A po shkon “beteja” mes Mexhitit dhe Grubit përtej deklarimeve të “buta” se gjithçka është në kuadër të demokracisë së brendshme dhe mendimit ndryshe brenda partisë?
KDP
Ajo që mendohej të jetë një “lojë” brendapartiake duket se tashmë ka “shpërthyer” në një përplasje mes dy figurave brenda BDI-së, Izet Mexhitit dhe Artan Grupit. Fijet e kësaj përplasje shkojnë disa muaj më herët, ndërkohë që ditëve të fundit mes tyre janë shkëmbyer prononcime të nënkuptuara, të cilat duket se shkojnë përtej deklarimeve të “buta” se gjithçka është në kaudër të demokracisë së brendshme dhe mendimit ndryshe brenda BDI-së.
Përkundër faktit që lideri i kësaj partie, Ali Ahmeti, ishte përpjekur që t’i qetësojë “gjakrat” në një mbledhje të kryesisë, duke theksuar se gjithçka është sqaruar, qoftë edhe nëse ka pasur ndonjë hatërmbetje, duket se përplasjet mes dy figurave që përfaqësojnë pozicione të forta brenda partisë ka vazhduar edhe gjatë këtyre ditëve. Ahmeti, si edhe më herët, pas kësaj mbledhje të kryesisë, kishte theksuar se është për mendim ndryshe brenda partisë dhe se gjatë tërë kohës vetë e ka stimuluar demokracinë brenda partisë.
Por, duket se edhe pas këtij momenti që dukej se po sillte “paqen” të vendosur nga autoriteti i liderit të partisë, Ali Ahmeti, përplasjet janë thelluar sërish, ndërkohë që prononcimet e dy figurave partiake, Mexhitit dhe Grubit, po vijnë me intensitet të shtuar, duke hapur kështu një betejë, e cila duket se më tepër konsiston në forcimin e pozicioneve të partisë, por që mund lehtësisht të kalojë në një polarizimin të papajtueshëm. Pavarësisht faktit se të dy thirren në BDI-në dhe në figurën e pazëvendësueshme të liderit Ahmeti në parti, goditjet e përditshme “strategjike” mbeten të pranishme dhe tash për tash duket se nuk do të ndalen.
Mexhiti tashë ka dhënë dorëheqje si koordinator i grupit parlamentar të BDI-së, me arsyetimin që në thelb nënkupton lirinë për t’i mbrojtur qëndrimet e veta që realisht janë kritika në drejtim të Grubit. Në një paraqitje televizive, Mexhiti kishte hedhur akuza ndaj Grubit se ka marrë të gjitha pozitat e partisë dhe se De facto ai është veçmë kryetari i partisë. Ai ka theksuar se një nga përplasjet brenda partisë janë edhe përplasjet për mosrealizimin e asnjë prej premtimeve në 100 ditët e para. Sipas tij, zëvendëskryeministri Grubi, ka shumë pushtet dhe pak përgjegjësi .
“Prej jashtë mund ta them që Artan Grubi është lideri De facto, me shumë pushtet i partisë. I stërngarkuar me pozita. Këto nuk janë vetëm qëndrime personale, por janë qëndrime nga votuesit tanë, nga strukturat e partisë, nga baza. Një ndër përplasjet në parti ka qenë edhe premtimet që nuk u realizuan aspak dhe ne nuk mund të presim kryeministrin shqiptar 100 ditës t’i përmbush ato dështime. Nuk është realizuar asnjë premtim, përveç lëvizjes së administratorëve. Grubi si zëvendëskryemistër nuk ka iniciuar asnjë iniciativë”, ka theksuar Mexhiti.
Në ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi e ka komentuari deklaratën e bashkë partiakut të tij Izet Mexhiti. Ai ka theksuar se në BDI demokracia e mirëfilltë dhe shprehja e lirë e fjalës janë vlerë e shtuar, ndërkohë që e ka porositur Mexhitin që debatin të mos e shndërroj në telenovelë publike.
“Demokracia e mirëfilltë dhe shprehja e fjalës së lirë është një vlerë e shtuar në kuadër të BDI-së, por kur shprehet në kuadër të organeve partiake dhe jo të shndërrimit të saj në një telenovelë publike. Gjithsesi përkrah kritikën përkrah sugjerimet për punë më të madhe por ftoj që bashkërisht të ulemi dhe të diskutojmë se si mund të bëjmë punë më të mira për qytetarët, sepse të gjitha diskutime në publik në një formë pa fund nuk i ndihmojnë qytetarit dhe nuk janë në interes të qytetarëve. Ne nuk kemi marrë mandat askush për të mos punuar për qytetarët, por përkundrazi duhet të angazhohemi bashkërisht që t’ju dalim në ndihmë qytetarëve dhe të kryejmë projektet dhe fjalën e dhënë”, ka theksuar Grubi.
Ndërkohë që në opinion është menduar se kjo përplasje mund të jetë një lojë, Mexhiti i ftuar në “Programi 200”, ka mohuar zërat se përplasjet brenda BDI-së janë një lojë për të tërhequr vëmendjen e opinionit. Sipas tij këto janë zëra të opozitës, dhe se e vërteta është se ai ka shprehur mendimin e tij ndryshe, gjë që në BDI vlerësohet si vlerë e shtuar.
“A është lojë apo është e vërtetë, unë e them me plotë përgjegjësi që është e vërtetë dhe nuk pretendoj se gjithkush do e besoj këtë, fundi fundit opozitës askush nuk ia ndalon hapësirën për të vepruar si opozitë, ata kanë punën e vetë, unë flas këtu për BDI-në. Është e vërtet se javën e kaluar kur u mbajt kryesia qendrore u tha se janë bisedua dhe shtjellua temat. Varësisht prej percepcionit a e shohim këtë si problem apo si një vlerë e shtuar brenda BDI-së. Sepse aty ku ka debat, aty ku ka përplasje të argumenteve dhe përplasje të koncepteve është edhe progresi. Unë mendoj se zoti Ahmeti mendimin ndryshe, ashtu siç e tha edhe në publik e vlerëson si një vlerë e shtuar e BDI-së”, ka theksuar nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti.
Pikërisht edhe në letrën për dorëheqjen e tij si koordinator i grupit parlamentar të BDI-së drejtuar kryetarit të parlamentit Talat Xhaferit, Mexhiti i ka theksuar tonet e kundërshtimit të tij brenda partisë, duke vënë në pah se “mendimi ndryshe është më se i shëndoshë për një shoqëri demokratike ndërsa forca e zërit të shumicës elektorale është determinant kryesor i konceptualitetit të demokracisë dhe atë në të gjitha nivelet”.
“Për këtë shkak, duke qëndruar denjësisht pas këtyre principeve kredibile, duke mbetur fuqishëm pas qëndrimeve personale, tani më shpesh të shprehura në opinion, se në subjektin të cilit i përkas prej në ditët e para të themelimit të tij si, po ndodhin zhvillime të cilat në asnjë mënyrë nuk mund të jenë në favor të forcës më të madhe politike të shqiptarëve të RMV-së dhe që është edhe më e rëndësishme, as në favor të liderit të pakontestueshëm të shqiptarëve , kryetarit z. Ali Ahmeti, si dhe duke dëshiruar mos krijimin e hutisë edhe tek ndonjë kolegë i im në Kuvend, e nga ana tjetër, me intencë të dhënjës së hapësirës veprimit tim për elaborim më të dënj të qëndrimit pas të cilit fuqishëm qëndroj, ju informoj se tërhiqem nga pozita e koordinatorit të grupit parlamentar të BDI-së”, thekson Mexhiti në këtë letër.
Zëvendëskryeministri Artan Grubi gjatë komentimit të vendimit të Izet Mexhiti për dorëheqje nga posti i koordinatorit të grupit parlamentar të BDI-së, ka theksuar se tha ai është vendim personal i tij dhe se ai e respekton atë. “Në mbledhjen e fundit konsultative të organeve partiake u zotuam dhe u morëm vesh që të mbështesim politikat e BDI-së. Pas asaj mbledhje ishte vetë kreu i BDI-së Ali Ahmeti i cili tha se të gjitha çështjet janë zgjidhur dhe unë nuk kam se çfarë të shtoj pas asaj deklarate”, ka theksuar Grubi.
Ndërkohë, pas dorëheqjes së deputetit Izet Mexhiti nga detyra e Koordinatorit të Grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, deputetët e BDI-së kanë zgjedhur që këtë detyra tani e tutje ta bartë deputeti Arbër Ademi, njëherit edhe kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane.
Raportohet se deputetët e BDI-së kanë qenë unik në përzgjedhjen e Ademit për koordinator dhe se pas këtij propozimi qëndron edhe firma e Izet Mexhitit dhe deputetëve të tjerë përfshirë edhe firma e kreut të BDI-së, Ali Ahmetit.
Shëkndijat e para të përlasjes së Mexhitit dhe Grupit vijnë që më herët. Para më shumë se një muaj, Mexhiti e kishte kërcënuar me interpelancë bashkëpartiakun e tij zv.kryeministrin Artan Grubin, nëse ai nuk i mban premtimet dhe nuk iu përgjigjet pyetjeve të deputetëve.
Pikërisht, që nga ky moment, duket se dy figurat e partisë shqiptare në pushtet BDI-së, e nisën betejën e brendshme partiake që mendohet të jetë për pozicionime të brendshme, por që me prononcimet e fundit duket se mund të rrëshqasë në një polarizim shumë më të thellë brenda partisë.