E premte, 21 Mars, 2025

THEMELIMI I BASHKËSISË SELEFISTE NGJALL REAGIME

Themelimi i Bashkësisë Fetare Selefiste në Maqedoninë e Veriut nga BFI është parë si tentim për paralelizëm. Brenda kohës ka reaguar kryeministri Zaev, i cili ka theksuar se është informuar nga ministri i drejtësisë sipas të cilit themelimi i një bashkësie të tillë paraqet problem për sigurinë. Ndërkohë që Bashkësia e re ende nuk ka dalë me ndonjë deklaratë zyrtare

KDP

Themelimi i Bashkësisë Fetare Selefiste në Maqedoninë e Veriut ka ngjallur reagime. Përveç Bashkësisë Fetare Islame, ndërkohë ka reaguar edhe kryeminsitri, Zoran Zaev.  Themelimi i Bashkësisë Fetare Selefiste në Maqedoninë e Veriut është problem për sigurinë e shtetit, e ka informuar ministri i Drejtësisë, kryeministrin Zoran Zaev.

“Jam i informuar nga ministri Drejtësisë, se një gjykatë e caktuar e jona ka bërë regjistrimin e  Bashkësisë së tillë e cila nga aspekti i sigurisë së shtetit është problem. Besoj që vetë organet kompetente do të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve të tilla”, ka theksuar Zaev.

Bashkësia e re është regjistruar në Gjykatën Themelore Shkupi 2 dhe mban vulën e gjykatëses Suzana Donçevska. Nga Bashkësia Fetare Islame e aktin e tillë e kanë cilësuar si të jashtëligjshëm, pasi siç vlerësojnë, Ligji nuk lejon që të themelohen dy Bashkësi Fetare.Ndërkaq kanë ftuar besimtarët mysliman që të mos bien pre e manipulimeve nga bashkësia.

Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së në mbledhjen e rregullt me në krye Reis Ulemanë e BFI-së Hfz. Shaqir ef. Fetain, ka shqyrtuar zhvillimet e fundit, gjegjësisht regjistrimin e të ashtuquajturës Bashkësia Islame Selefiste Dar el Hadith

“Me indinjatë të thellë reagojmë kundër Gjykatës Themelore Shkupi 2 – Shkup, e cila ka regjistruar këtë gjoja bashkësi fetare, vendim që mban vulën e gjykatëses Suzana Donçevska. Ky akt është i turpshëm dhe shumë i dëmshëm për unitetin e muslimanëve të Maqedonisë së Veriut dhe si i tillë është tentim për paralelizëm institucionit kushtetutar të Bashkësisë Fetare Islame”, thuhet nga BFI.

Aktin e gjykatëses Donçevska, BFI, e llogarit si tendencioz. Me këtë akt, thuhet në reagim, ajo ka shkelur jo vetëm ligjin për pozitën juridike të kishës, bashkësive fetare dhe grupeve religjioze, por ka shkelur edhe praktikën juridike që për çdo themelim të bashkësive fetare mendim duhet të japin 5 bashkësitë kushtetutare të MV.

Në reagim bëhet e ditur se Bashkësia Fetare Islame prej momentit të parë i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe duke e gjykuar ashpër këtë vendim njoftoi të gjitha instancat shtetërore duke filluar nga Presidenti i Shtetit, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri si dhe faktorin ndërkombëtar në vend;

“Apelojmë te të gjithë besimtarët tanë në RMV dhe bashkatdhetarët tanë në Evropë e gjetiu, mos të bien në grackën dhe kthetrat e bashkësisë së themeluar nga Donçevska dhe me bindje të paluhatshme u tregojmë se kjo bashkësi është pjellë e strukturave dashakeqe në vend për ta dëmtuar thellë unitetin e muslimanëve të Maqedonisë së Veriut dhe Bashkësinë Fetare Islame në veçanti”, thuhet në reagimin e BFI-së.

Sa i takon Bashkësisë së re Selefiste ende nuk ka asnjë profil zyrtar në ndonjë media sociale apo ndonjë deklaratë, përpos disa fotografive apo dokumenteve që qarkullojnë në publik.

Vendimi e mban nënshkrimin e gjykatëses Suzana Donçevska, e cila edhe më herët kishte sjellur vendim për emërimin antiligjor të Skender Buzakut për kryetar të BFI-së, në kundërshtim me Kushtetutën e këtij institucioni.

Të fundit