Ishte zgjedhur si e 99ta në listën e PDK, por sot kaloi në VV. Kush është Adelina Grainca? Rebele apo tradhëtare e votuesit të saj?
Ajo është vetëm 23 vjeçare, por pas vetës ka një përvojë të sukseeshme si ndërmarrëse e re, kanë shkruar mediat kosovare, përcjell KDP.
Adelina Grainca ka kryer studimet në Rochester Institute of Technology (Universiteti Amerikan në Kosovë) dhe ishte kandidatja më e re për deputete në listën e Partisë Demokratike të Kosovës.
Grainca mbante numrin 99 në këtë listë dhe thoshte se gara për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit është e re për të, por se ka vullnet që të punojë shumë dhe ndershëm.
“Kam vendosur t’i hyj garës për deputete në Parlamentin e Kosovës. Jam e nderuar që jam pjesë e Listës së Rimëkëmbjes, të Partisë Demokratike të Kosovës. Në këtë listë, unë kam numrin 99. Në vitin e fundit, shteti ynë është përballur me situata jo të lehta, të cilat e kanë rënduar ekonominë tonë dhe perspektiven e shtetit tonë. Studimet dhe përvoja ime në fushën e ekonomisë më kanë dhënë mundësi që ta njoh më mirë vendin tonë, potencialin që ka dhe sfidat që i dalin rrugës”, ka shkruar ajo në faqen e saj në Facebook.
Adelina Grainca thoshte se Kosova ka nevojë për rimëkëmbje në shumë sektorë, në ekonomi, në shëndetësi, në arsim, në sundimin e ligjit dhe në politikën e jashtme, ndërsa pohon se PDK ka programin dhe ekipin më të mirë qe ta kthejë Kosovën në rrugën e duhur.
“Ju ftoj të gjithëve që të na bashkoheni në këtë qëllim”, thotë ajo. Grainca është Drejtoreshë e Kompanisë GZ Group në Ferizaj që merret me prodhimin e dyerve dhe dritareve.
Aktualisht ajo është studente në nivelin master për Shkenca në Studime Profesionale me përqendrim në Parashikim Strategjik dhe Inovacion në Rochester Institute of Technology në Kosovë.
Po në të njejtin universitet, ajo ka përfunduar studimet bachelor për Shkenca dhe Arte të Aplikuara me përqendrim ne Politika Publike, Menaxhment dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Grainca ka një serë trajnimesh në Kosovë, por edhe në jashtë vendit, si në ekonomi, politika sociale dhe marrëdhenie ndërkombetare.