Dy gjendje të perhershme na grishin mizorisht të jemi pjesë e tyre. Në njërën anë shfaqet fytyra arrogante e politikës së tranzicionit të përjetshëm e të kontrolluar në përpikmëri dhe në anën tjetër shfaqet fytyra e një katandisjeje plebeje, e cila me jo më pak arrogancë na grishë të jemi pjesë e ekstazave të improvizuara, e ” derdhjes së helmit që nuk e kanë në zemër”, siç thotë një varg i Shekspirit. Mbrothësia nuk duket asgjëkundi
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Gjithandej kërkohet mobilizim. Çdo normalitet gjykohet në emër të kërleshjeve që nuk ndryshojnë në esencë, por që ndryshojnë vetëm për nga maska që kanë vënë. Kush më mirë se Cioran mund ta definojë më mirë këtë betejë të mefshtë ideologjike.
“Ata që bëhen pjesë të një partie mendojnë se dallohen nga ata që bëjnë
pjesë tek një tjetër, teksa, të gjithë, që në çastin që zgjedhin, në thellësi bashkohen me njëri-tjetrin, bëhen
pjesë e të njëjtës natyrë, ndryshojnë vetëm në dukje, nga maska që vënë”, thotë Cioran.
Në improvizimin e madh gjithçka është e lejueshme. Gjithçka matet me tabore dhe me decibela ideologjie. Secili flet në emër të popullit thua kanë mbajtur referndum dhe tashmë e kanë vulën e gjykimit përfundimtar. Hapësirë e stërkequr politike dhe demokratike. Shfytyrim i vlerave të lirisë në emër të një totalitarizmi abstrakt që shfaqet me njëqind fytyra. A ka fund kjo maskaradë dhe kjo golgotë arrogance dhe mendjemadhësie boshe?
Mbase një ditë mund të zgjohemi në një tjetër univers lirie me më pak protagonizëm të shpifur politik dhe ideologjik dhe me më tepër shpirtra kreativ që do ta humanizojnë pretendimin për të qenë pjesë e një ekzistence normale, e një bote që mbrun dhe laton thellësisht esencat njerëzore.