Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë shprehur kundër Non-Paperit për rishikim kufijsh në Ballkan, për të cilin u tha se ishte propozuar nga autoritetet sllovene, njofton KDP.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Prajs, tha se SHBA të angazhuara në mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në institucione kryesore evropiane dhe evroatlantike.
“Siç e kemi parë, spekulimet e panevojshme të kohëve të fundit për ndryshimin e kufijve në Ballkan sipas linjave etnike kërcënojnë të destabilizojnë rajonin dhe përkujtojnë tensionet e mëparshme. Një e ardhme e qëndrueshme, e begatshme për Ballkanin Perëndimor duhet të bazohet në qeverisjen e mirë, sundim të ligjit, demokraci shumetnike dhe respektin për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.”
Prajs ka nënvizuar se SHBA po punon me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët evropianë për të “çuar përpara reformat në qeverisje, sundim të ligjit, përpjekjet kundër korrupsionit, si dhe për të promovuar median e pavarur dhe një shoqëri civile energjike, që do të forcojnë perspektivën evropiane të rajonit dhe do të avancojnë synimet afatgjata për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe”.
“Ne angazhohemi që të ndihmojmë vendet e Ballkanit Perëndimor që t’i thellojnë partneritetet e tyre ekonomike, të arrijnë objektivat klimatike, t’i bëjnë rezistencë detyrimeve energjetike nga Rusia duke zhvilluar burime të larmishme dhe të pastra të energjisë, si dhe të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Gjithashtu, duam të ndihmojmë rajonin drejt begatisë dhe rritjes duke mbrojtur infrastrukturën dhe industritë e vendeve të rajonit nga praktikat keqbërëse të Kinës.”
Përveç lidhjeve të forta ekonomike me rajonin, Prajs thotë se Shtetet e Bashkuara çmojnë partneritetin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përfshirë edhe me aleatet më të reja në NATO, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. “Synojmë ta thellojmë këtë bashkëpunim përmes trajnimeve, stërvitjeve dhe misioneve të përbashkëta dhe prokurimeve.”
“Përshëndesim përparimin nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në reforma me rëndësi thelbësore dhe vazhdojmë të mbështesim hapjen e negociatave për anëtarësim në BE me dy vendet në qershor.”
Sipas Prajs, Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme të mbështesin përpjekjet për një marrëveshje detyruese, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të bazuar tek njohja e ndërsjellë, e cila do të vendosë themelet për bashkëpunim dhe përparim të qëndrueshëm.
“Ne mbështesim dialogun me ndërmjetësimin e BE-së dhe i nxisim palët që të ri-angazhohen në proces me një frymë të nevojës urgjente për të adresuar çështjet teknike dhe politike. Do të punojmë me Serbinë dhe Kosovën për të zbatuar Zotimet e Uashingtonit në mbështetje të synimeve për normalizim të plotë.”
Prajs thotë se Shtetet e Bashkuara po punojnë me bashkësinë ndërkombëtare për të mbështetur Bosnjën dhe Hercegovinën në vazhdimin e reformave, përfshirë reformën zgjedhore, të cilat do të mundësojnë përparimin e vendit dhe sigurimin e statusit të kandidates për anëtarësim në BE.
“Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (ZPL), e krijuar 25 vjet më parë përmes Marrëveshjes së Dejtonit, ka kontribuar jashtëzakonisht shumë për paqen dhe stabilitetin në vend. Ne vazhdojmë të mbështesim rolin e rëndësishëm të Përfaqësuesit të Lartë për ta çuar përpara agjendën 5+2, duke vënë theksin edhe më shumë te çështjet kundër korrupsionit si çelës i forcimit të sundimit të ligjit.”