20 për qind, duke kërkuar kështu zhbërjen e Marrëveshjes së Ohrit.

Dalja nga kjo ngatërresë

Siç e përmenda më lart, burimi i pengesave të regjistrimit, por edhe të konsolidimit në përgjithësi, është te periudha e shtet-ndërtimit. Me shpalljen e pavarësisë në vitin 1991, Maqedonia e Veriut u projektua si një shtet i etnisë (popullit) maqedonas, ku të drejta minoritare do të gëzojnë edhe të tjerët. Ishte një projektim ambicioz etnocentrik për një rajon administrativ, i cili historikisht ka qenë shumetnik – që nga kryengritja e Ilindenit në vitin 1903, Lufta e Dytë Botërore në vitin 1941-45 e deri në prag të luftërave që çuan drejt shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990-95. Ndërtimi i kombit të ri politik të Maqedonisë së Veriut nuk u vendos mbi bazën e konceptit gjeografiko-qytetar, ku të gjithë shtetasit e përbëjnë kombin, por u ngrit mbi shtyllën e konceptit etnonacionalist, i cili i përjashton etnitë joshumicë.

Në vitin 2001, pas një konflikti gjashtëmujor, u arrit Marrëveshja e Ohrit, e cila arriti ta vendosë kornizën e definimit të shtetit me qëllim që të gjitha mosmarrëveshjet lidhur me shtetndërtimin dhe shtetidentifikimin të zgjidhen nëpërmjet një procesi të drejtë demokratik. Në këtë kontekst u parapa që të zgjidhet edhe çështja e lidhjes së disa të drejtave të shqiptarëve etnikë (dhe etnive tjera në nivel lokal) me përqindjen e tyre, edhe pse si etni përmenden në preambulë, e cila deri diku e ridefinon shtetin ose kombin si gjeografiko-qytetar.

Regjistrimi, realisht, na kujton një plagë të hapur të shtetndërtimit dhe konsolidimit demokratik, e cila shfaqet si problem që duhet zgjidhur. Së këndejmi, për t’i mënjanuar përplasjet e rrezikshme politike dhe për ta siguruar një proces të pastër statistikor, nevojiten dy gjëra:

E para, të mos lidhen me përqindje të drejtat etnike shqiptarëve në nivel kombëtar dhe lokal. Kjo kërkon intervenim në Amendamentin V të Kushtetutës, në Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe në Ligjin për përdorimin e simboleve etnike, ku në vend të përqindjes të qëndrojë etnia shqiptare. Përfaqësimi i drejtë, ndërkaq, të kalojë nga përqindja në kualitet, ku çdonjëri do të garojë me kualitet e jo me përkatësi etnike.

E dyta, përderisa përqindja e etnive është burim i konflikteve të vazhdueshme, të regjistrohen banorët dhe shtetasit pa grafën etnike dhe të religjionit. Deri në regjistrimin e ardhshëm (2031), që pritet ta gjejë vendin si anëtar të BE-së, ku zbatimi i këtij operacioni do të bëhej nga Eurostat-i.

Shtyrja e regjistrimit për në shtator të këtij viti mund të jetë një periudhë e cila mund të shfrytëzohet në mënyrë konstruktive, që nënkupton mënjanimin e defekteve që pamundësojnë regjistrimin. Por, është rëndë të besohet për një rezultat pozitiv kur kihet parasysh antagonizmi i theksuar politik dhe etnik midis aktorëve kryesorë në skenën politike të Maqedonisë së Veriut. Duke e marrë parasysh këtë realitet, regjistrimi ka shumë gjasa që të mos mbahet as në shtator, për shkak të zgjedhjeve lokale në tetor dhe rrënimit të besimit në këtë proces me shtyrjen vetëm dy ditë para fillimit të tij nga dyshja Zaev-Mickovski.

 

Ky tekst fillimisht është botuar në Revistën Shenja 

Të fundit