E shtunë, 18 Maj, 2024

RRITEN INFEKTIMET, VENDOSET ORË POLICORE

Qeveria ka miratuar rekomandimin për vendosjen e orës policore, e cila do të fillojë nga ora 22:00 deri më 05:00. Ky vendim do të fillojë të zbatohet nga nesër dhe deri më 22 mars. Ministri Filipçe ka theksuar se ora policore vendoset për shkak të përhapjes dramatike të variantit britanik të virusit korona. Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Carovska ka theksuar se gjendja në shkolla është stabile

 KDP

Kryeministri Zoran Zaev njoftoi, se Qeveria e ka miratuar rekomandimin e Komisionit për sëmundje ngjitëse, dhe nga nesër, 10 mars 2021 në tërë territorin e vendit do të fillojë ora policore në kohëzgjatje prej 7 orësh. Ora policore do vazhdojë deri më 22 mars, kur pritet të vendoset se si do të vazhdohet mëtej.

“Qeveria ka sjellë vendim dhe ajo është vënia e orës policore nga ora 22:00 deri në 5 të mëngjesit, duke filluar nga nesër në ora 22, 10 mars 2021, deri më 12 mars. Do ta ndjekim këtë proces, por sigurisht e kemi parasysh se në prill fillon agjërimi i Ramazanit dhe vijojnë edhe festa të tjera. Vendimi ka rol preventiv, për shkak të rritjes së rasteve pozitive nga Covid-19”, ka theksuar Zaev

Situata me pandeminë në dhjetë ditët e fundit shënon përkeqësim. Ndërkohë ka një rritje të numrit të infektuarve në Maqedoninë e Veriut. Kjo ka bërë që autoritetet brenda ditëve të fundit të flasin për vendosjen e orës policore, si një preventivë për rritjen e mëtejshme të numrit të të infektuarve. Autoritet shëndetësore kanë theksuar se virusi britanik po merr përmasa shqetësuese në Maqedoninë e Veriut. Ata kanë rekomanduar orë policore që do të zgjasë dy javë.

Shkaku i masave të këtilla shtrënguese janë të rinjtë, që tubohen gjatë natës, kurse nuk mbajnë maska dhe janë shpërndarës të virusit, ka vlerësuar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

“Psikologjikisht ndoshta ndikon tek njerëzit, por kërkoj mirëkuptim dhe mbështetje. Kjo është në interes të mbrojtjes së shëndetit publik me qëllim të amortizimit të kësaj vale. Qëllimi është të zvogëlohet lëvizja në orët e natës pas mbylljes së lokaleve. Jemi dëshmitarë se të rinjtë tubohen gjatë natës në sipërfaqet publike, nuk mbajnë maska dhe është e qartë se virusi britanik që gjithnjë e më shumë është prezent tek ne – mbi 70%, është duke e bërë të veten” ka deklaruar Ministri Filipçe

Në ndërkohë për këtë situatë është prononcuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili ka theksuar se më mirë është të vendoset orë policore se sa kolaps në sistemin e shëndetësisë.

Është më mirë të kemi masa kufizuese për një kohë të shkurtër, sesa të kemi mbingarkesë të plotë në sistemin shëndetësor, ka theksuar Spasovski.

“Vendimet që duhet të marrim, askush nuk i dëshiron, por ato janë rezultat i sjelljes së të gjithë neve. Nëse nuk ndjekim rekomandimet, nëse nuk mbajmë maskë mbrojtëse, nëse grupohemi dhe bëjmë ahengje, sigurisht që nënkuptojnë përhapjen e virusit, atëherë shteti duhet të reagojë në një moment”, ka theksuar Spasovski.

Gjithë kjo situatë ka shtruar dilema edhe për mbajtjen e procesit mësimor për ciklet që vazhdojnë me prani fizike. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska ka theksuar se gjendja në shkolla është stabile.

Edhe pse kemi rritje të rasteve pozitive nga Covid-19 dhe propozohet orë policore, sërish gjendja në shkolla sipas ministres së Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska është stabile. “Të gjitha protokollet janë duke u zbatuar. Nuk kemi shpërndarje të brendshme të sëmundjes, kështu që është stabile”, ka theksuar Carovska. Ajo ka bërë të ditur se tani për tani nuk mendohet për masa shtesë në shkolla.

Të fundit