E premte, 21 Mars, 2025

Mendimi i munguar akademik…

Autor: Rex Kasumaj

1
Çdo komb historik do të definojë me dije e kulturë interesat strategjikë. Natyrisht, intuita e prijsëve në orë të mëdha është shpesh udhërrëfimore. Por ata, sërish, nuk do të lënë asgjë vetëm në mëshirën e saj.

Interesat janë tre llojesh: interes politik, interes shtetëror dhe interes kombëtar.

Kosova e Shqipëria të përbashkët e kanë, duhej t’a kishin këtë të fundmin, madhorin, interesin kombëtar

Por e kanë vallë?

Aspak. Ndër vite e qindvjeçarë nuk arriti të formohej e, më pas, të konsolidohej një mendim kombëtar shqiptar. Alternimi i elitave e sistemeve përherë nisnin me formulën e zeros dhe mallkimin e rendit të ikur. Kështu ngjashëm do të shprehej dhe Hans Groschop në librin “Disidentët” tek shkruante për alternimi e epokave.

E çuditshme, ndaj, që në gjithë dramat, kalvarin biblik që kaloi populli i tyre në këtë takim mijëvjeçari, Akademitë e dy anëve, nuk nismëtuan kurrë një elaborat, një Program unik kombëtar.

Në rrugën “Franca 7” në Belgrad, përherë ka trazim. Elaborat të stërholluar. Dhe përherë të rinuar në përgjigje të sfidave kombëtare që lëvizin e ndryshojnë peshë, drejtim, prurje të re, gjase të mirë apo shkallë rreziku për shtetin dhe sërbizmën e tyre.

Por akademikët shqiptarë heshtin. Dhe heshtja tyre (inercie e moteve, ndalesë shteti, shpirtshitje në tezgat e ditës…) është e pakuptimtë. Nëse një i ditur thoshte se heshtja e poetit është një krim, atëherë ç’është heshtja e tyre akademike?

2.
“Nuk pranojmë ide që prekin kufijtë tanë”, do të prononcohej Vjosa në takim me kryediplomatin, poashtu shqiptar, të Maqedonisë.

(Eh, si erdhi koha: me të lutë t’a marrësh gjysmën e Maqedonisë e me thënë jo!)

Por Vjosa s’ka pse t’flasë në emër të Tiranës. Sepse tokat shqiptare të Iliridës do t’i bashkoheshin Shqipërisë e jo Kosovës!

Pokështu, në emër të Tiranës hidhte kartat dhe ish-ministri (B. Reka) tek, joshtar kompromisi, i falte Serbisë korridor jetik për dalje në det! Po në cilin det kështu? Paskësh, vallë, Kosova det e porte të lira për të dhuruar?

Por jo! Ai ofronte korridor për makthëndrrën serbe: ose dalje në Durrës ose vdekje në burgun gjeopolitik! Domethënë i bënte ledhkën ëndrrës së djegur me portin e Shqipërisë!

Po Tirana? A nuk pati zot, por në emër të saj duhej të tregtonte Dhé e Ujë shqiptar mefistoja i Kosovës? Që pastaj, kur do t’rrëzohej në gropë, të citonte në mënyrë komike Skënderbeun: sesi edhe ky, posi Kastrioti, nuk e solli korridorin, por kishte gjetur mes nesh!

K. Blushi shkroi njëherë sugjestivisht bukur: nëse në komunizëm njerëzit, më saktë titullarët politikë, thuhet të kenë patur dy fytyra, këta të demokracisë tani nuk e kanë asnjë. Janë t’paftyrë fare! Ndërkaq autori i udhëhapjes fatale drejt Adriatikut i përket dy kohëve. Një enë ngjyrnaje ku nuk shquhet dot asgjë…

3.
Përse, ndaj, jo vetëm Akademitë shterrëzeza, por as qeveritë e dy shteteve shqiptare nuk ndërtuan një pikëqasje të përbashkët për idenë e Janshës? Oborre të Europës e jashtë saj, shtyjnë përherë interesat e tyre. Të vjetra e të reja. Në pjesën latine, gjermanike a sllave të saj.

Po të kishte një mendim të etabluar dhe një program dinamik kombëtar, as Vjosa tani, nuk do merrte pozicion vetor për kufijtë, e as Reka më herët, nuk do vijëzonte shtegvalët e ngrohta për dhimbjen serbiane të detit të munguar!

Kufijtë, lufta, fizionomia e re gjeopolitike, Ballkan dhe Europë tjetër (siç yshtë të bëj Letra sllovene) nuk është interes politik. As vetëm shtetëror. Është interes kombëtar i shqiptarëve.

Dhe, megjithë stigmën që mori, prapë latimet e fundit nuk i janë bërë akoma Gadishullit ilirik!

 

Të fundit