E shtunë, 27 Korrik, 2024

A DO TË REFLEKTOJË FITORJA E VETËVENDOSJES NË SHKUP E TIRANË?

Kurti si kryeministër do të tentojë të tregohet konstruktiv në raport me fqinjët dhe ta kanalizojë energjinë në dialogun me Serbinë. Si bartës i pushtetit ai nuk do të dëshirojë probleme shtesë, që mund të burojnë nga Tirana apo Tetova e Shkupi shkaku i ndërhyrjes në terrenin politik të vendeve fqinje. Prania politike e Kurtit jashtë kufijve të Kosovës për vite me radhë duket se ka pasur për qëllim forcimin e tij në politikën e brendshme të Kosovës.  Më 14 shkurt ia arriti qëllimit.

 

Autor: Xhelal Neziri

 

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në gusht të vitit 2020, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti edhe një herë doli me përkrahje të hapur për Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën, të bashkuar në një koalicion parazgjedhor. Në një postim në Facebook, Kurti kritikoi partitë tjera shqiptare dhe shkroi: “Prandaj, po më pëlqen që të gjithë po përshëndesni, bashkë me miqtë e mi, Zijadin Selën e Afrim Gashin, duke zgjatur pesë gishtat e dorës. E di se e bëni këtë që t´ua kujtoni votuesve numrin pesë, që është numri juaj për zgjedhjet. Le të shpresojmë që kjo dora juaj përshëndetëse të jetë dora e mbarë, të jetë koha për një dorë shqiptare, që punon, që i zgjatet miqësisht kujtdo që dëshiron bashkëpunim me drejtësi, e që i ndal padrejtësitë”. Kjo mbështetje, megjithatë, nuk ishte e mjaftueshme që Sela dhe Gashi të mundin Ali Ahmetin, BDI-ja e të cilit fitoi 15 deputetë, krashi 12 të koalicionit opozitar.

Pesë muaj më pas, Kurti priti Selën dhe Gashin në tubimin e mbajtur në Prizren. Një qytet përplot me simbolikë dhe momente të rëndësishme në kujtesën kolektive të shqiptarëve nga të dyja anët e kufirit. U tha se Sela e Gashi ia kthejnë borxhin Kurtit për përkrahjen në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut. Për dallim nga Sela-Gashi, Kurti në Kosovë fitoi bindshëm. Një fitore historike e VV që shkoi përtej pritshmërive reale. Ky rezultat flet për revoltën në masë nga pabarazia sociale, e shkaktuar nga hazdisja në qeveri e partive kosovare që kishin pushtetin që nga paslufta e këndej. Ishte më shumë një votë ndëshkimi për kastën politike që kujtoi se pjesëmarrja në luftën e 1999 i amneston ndaj çdo veprimi korruptiv, apo figura e Ibrahim Rugovës do të jetë një burim i votave të garantuara, pavarësisht konformizmit të kastës së politikanëve të vjetër.

Sidoqoftë, objekt i kësaj analize është mundësia që fitorja e Vetëvendosjes të reflektohet edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, ku kjo parti ka degë apo aleatë. Derisa në Shqipëri ka kohë që funksionon Qendra e VV në Tiranë, në Shkup ka kohë që paralajmërohet por assesi të hapet dega.

Në përmbyllje të fjalimit me rastin e ditëlindjes së 15-të të Lëvizjes Vetëvendosje në qershor të vitit 20020, Kurti për herë të parë zyrtarisht shpalosi ambiciet që projekti i tij politik të jetë panshqiptar. Në një manifestim publik , që i ngjante një proteste, Kurti paralajmëroi formimin e subjekteve me logon e njëjtë në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Por, që atëherë asgjë konkretisht nuk ka lëvitur në teren, përveç një paralajmërimi për pjesëmarrje simbolike të VV-së së Tiranës në zgjedhjet parlamnetare të prillit të këtij viti.

TENTIMET E DËSHTUARA NË MAQEDONINË E VERIUT

Në fakt, që nga paraqitja e LVV së skenën publike e më pas edhe politike të Kosovës, ky subjekt gjithmonë ka mëtuar të ketë mbështetës dhe militantë edhe jashtë kufirit të shtetit ku është rregjistruar. Kurti është parë shpesh të mbajë takime e protesta në rajonet e banuara me shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, apo të mbështesë lëvizje politike në Shqipëri.

Ai ka përkrahur, madje edhe ka marrë pjesë, në protestat e shqiptarëve etnikë të organizura në Maqedoninë e Veriut para vitit 2016, nga të cilat më pas lindën dy parti të reja – BESA dhe ASH.

Por, ajo që VV mëton të arrijë është instalimi i një lëvizjeje me platformë dhe ideologji të njëjtë si ajo e VV-së  edhe në Maqedoninë e Veriut, e cila do të garonte në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në vitin 2019 profesori universitar Blerim Reka doli kandidat i pavarur për president shteti i RMV, që më pas të përkrahet nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës dhe BESA e Bilall Kasamit. Në fushatën e tij mori pjesë edhe Kurti bashkë me zyrtarë tjerë të lartë të VV. Pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale Reka u transferua në Kosovë, ku gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 2019 ishte krah i djathtë i Kurtit kurse pas zgjedhjeve – ministër për integrime evropiane. Tentimi që Reka t’i bashkojë Selën e Kasamin rreth një Lëvizjeje nën ombrellën e Kurtit si duket dështoi. Tani Gashi ka zëvendësuar Kasamin si partner në koalicionin e Selës, i cili duket se është projekti ku Kurti përpiqet të gjejë praninë e tij.

IDEOLOGJIA DHE SOVRANITETI VESTFALIAN

Por, praktika e deritashme ka dëshmuar se “investimet politike” të Kurtit jashtë Kosovës i kanë sjellë më shumë dëm sesa dobi. Aktivistët e VV në Shqipëri ia përkeqësuan raportet me kryeministrin Edi Rama, kurse në Maqedoninë e Veriut mund t’i hapin telashe me Ali Ahmetin dhe parti tjera. Në planin ndërkombëtar gjithësesi se do të marrë kritika për përzierje apo interferim në punët e brendshme të një shteti tjetër. Aq më tepër kur shtetet moderne perëndimore janë ndërtuar në bazë të modelit të sovranitetit Vestfalian, i cili bazohet në mospërzierje në punët e brendshme të një shteti tjetër. Sovraniteti Vestfalian buron nga Marrëveshja e Vestfalisë, e nënshkruar në vitin 1648, e cila ndali luftërat e gjata e të përgjakshme midis shteteve evropiane. Para kësaj ujdie, shtetet evropiane shfrytëzonin religjionin që të ndikojnë në proceset e brendshme të shteteve tjera, gjë që ka qenë burim i përhershëm i luftërave. Parimi i mosndërhyrjes u zhvillua më tej në shekullin e 18-të, pas formimit të kombeve, arriti kulmin në shekujt 19 dhe 20, por sërish sfidohet nga mbrojtësit e ndërhyrjes humanitare. Ish-diplomati amerikan dhe shkrimtari Henri Kisinxher, në veprën e tij “Rendi botëror”, thotë se shkaku pse shtetet e Lindjes së Mesme dhe ato myslimane në përgjithësi janë në konflikte të përhershme është mungesa e një Paqe Vestfaliane. Këto shtete përdorin identitetin e njëjtë religjioz për të shtrirë ndikimin e tyre te shtetet tjera.

Për këtë arsye, shfrytëzimi i identitetit të njëjtë etnik për ndikime të hapura në një shtet tjetër do t’i sjellë kokëdhimbje shtesë Kurtit si kryeministër. Aq më tepër kur do të duhet të argumentojë mosndërhyrjen e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës, duke përdorur identitetin e njejtë etnik e religjioz të pakicës serbe në veri të vendit.

E vetmja rrugë e shtrirjes së ndikimit jashtë kufijve të Kosovës Kurtit i ngelet ajo ideologjike. Raste të partive transnacionale (tejkufitare) janë të njohura në botë, e sidomos në Evropë, por që për bazë kanë afërsinë ideologjike, e jo atë etnike apo religjioze. Partitë transnacionale janë subjekte politike që kanë anëtarë dhe garojnë në zgjedhje parlamentare në më shumë se një shtet. Partia “Lista per Cipras” (Lista e Ciprasit) në zgjedhjet e fundit në Itali fitoi dy deputet, ndërkohë që është themeluar me mbështetjen e partisë greke SYRIZA të ish-kryeministrit të Greqisë, Aleksis Cipras. Katër parti të Irlandës – Partia e Gjelbërt, Shin Fejn, Populli para profitit dhe Partia Punëtore – janë parti që njëkohsisht garojnë edhe për Parlamentin e Irlandës së Veriut, si shtet që është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.

Në nivel të zgjedhjeve për Parlamentin e Bashkimit Evropian (BE) ka gjithsej 11 parti politike evropiane të organizuara në bazë të vlerave që përfaqësojnë e që burojnë nga profilizimi ideologjik i grupeve politike në 28 vendet anëtare të Unionit. Jehona e lartë e daljes në zgjedhjet e fundit parlamentare të BE-së ka inkurajuar edhe më shumë formimin e partive transnacionale. Në nivel global funksionon partia transnacionale Shoqëria e Vllezërisë Muslimane, apo e njohur vetëm si “Vëllezëria Muslimane”, e cila mëton ta jetësojë demokracinë në një ambient me religjionin, gjë që nuk është realitet në vendet demokratike perëndimore.

Kjo rrugë e shpie Kurtin të bashkëpunojë me PS-në e Ramës në Shqipëri, kurse në Maqedoninë e Veriut të mos vazhdojë partneritetin me Selën dhe Gashin, partitë e të cilëve janë profilizuar si të djathta. Te shqiptarët etnikë në këtë vend nuk ka parti me profilizime të qarta, ndërsa te maqedonasit etnikë janë LSDM-ja e kryeministrit Zoran Zaev dhe “Levica” e Dimitar Apasiev. Kjo e fundit shihet si e majtë radikale pasi promovon qëndrime anti-NATO dhe anti-BE.

Si përfundim, Kurti si kryeministër do të tentojë të tregohet konstruktiv në raport me fqinjët dhe ta kanalizojë energjinë në dialogun me Serbinë. Si bartës i pushtetit ai nuk do të dëshirojë probleme shtesë, që mund të burojnë nga Tirana apo Tetova e Shkupi shkaku i ndërhyrjes në terrenin politik të vendeve fqinje. Prania politike e Kurtit jashtë kufijve të Kosovës për vite me radhë duket se ka pasur për qëllim forcimin e tij në politikën e brendshme të Kosovës.  Më 14 shkurt ia arriti qëllimit.

 

 

 

 

 

 

Të fundit