Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se sot ka filluar punën trafiku ajror për fluturimet esenciale, të cilat janë fluturimet humanitare, emergjente, shëndetësore, emergjencat, diplomatike, shtetërore dhe ushtarake, njoftoi ATSH, përcjell KDP.
Gjatë një konference për shtyp nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ministrja informoi se fluturimet komerciale nisin nesër në mëngjes.
“Kemi arritur me një përpjekje shumë të madhe të ruajmë sasinë e vaksinave të kontraktuara që duhet të vinin dje dhe u bllokuan për shkak të kësaj greve të paligjshme do të vijnë sot rreth orës 15:00 dhe do të vijojmë shpërndarjen sipas parashikimeve”, deklaroi ministrja.
Sipas saj, për qytetarët që do të jetë e pamundur të kemi fluturime komerciale deri nesër në mëngjes.
“Është duke u punuar për të arritur në një zgjidhje edhe të këtij problemi shumë të madh, që sipas planeve tona do të nisin nesër edhe operimet normale në Rinas për udhëtarët e fluturimeve komerciale, çarterët, etj.”, u shpreh Balluku.
Ministrja Balluku tha se ka qenë një plan i organizuar për të patur një bllokim deri në ditën e fundit të zgjedhjeve, megjithatë janë marrë të gjitha të dhënat në këto momente për të bërë një verifikim edhe më të thellë të kësaj situate dhe për të arritur në konkluzionet e duhura.
“Rëndësi ka që trafiku ajror ka filluar punën dhe ne po e zgjidhim hap pas hapi situatën, për të vënë në funksion dalëngadalë të gjitha njësitë dhe për të kthyer gjithçka në normalitet”, u shpreh Balluku.
Ministrja Balluku e quajti grevë të paligjshme vendimin e disa kontrollorëve për të shpallur paaftësi për punë prej stresit që iu kishte shkaktuar shkurtimi i pagës për shkak të kufizimit të transportit ajror.
Ndryshe, në Shqipëri, për të dytën ditë radhazi fluturimet në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit “Nënë Tereza” kanë mbetur të bllokuara, si pasojë e situatës problematike të krijuar nga vendimi i kontrollorëve ajrorë për të ndërprerë aktivitetin. Për tre kontrollorë sot u njoftua urdhëri i ndalimit.
Dje më shumë se gjysma e kontrollorëve deklaruan “paaftësinë për të punuar në kushte të stresit”. Ky vendim pasoi një mosmarrëveshje gati një vjeçare me drejtuesit e kompanisë Albcontrol për thuajse përgjysmimin e të ardhurave mujore, pas rënies së fluksit të fluturimeve për shkak të pandemisë.
Ministria e Infrastrukturës ngriti padi të mërkurën pasdite ndaj disa prej kontrollorëve, të konsideruar prej saj si “organizatorë të një greve të paligjshme”. Prokuroria e Tiranës nisi që mbrëmë veprimet e para, dhe në polici u shoqëruan të paktën 24 kontrollorë. Ndërsa 21 prej tyre u lanë të lirë gjatë ditës së sotme, për tre të tjerë është nxjerrë një urdhër ndalimi nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Avokati i sindikatës së Transportit ajror, Rezart Kthupi tha se kjo është një akuzë që mund të ngrihet për punonjësit e administratës shtetërore dhe jo të një shoqërie anonime.
Nga ana tjetër autoritetet janë vënë në lëvizje për të zëvendësuar kontrollorët protestues, qoftë dhe me të huaj. Gjatë një mbledhjeje të Komitetit të Mbrojtjes Civile, Ministrisë së Infrastrukturës iu kërkua që “të marrë masat e nevojshme për të bërë operacional kontrollin e trafikut ajror, qoftë edhe duke zëvendësuar, nëse lind nevoja, kontrollorët e larguar me kontrollorë të rinj vendas ose të huaj”. Po ashtu kjo ministri “u ngarkua të përcaktojë kriteret minimale të licencës sipas standardeve ndërkombëtare si dhe çdo kriter tjetër të nevojshëm për të filluar fluturimet sa më parë”, ndërsa “Autoriteti i Aviacionit Civil u ngarkua të marrë të gjitha masat e nevojshme për rifillimin gradual të operimit ajror dhe në rast nevoje, të liçensojë në mënyrë të përshpejtuar kontrollorët e trafikut ajror në përputhje me urdhrin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë”.