E martë, 29 Prill, 2025

Ndizet gara për pasardhësin e Merkelit: Laschet apo Baerbock

Besniku i Angela Merkelit, Armin Laschet, i cili që nga janari është në krye të CDU-së, mbështetet tani nga kryesia e partisë edhe si kandidat për kancelar në zgjedhjet parlamentare më 26 shtator, njofton DW.

Nga viti 2012 Armin Laschet është një nga të pesë zëvendëskryetarët e partisë CDU. Katoliku nga zona e Rinit ka qenë gjithmonë partner i besueshëm i drejtuesit/es aktual/e të partisë. Deri në vitin 2018, Angela Merkel dhe pasuesja e saj Annegret Kramp-Karrenbauer mund të mbështeteshin tek zëvendëskryetari i partisë. Kur Merkeli në vitin 2015 u përball me stuhi politike në Gjermani për shkak të politikës ndaj refugjatëve, Laschet mbeti një nga shoqëruesit më besnikë dhe bashkëpunëtor i kancelares.

Laschet i lindur në Aachen e njeh mirë politikën. Para 30 vjetësh ai ka punuar si i ri në ekipin e presidentit të atëhershëm federal. Nga viti 1994-1998 juristi dhe gazetari u bë pjesë e Bundestagut, kurse nga viti 1999-2005 deputet i Parlamentit Europian. Nga viti 2010 Laschet është pjesë e parlamentit Renani-Veriore Vestfali. Aty ai arriti në vitin 2017 të fitojë zgjedhjet e landit dhe krijojë një koalicion me partinë, FDP. Krahas sukseseve, politikanit të CDU-së i është dashur të përballet edhe me dështime, Në vitin 1998 ai humbi mandatin e drejtpërdrejtë në Bundestag, dhe në vitin 2010 humbi përballë Norbert Röttgenit në konkurrencën për postin e kryetarit të CDU-së së landit. Tani 11 vite më vonë Laschet fiton në nivel federal. Armin Laschet mund të presë me durim. Me durim priti ai edhe garën aktuale me Markus Söder, rivali i fortë i tij brenda unionit konservator CDU/CSU për kandidat për kancelar.

Ndërkohë, Annalena Baerbock do të jetë kandidatja për kancelare e partisë ambientaliste „Aleanca 90-të/Të Gjelbërit”. Këtë e komunikoi bashkëkryetari i partisë Robert Habeck në një konferencë shtypi.

Partia ambientaliste drejtohet bashkarisht nga Baerbock dhe Habeck. „Ne të dy deshëm të kandidojmë, por në fund të fundit ka vetëm një kandidat”, tha Habeck.

Juristja Baerbock në fillim të vitit 2018 bashkë me Habeck morën përsipër drejtimin e partisë. Ajo vuri në dukje se vendimi për kandidaturën e saj për kancelare është marrë bashkarisht ditët përpara Pashkëve. „Ne kemi një ide të qartë për postin e kancelarit në Gjermani”, deklaroi ajo. Qëllimi është „të ndryshojmë në vend që të premtojmë”.

“Nuk mund të funksionojë pak mbrojtje e klimës”. Mbrojtja e klimës është detyrë e kohës sonë, „detyra e brezit tim”, tha Baerbock. Kjo duhet të jetë linja orientuese për qeverinë e ardhëshme. Sipas saj Gjermanisë i duhet një fillim i ri. Me të Gjelbërit do të ketë një stil tjetër politik – me njeri-tjetrin dhe jo kundër njeri-tjetrit, deklaroi ajo. Duhet të ketë investime në infrastrukturë dhe digjitalizim. „Të gjitha këto kërkojnë ndryshime.”

Deutschland Kanzlerkandidat der GRÜNEN

Të fundit