E mërkurë, 19 Mars, 2025

Pse po zhgënjejnë Basha dhe Kryemadhi ?!

Dy partitë më të mëdha të opozitës po i afrohen 25 prillit duke ndjekur rrugën më tinzare të mundshme ndaj shumicës së shqiptarëve që kërkon largimin e këtij regjimi. Sot, tre muaj para zgjedhjeve, ende askush nuk e di zyrtarisht nëse PD, LSI dhe partitë e tjera do të garojnë me një front të përbashkët, me lista të ndara, apo sikurse thuhet aty këtu, në disa qarqe veç dhe në disa të tjera bashkë.

Përpara opozitës së bashkuar u shfaqën dy dilema, që kur Edi Rama organizoi një puç kushtetues në bashkëpunim me sharlatanët e blerë në parlament, për të penguar koalicionet mes partive kundërshtare.

I pari qe futja në një listë të vetme e PD me LSI-në e cila mund të maksimalizonte numerikisht votën, por përmbante riskun e zhgënjimit të dy elektorateve të veçanta, që nuk është se ushqejnë ndonjë dashuri të pakusht ndaj njëri-tjetrit.

Versioni i dytë ishte që të dalin në zgjedhje, secili me siglën e vet, duke kënaqur fanatikët e partive, duke nxjerrë avantazhe nga dyfishimi i kandidatëve në terren (me dy lista dublohet numri i njerëzve që kërkojnë vota për çdo qark), por edhe me një paradoks të madh: duke bërë fiks atë që kërkoi Edi Rama, përçarjen taktike të opozitës dhe mos përfitimin numerik që jep sistemi, për ata që i mbledhin votat në një thes.

Që ky ka qenë një synim i mirë përcaktuar i Ramës këtë e tregon edhe mënyra se si ai veproi në vitin 2017, e dëshmon pabesia e prishjes së marrëveshjes së 5 qershorit, por edhe forma sesi i nxjerrin sondazhet lakejtë e vet mediatikë, që predikojnë se PD – LSI humbasin po dolën të bashkuar.

Lapsi.al

Të fundit