(Mbi krijimtarinë artistike të piktorit Nevzat Bejtuli – Kica)
Autor: Salajdin SALIHU
Hyrje
Piktura është poezi e heshtur, kurse poezia është pikturë që flet, thotë poeti i lashtë Simonidi. Poetët janë frymëzuar nga piktura dhe piktorët janë frymëzuar nga letërsia.
Frymëzimet dhe ndikimet e ndërsjella ndërmjet poetëve dhe piktorëve janë të zakonshme në historinë kulturore të botës dhe kanë ndodhur përgjatë gjithë epokave kulturore. Artet janë në koalicion të përhershëm dhe japin e marrin mes vete.
Poezia e heshtur dhe piktura që flet janë bërë shkaku i miqësisë shumëvjeçare me piktorin Nevzat Bejtuli – Kica.
Kjo miqësi na ka pasuruar shpirtërisht dhe falë saj kam mundur ta ndjek procesin krijues të Kicës, duke përfshirë fazat “parapërgatitore”. Pra fazës kur, siç thotë Kishi, nga kaosi dhe magma e botës lind vepra artistike. Lind kozmosi apo harmonia nga kaosi apo anarkia.
Kica para se ta krijojë një cikël të ri artistik, gjurmon dhe mendon gjatë. Ai përballet me demonët e dilemave, që janë pjesë e pandashme e jetës së një krijuesi.
Kica beson se artisti, para çdo projekti të ri artistik, duhet së pari ta shkruajë një ese për vetveten, njëkohësisht të kërkojë një shkas, një nxitje, qoftë duke shëtitur, duke biseduar, duke lexuar, duke dëgjuar muzikë, duke parë një film, një shfaqje teatrore apo duke qëndruar në kafene.
Artisti duhet të jetojë me atë që ka ndërmend ta krijojë.
Kica investon shumë mund në gjetjen e temës dhe pasi e kristalizon në mendjen e tij fillon me procesin krijues.
Gjatë kërkimit artistik arrin të filtrojë të vlefshmen nga e tepërta, sepse një vepër artistike, sipas këndvështrimit të tij, duhet të përmbajë vetëm elemente që janë në funksion të saj. Vepra artistike duhet të prek në thelbin e gjërave.
Kica çdo temë që e trajton në krijimtarinë e tij synon ta sheh nga këndvështrimi personal. Para se ta krijojë botën e përfytyruar nëpërmjet “instrumenteve” të artit pamor, i studion këndvështrimet e ndryshme mbi të njëjtën temë dhe synon të sjellë diçka të veçantë, qoftë nëpërmjet kombinimit të ngjyrave, qoftë nëpërmjet këndvështrimi artistik.
Si shembull: Nëse Noli ishte realisti në paraqitjen e historisë së Skënderbeut, Barleti ishte më subjektiv, më glorifikues në paraqitjen e bëmave të prijësit mesjetar shqiptar, sepse distanca nga ngjarja është shumë më e vogël dhe emocioni më i madh.
Barleti është më subjektiv, më glorifikuese, në paraqitjen e bëmave të prijësit mesjetar shqiptar, sepse distanca nga ngjarja është shumë më e vogël dhe emocioni më i madh.
Kica, pasi i ka studiuar dy këndvështrimet, e krijon këndvështrimin e tij. Atij më shumë se sa historia i intereson paraqitja artistike e një fragmenti të historisë. Dhe arti, sipas tij, duhet të prek ndjenjat e receptuesit të çdo kohe dhe çdo vendi.
Kica i beson Stendalit, sipas të cilit secili e do këngën e zogut edhe pse askush nuk e kupton atë.
Në këtë vijë mund të themi se edhe “interpretimi” i artit të Kicës është mision pothuajse i pamundur.
Duke shkruar për vepra artistike e kthejmë vëmendjen tek ato, por duhet ta kemi parasysh se arti është i painterpretueshëm dhe i paimitueshëm.
Shumëkush ka tentuar ta kopjojë Monalizën, por nuk ka arritur ta kopjojë buzëqeshjen misterioze.
Për veprat artistike duhet të flasim me dashuri.
Gotthold Ephraim Lessing ka thënë se “pikturojmë me sytë e dashurisë, prandaj piktura duhet të vlerësohet vetëm sy të dashurisë”.
Në kontekst të krijimtarisë së Kicës mund të themi se ajo mund të vlerësohet pasi ta kemi parë me syrin e dashurisë. Kjo vepër së pari duhet të përjetohet dhe pastaj mund të flasim për përjetimet tona, ndonëse kjo është shumë e vështirë.
Tentimit për ta interpretuar një vepër artistike me diskurs të zakonshëm i shkojnë fjalët e Naim Frashërit: “E ku shkruhen në kartë fjalët e gjuhës së zjarrtë”.
Si mund të flasësh për djegien pa e përjetuar atë?
Në këtë sprovë, ku nuk kemi dashur t’i ikim diskursit prej artisti, do të tentojmë të flasim për djegien dhe gjithçka që mbetet pas saj.
Do të flasim për veprën e Kicës, pa pretendimin se kemi thënë gjithçka, por me shpresën se kemi thënë diçka.
Procesi i krijimit të një vepre artistike mund të krahasohet me përpjekjet e plakut Santiago të veprës Plaku dhe deti të Heminguejt, i cili në breg arrin ta nxjerr vetëm skeletin e një krijese të bukur, të cilën e ka parë të plotë vetëm ai.
Jetëshkrimi
Nevzat Bejtuli – Kica ka lindur në vitin 1962 në fshatin Gjurgjevisht të Gostivarit. Aty e ka filluar shkollën fillore, të cilën, bashkë me shkollën e mesme, e ka kryer në Visoko të Bosnjë e Hercegovinës. Akademinë e Arteve të Bukura e ka kryer në Shkup, në vitin 1993, kurse studimet pasuniversitare në Prishtinë, në klasën e Rexhep Ferrit, më 2002.
Disa vite ai ka punuar si mësimdhënës i artit figurativ në Gjimnazin e Tetovës, kurse nga themelimi i Universitetit të Tetovës është angazhuar si pedagog. Në Fakultetin e Arteve e ligjëron lëndën Nudo, Kërkimi dhe studimi i trupit të njeriut në art figurativ. Ka thirrjen më të lartë akademike – profesor ordinar.
Për qëllime studimore ka qëndruar në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Mobius Club, tetor, 2000) dhe në Paris të Francës (Cite Internationale des Arts, prill – maj 2004).
Ka marrë pjesë në shumë seminare e koloni artistike në Maqedoninë e Veriut dhe jashtë saj. Ka hapur ekspozita personale jashtë vendit, në SHBA, Paris, Itali, Austri, Bosnjë etj.
Disa nga ekspozitat personale janë: “La mirage”, Gostivar (1994), Qendra Kulturore në Shkup (2000), Qendra Kulturore në Tetovë (bashkë me Ambasadën Franceze, 2000), Boston (2000), Muzeu i Qytetit të Shkupit (2003), Cite international des Arts, në Paris (2005), Galeria “Vangel Koxhoman” në Strugë (2005), Java kulturore e Maqedonisë në Bari të Italisë (2007), Qendra Kulturore në Shkup (2008), MC Gallery, New York (2009), Komuna e Gablitz-it në Austri (2010), Qendra Kulturore në Tetovë (2020) etj.
Për arritjet krijuese është përfshirë në librin e piktorëve më të mirë, botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (2014).
Për krijimtarinë artistike të tij kanë shkruar shumë autorë.
Kica është vlerësuar me çmimet: “Petar Mazev”, që ndahet nga Asociacioni i Arteve Pamore të Maqedonisë (2006); Blerja e akuarelit nga komuna e Karposhit, në Shkup (2011); çmimi i dytë për modelin e statujës së Nexhat Agollit (2011), realizimi i bustit Max van der Stoel (bashkautorë me Rexhep Memetin, 2011); Artisti i vitit nga Osteni, ekspozita e 42 e Vizatimit në Shkup(2013); “Milingona e Artë” për arritje të vitit (2015); Osten Gold (2015); vendi i dytë në konkursin për mozaikun e sheshit të Shkupit, për herë të dytë (2015), Çmimi Osten për Legacy, Shkup (2018).
Kica gjykon se për një artist çmimet nuk janë vetëm satisfaksion, por edhe përgjegjësi ndaj personaliteteve që e kanë vlerësuar krijimtarinë e tij. Çmimet janë shtim përgjegjësie ndaj punës krijuese.
Fëmija si piktor dhe piktori si vegimtar
Kica ka lindur në një vend të bukur, me njerëz të fisëm, me shumë mite, përralla, legjenda dhe rrëfime për bëma të ndryshme historike.
Në këtë ambient ka piktura të panumërta, që e presin piktorin t’i shfaqë në pëlhurë. Të bukurën në natyrë ta kthejnë në bukuri artistike.
Ky ambient, sipas një reportazhi të Vanko Kanonit, në vitet ’30, dukej “si në agimin e qytetërimit”.
Ky vend është depozituar në kujtimet dhe ëndrrat e piktorit.
Kur shkruajmë për personalitetin e një krijuesi shpesh duhet të kthehemi në fëmijërinë e tij. Thuhet se fëmijëria është prind i personalitetit. Aty mbase duhet ta kërkojmë burimin e pashterur të frymëzimeve të një krijuesi.
Kica beson se obsesioni i tij artistik mbi dyshen njeriu – kali e ka burimin te kjo kohë dhe te kjo hapësirë.
Aty e ka përjetuar jetën baritore, ku, siç thotë poeti Esad Mekuli, përherë na ngjall »mall për t’pambërrijtshëmen«.
Aty e ka përjetuar leximin me llambën e Migjenit. Aty ka krijuar kuptim për shenjën e tokës.
Aty e ka ndjerë kënaqësinë e stinëve.
Aty e ka përjetuar çastin kur njeriu ngel i vetëm me natyrën.
“Guri, të cilin e injoroni, për një çast bëhet faktor komunikimi”, thotë ai.
Këtë botë e ka marrë me vete edhe kur është zhvendosur në Visoko të Bosnjë e Hercegovinës.
Aty ishte shpërngulur në klasën e katërt të fillores, kurse ambienti i ri, në fillim, ia kishte ngjallur ndjenjën e vetmisë dhe braktisjes.
Me kalimin e viteve ky vend ishte bërë vendlindja e tij e dytë.
Aty ra në sy talenti i tij për artin pamor dhe u zgjodh nga mësimdhënësi i artit figurativ si përfaqësues për garat në vizatim.
Aty, nëpërmjet intuitës, u orientua drejt gjuhës universale, gjuhës së imazheve, të cilës nuk i duhet përkthyes.
Pasi nuk e njihte mirë gjuhën e ambientit të ri, botën e tij të brendshme nisi ta shfaqte nëpërmjet vizatimit.
Aty ra në “kontakt” me trendet e reja muzikore, veçanërisht me muzikën rok. Aty, si gjimnazist, nisi të kërkonte një model të ri jetësor.
Aty bota iu shfaq me një pamje tjetër.
Aty e shijoi bukurinë e veprave të artistëve të njohur boshnjakë.
Aty pati privilegjin ta vizitonte atelienë e piktorit të njohur Klepo Mehmed dhe t’i dëgjonte sugjerimet e tij.
Aty e kuptoi se artistin nuk e bën vetëm imagjinata dhe dashuria për artin, por edhe kultura e madhe, e cila fitohet duke jetuar me artin e madh.
Dalëngadalë Bosnja u bë atdheu i frymëzimeve të tij. Kjo botë gjendet në kujtimet dhe në ëndrrat e tij.
Bosnja për të është vendi ku njerëzit e fillojnë ditën me humor. Bosnja është vendi ku nuk honepsen njerëzit fytyrëmrrolët.
Aty u mishërua me jetën e kasabasë, mbushur me përgojime të këndshme.
Në këtë kasaba me xhami, teqe e shatërvanë, nuk mungonte ambienti kulturor dhe vlerësues. Studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Sarajevë, më pas, i mundësuan komunikime me profesorë dhe piktorë të njohur.
Iu dha mundësia të bëhej pjesë e jetës kulturore, të përfitonte dije e përvojë artistike nga piktorët e pedagogët, sikurse: Sadudin Musabegoviq, Ratko Llalliq, Millorad Qoroviq apo nga piktori i njohur Mersad Berber.
“Atdheu” i ri, kështu, ndikoi në formimin e tij personal, kulturor, intelektual e artistik.
Në qytetet boshnjake, para fillimit të luftërave të përgjakshme, vërehej një identitet specifik, falë ngjizjes ndër pikëtakime kombesh, kulturash, gjuhësh e religjionesh të ndryshme.
Bosnja njihet edhe si vend artistësh të mëdhenj dhe adhuruesish të shumtë të artit, veçanërisht të letërsisë dhe arteve pamore.
Kica si qytetar dhe si krijues, e pa në këtë ambient bukurinë e shumëllojshmërisë kulturore. Kjo frymë ishte specifikë e Bosnjës në vitet kur piktori jetoi aty. Madje boshnjakët, sipas Izet Sarajliqit, nuk dinin të urrenin edhe kur kishte filluar lufta.
Ai jetoi për pak kohë në këtë vend edhe kur, sikurse thotë Cvajgu, bota ishte kthyer mijëra vjet pas në planin moral. Pa aty edhe shpërfytyrimin e njeriut nga lufta. Ai nuk ka folur për këto trauma me gjuhë të zakonshme, por nëpërmjet gjuhës së artit. Tmerret dhe dhimbjet që i shkakton lufta i ka universalizuar.
Mite dhe art
Piktori Nevzat Bejtuli joshet nga mitet, si krijime mbresëlënëse që janë sajuar nëpërmjet imagjinatës mahnitëse, që na orientojnë drejt përmasave për të cilët njeriu përgjithmonë ka pasur kureshtje për t’i njohur.
Ernst Bloch thotë se nuk ka art pa një themel mitologjik.
Mitet dhe legjendat përherë e kanë ushqyer oqeanin e fantazisë krijuese, duke filluar nga veprat e para letrare të historisë së njerëzimit.
Kështu ka ndodhur edhe në antikë. Eskili thoshte se të gjithë ishin ushqyer me thërrimet nga tryeza homerike. Këto thërrime vazhdojnë ta ushqejnë artin.
Mitet e kanë “ushqyer” edhe pikturën. Shumë piktura nuk mund të “zbërthehen” pa njohuri
paraprake nga mitologjia.
Artistët herë janë joshur pas detajeve të ndonjë miti, herë e kanë përmbysur atë, duke ia ndryshuar strukturën për qëllime estetike.
Miti si produkt kulturor, i krijuar në kohën përrallore të njerëzimit, është burim frymëzimi për Kicën.
Ai i ripërmason mitet ose legjendat e ndryshme, duke i vënë në funksion të krijimtarisë dl tij artistike, por assesi të ndonjë propagande – një dukuri shumë e shprehur në hapësirën ballkanike.
Kica “huazon” prej historisë dhe mitologjisë, por nuk i shfrytëzon si mademe prej ku shpesh nxirret “material” i urrejtjes.
Aty e kërkon të bukurën, humanen, të fismen, që në krijimtarinë e tij artistike dalin në plan të parë, veçanërisht te cikli më i njohur i tij, “Njeriu dhe kali”.
Kica duke shfrytëzuar detaje të mitit ose duke e ndryshuar strukturën e tij, krijon vepra artistike që reflektojnë mesazhe universale, mesazhe humane, mesazhe solidariteti ndërmjet njerëzve e kombeve. Kica kurrë nuk e ka humbur besimin te përshpirtshmëria njerëzore.
Për Kicën heronjtë e vërtetë janë ata që punojnë për paqen, për njerëzoren.
Gjergj Konradi thotë se koha e luftës është “ultima racio”, kurse koha e paqes është “prima racio”.
Prirja e Nevzat Bejtuli – Kicës për mitet dhe legjendat na orienton drejt vendlindjes së tij të bukur, drejt atij vendi në Sharr, që shfaq peizazhe mbresëlënëse, ku bashkë me njerëzit “mbijetojnë” edhe qeniet mitike, mbijetojnë shumë legjenda, gojëdhëna e përralla. Kjo botë e përfytyruar, e krijuar prej gjeniut anonim, “përvidhet” shpesh në krijimtarinë e Kicës.
Njeriu, sipas Mehmet Krajës, priret drejt miteve dhe legjendave, sepse ka përshtypjen se paraardhësit e tij jetonin më mirë në një botë mitesh dhe legjendash, se sa në një botë reale. Ose: i krijonin mitet dhe legjendat për t’i kompensuar mungesat e mëdha të një realiteti refuzues.
Dyshja njeriu – kali
Obsesion artistik i Kicës në dy dhjetëvjeçarë e fundit është paraqitja e dyshes njeriu dhe kali. Kulti i kalit është i shprehur që në kohën përrallore të njerëzimit.
Vetëdija mitike ka krijuar figura që paraqesin pleksje të njeriut dhe kalit. I tillë është Centauri, kjo krijesë mitologjike gjysmë njeri dhe gjysmë kalë.
Alen Gerbran dhe Zhan Shevalie (Fjalori i simboleve, 2009), thonë se kulti i kalit haset në të gjitha epokat, kulturat dhe qytetërimet. Shpesh kali dhe kalorësi krijojnë tërësi, një dyshe të pandarë. Në këtë unitet kali paraqitet herë si simbolikë e intuitës që e ndriçon arsyen, herë si parashikues fati, herë si fatsjellës, herë si shpëtimtar, por edhe si sjellës i së keqes.
Kali për psikanalistët është simbol i jetës së pavetëdijshme, i afërt me arketipin e nënës, kujtesës së botës ose arketip i kohës, sepse është në lidhje me orët e mëdha të natyrës.
Figura e kalit haset në mitet greke e romake. Kemi kalin me flatra, Pegasin, si sjellës i frymëzimit, i cili i dërgonte poetët në Parnas, te muzat. Pegasi edhe tërbohej dhe e dalldiste kalorësin.
Nëse Pegasi është frymëzimi, i dalldisuri duhet të jetë artisti. Nuk ka art pa dalldi. Bukefali i Lekës së Madh është ndër kuajt më të njohur dhe më të përmendur në histori.
Njihet edhe Incitati (Këmbëshpejti) – kali i Kaligulës, që perandori e shpalli senator dhe qytetar nderi të Romës, madje donte ta bënte edhe konsull.
Kali paraqitet edhe në mitologjinë ilire.
Hyji kryesor i luftës, Medauri, paraqitet si kalorës, kurse në relievet që janë gjetur në Apoloni kemi kavalierin me armë, kavalierin shaluar mbi kalë e në galop apo kavalierin në këmbë.
Në mitet, legjendat apo përrallat e sistemeve të ndryshme kulturore zakonisht kali paraqitet si aleat i kryepersonazhit, si shpëtimtar i tij në çaste të pashpresës, si qenie që flet, si vrapues i shpejtë, si fluturues, si bukuri mahnitëse, si shkak frymëzimi.
Janë të panumërta veprat artistike ku kali paraqitet si figurë dominuese, sa mund të bëhet një listë e gjatë veprash artistike me temën mbi njeriun dhe kalin.
Ai na paraqitet në krijimet e Homerit, Ezopit, Servantesit, Bodlerit, Verlenit, Isak Babelit, Majakovskit, Borhesit.
Na paraqitet te poeti shqiptar Mirko Gashi, veçanërisht te poezitë mbi kalin e varreve dhe kalorësit e apokalipsit.
Kali i vdekjes ishte i shprehur edhe në mitet antike. Të ëndërruarit e kalit ishte vdekje e të sëmurit.
Figura e kalit i ka frymëzuar piktorët, grafistët e skulptorët e të gjithë periudhave të krijimtarisë artistike, madje na shfaqet edhe në kohën përrallore.
Vizatimi më i vjetër gjendet në shpellën e Lashkos dhe daton që para mijëra vitesh. Në qytetërimin antik figura e kalit ishte e pranishme në vazo dhe monedha.
Në mbamendjen e njerëzimit ka mbetur i fiksuar kali i krijuar nga njeriu, kali prej druri, kali i tradhtisë, kali i Trojës, nga barku i të cilit dolën akejtë dhe e shkatërruan Trojën.
Ky kalë i pashpirt është bërë simbol i egërsisë, luftës, tradhtisë, dhunës, rrënimit, kurse lufta
e Trojës u bë temë e shumë veprave që nuk ka mundur t’i fus në harresë tirania e kohës.
Kali ka gjetur vend në shumë vepra pamore, sikurse të autorëve: Paolo Uccello, Benozzo Gozzoli, Leonardo da Vinci, Albrecht Dürer, Raphael, Andrea Mantegna apo Tiziani. Më vonë e hasim në pikturat e Rubensait, van Dyckit apo Velázqueziz, për të vazhduar me piktorët si Géricault, Delacroixa dhe shumë të tjerë.
Figura e kalit është shumë e shprehur në besimet shqiptare dhe ballkanike.
Aty herë paraqitet si paralajmërues rreziqesh apo sëmundjesh, herë si besnik i njeriut, herë si mbrojtës fëmijësh, herë si figurë që ka lidhje me botën nëntokësore, herë si figurë fatsjellëse, për çka na flet edhe legjenda për frerin magjik.
Ka shumë rrëfime për rolin e kalit në luftërat e ndryshme.
Na shfaqet te legjenda e njohur e Gjergj Elez Alisë, që lufton me bajlozin (emisarin) e dalë nga deti për ta mbrojtur nderin e motrës.
Na shfaqet te rrëfimet mbi bëmat e Skënderbeut, ku kali i tij është përfytyruar me atribute të jashtëzakonshme, madje si krijesë që fluturon mbi armiqtë.
Na shfaqet në shumë vizatime e gravura mbi Stradiotët, këta kalorës mesjetarë që luftonin për shtete të ndryshme.
Imagjinata njerëzore nuk ka qenë e kursyer në raport me paraqitjen e kalit nëpër besime e legjenda të ndryshme, ku njeriu shpesh e zgjedh kalin si aleat besnik, herë për qëllime mbijetese, herë si shpëtimtar e fatsjellës, herë si simbol prestigji shoqëror.
Kali na paraqitet edhe si mbartës i shpirtrave të njerëzve të vdekur. Kështu shfaqet edhe te balada e Konstandinit e Doruntinës, ku mbi një kalë udhëtojnë së bashku e gjalla dhe i vdekuri.
Kjo baladë e frymëzoi edhe shkrimtarin Ismail Kadare.
Te çdo njeri i gjallë ka diçka të vdekur dhe te çdo i vdekur ka diçka të gjallë. Te çdo burrë ka diçka femërore dhe te çdo grua ka diçka burrërore.
Kali është një ndërlidhje mes jetës së këndejshme dhe andejshme. Kali na paraqitet edhe si ngushëllim për shpirtin e lënduar njerëzor.
Njeriu, në çaste të vështira, komunikon me kalin, ia qan hallet, ndjen sikur ai e kupton më së miri.
Njeriu e pandeh kalin si krijesë inteligjente, që kupton, madje, në folklorin shqiptar dhe ballkanik, ka figura kuajsh që flasin me zë njeriu.
Sipas interpretimit racional, njeriu, duke komunikuar me kalin, dëgjon zërin e heshtur të qenies së tij.
Në përfytyrimet e njerëzve edhe shpendët e bukur krahasohen me kalin. Një shqiponjë e bukur dhe e veçantë quhet kali i qyqeve.
Kësi besimesh janë të shprehura edhe në zonën prej ku e ka origjinën piktori Nevzat Bejtuli – Kica.
Piktori është rritur me kësi rrëfimesh, tepër të pranishme në vendet malore, ku njerëzit kanë zgjuarsi të lindur dhe flasin me gjuhë të figurshme. Në këta vise gjejmë shumë toponime që lidhen me figurën e kalit.
Këtë simbolikë për kalin e gjejmë në krijimtarinë e Nevzat Bejtuli – Kicës…
Në pikturat e Kicës figura e kalit paraqitet si krijesë e bukur dhe delikate. Kali i kuq shpesh dyzohet me njeriun ose anasjelltas.
Në prani të pikturave të Kicës, nga cikli “Njeriu dhe kali”, ndjehesh si heroi që dëshiron të pushtojë hapësira të reja dhe të dalë nga hapësira e ngulfatur nga përditshmëria, e cila shumëfishon klishe e refrene. Aty të kujtohet thirrja e Rikardit: “Një kalë! Një kalë” Gjithë mbretërinë time për një kalë!”. Forca është e përkohshme. E bukura është e përjetshme. Lulja triumfon mbi shpatën. Përkushtimi ndaj të bukurës na bën më njerëzor dhe më fisnikë. Ky është edhe mesazhi që e nxjerrim duke shikuar pikturat e Kicës.
Derisa je përballë pikturave të Kicës vazhdon të udhëtosh nëpër kohë. Je brenda një pikture që shtrihet përtej kornizave dhe zgjerohet deri në pafundësi. Si shajni të shfaqen vizatimet e para nëpër shpella. Aty njeriu shfaqet me atribute kafshësh të adhuruara.
Të shfaqet “Guernika” e Picassos.
Të shfaqet një kalorës shpirt aventurieri që udhëton hipur mbi kalin e tij të quajtur Rosinanti. Të duket se je Don Kishoti i Mançës, shpirti aventurier i tij, shpirti i një artisti…
Do t’i ngjaje kalorësit të fisëm dhe do të vazhdoje udhëtimin fiktiv nëpër kohëra nëse nuk do të zgjohej brenda teje shqytari Sanço, forca e arsyes.
Ndalesh. Qëllimi yt është që të rrëfesh për atë që ke parë dhe jo të zhytesh në botën e paskajshme të imagjinatës.
Megjithatë, derisa qëndron përballë pikturave të Kicës, ndjen se nuk mund të rrëfesh ndryshe përveçse me gjuhën e harruar të artit, të simboleve…
Për të folur mbi krijimtarinë e Kicës të duhen “instrumente” tjerë të gjuhës, nëpërmjet të cilëve duhet të tentosh ta “zbërthesh” botën e përfytyruar të sajuar nga ai.
Nuk do t’i përdorësh. Ndoshta… Pegasi… Ai kalë me fletë me të cilin udhëtojnë muzat. Është diku në qiell, në pëlhurë. Duke e shikuar ndjeheni më të fisëm, më të fortë, më të bukur, më të brishtë.
Jashtë botës së përfytyruar nga Kica shtrihet bota tjetër: më e egër, më e trishtuar, e përkohshme, si mbretëritë…
Në artin e Kicës ka lojë krijuese, realizuar nëpërmjet ngjyrave, vijave, hijeve, dritës. Këtë lojë Kica di ta luajë bukur, veçanërisht në ciklin mbi njeriun dhe kalin.
Nevzat Bejtuli – Kica gjatë kohë ka qenë i obsesionuar pas pikturimit të kuajve. Përgjatë dy dhjetëvjeçarëve ka qenë temë dominuese në krijimtarinë e tij artistike.
Kali, sikurse e thamë edhe më lart, shumë herë është shfrytëzuar si motiv në artet pamore, ku ka simbolizuar bukurinë, fuqinë, shpejtësinë, delikatesën. Te pikturat e Kicës kali paraqitet si specie e bukur, me trup të përsosur.
Ndryshe nga shumë piktorë të tjerë, që kanë qenë të obsesionuar vetëm pas pikturimit të kalit, Kica e paraqet artistikisht lidhjen e njeriut me kalin.
Kali është ndihmës i njeriut në kohë paqe dhe lufte, në kohë të trazuara e të qeta. Është i dobishëm dhe i bukur.
Nëpërmjet dyshes njeriu – kali shprehen artistikisht gjendje të ndryshme psikologjike të njeriut. Paraqitet madhështia njerëzore, përpjekja e tij për të mbijetuar, misioni për të sjellë drejtësi në botë.
Ashtu sikurse kalorësi i fisëm Don Kishoti i Servantesit nuk mund të paramendohet pa shqytarin e arsyeshëm, Sanço Panço, dhe të dy krijojnë plotëninë që mund të përmblidhet me formulën aventurë – arsye, po ashtu edhe tek arti i Kicës njeriu dhe kali formojnë plotëni.
Njeriu shpesh herë është dervishi. Është njeriu i meditimit, i poezisë, i lutjes. Njeriu nuk është vetëm veprimtari misionar, por edhe mendimtari, i devotshmi, i përkori, i çiltëri, i urti, që më së shpeshti është i vendosur në bardhësi të theksuar.
Tema e dervishit është e shprehur në krijimtarinë artistike, veçanërisht në Bosnjë. Kjo temë është trajtuar me mjeshtri artistike nga shkrimtari Mesha Selimoviq në kryeveprën e tij “Dervishi dhe vdekja” – një roman mbi urtësinë, pastërtinë, devotshmërinë, por edhe mbi luftën për pushtet dhe shpërfytyrimin e njeriut nga mekanizmat e një sistemi totalitar.
Kica është rritur dhe formuar në kësi ambienti.
Në mes njeriut dhe kalit (shpesh herë i bardhë, i bukur, i fuqishëm), krijohet unitet. Herë është unitet i urtësisë dhe bukurisë, herë i qetësisë dhe pasionit, herë i paqes dhe bukurisë, herë i jetës dhe vdekjes.
Në pikturat e Kicës kemi gërshetim të reales dhe shajnisë, sa nuk arrijmë ta gjejmë vijën ku fillon realja e ku shajnia, ngjashëm siç ndodh në rrëfimet popullore, krijuar prej krijuesve gjenialë e të paemër.
Botë e fisme fisnikësh
Viteve të fundit në fokusin e interesimit dhe preokupimit krijues të Kicës mbetet mesjeta shqiptare.
Këtë epokë e bën të veçantë aristokracia shqiptare, me tipare evropiane.
Kjo është një botë me princër, dukë e kontë; me kronika e libra që përktheheshin në të gjithë gjuhët evropiane; me shkencëtarë që ligjëronin në shkollat më të njohura të Evropës; me veshjet e veçanta dhe kapelën arbërore; me këngët herë me tone gazmore e herë me tone trishtimi e malli; me vallet mahnitëse, plot delikatesë, krejtësisht të ndryshme prej atyre që u krijuan më vonë prej koreografëve anonimë, që donin të flisnin për botën e tyre nëpërmjet gjuhës së lëvizjeve. Vallet e lashta janë të pranishme në katundet e arbëreshëve, pasardhësve të drejtpërdrejtë të kësaj klase aristokrate, të fisnikëve prej dyerve të mëdha.
Në këtë botë secili fisnik kishte stemën e tij. Stemat, kambanat dhe rekuizitat i morën me vete kur u vendosën në Itali.
Kjo botë e largët, me shpirt Evrope, e frymëzon gjithnjë e më shumë piktorin.
Kica nuk fokusohet vetëm te betejat, por edhe te kultura, te shpirti, te modeli kulturor i kësaj epoke. Delikatesa e kësaj bote shihet nëpërmjet pikturës “Vallja e princit”, ku dominon ngjyra e bardhë te vasha dhe e kaltra te princi.
Edhe te ky cikël sërish na paraqitet njeriu dhe kali, sepse kalorësi ishte pjesë e botës aristokrate shqiptare.
Kemi aty sërish bardhësi, madje edhe te pikturat që lidhen me luftëra e beteja. E bardha është simbolikë e pastërtisë, e kulturës, e shpirtit të lartësuar.
Qyteti i harruar nën bardhësi fisnikërie
Kica ka krijuar një cikël pikturash me motive nga Tetova e moçme, e harruar. Është ky një cikël mbi botën që më nuk e shohim jashtë nesh ose e shohim në fragmente, por shumëkush e ka brenda në qenie, në kujtime, në ëndrra.
Kica e rikrijon botën e ëndërrt, flatërore, duke derdhur aty ngjyrat e ndjenjave të tij. Pikturon, sikurse thotë Picasso, jo atë që sheh, por atë që ndjen.
Kjo botë është e mbështjellë me ngjyrë të bardhë. Me të bardhën si simbolikë e pastërtisë, e cila nuk është jashtë, por brenda njeriut.
E bardha, në këtë rast, paraqitet si njëfarë mjegulle, që mund të jetë shajni, ëndërr, kujtim i zbehur si fotografia e lënë shumë kohë në ekspozimin e dritës së kohës.
Tetova, Sharri, Pollogu, natyra e vendlindjes së Kicës, kanë frymëzuar shumë piktorë para tij. Nga rajoni dhe nga bota.
Në këto piktura shfaqen edhe kuajt, por në një ndërlidhje krejt tjetër me njeriun dhe natyrën. Piktorët para tij, madje të njohur dhe me potenciale të mëdha krijuese, e kanë parë atë botë para se ta pikturonin, kanë jetuar në të dhe menjëherë e kanë pikturuar, kurse Kica atë botë e ka jetuar, e ka përjetuar, por në një kohë të largët. Ajo botë pastaj është nxjerrë nga kujtimet dhe ëndrrat e tij dhe është shndërruar në art.
Nëpërmjet këtij cikli, Kica kthehet në të kaluarën, jo si ikje nga përditshmëria, por si udhëtim nëpër kohë për ta nxjerrë në dritë bukurinë dhe veçantinë e humbur të Tetovës.
Nëpërmjet artit pamor Kica ndërton një “rrëfim” për Tetovën, e cila, siç thotë në një intervistë, nuk është dalluar vetëm nëpërmjet pamjes së objekteve të vjetra apo segmenteve që në këndin vizual e ndërtojnë këtë qytet, por edhe për shpirtshmërinë, për filozofisë që ekziston në kasabanë e bardhë dhe që e nënkupton elementin fisnik, të cilin, ky qytet, e ka pasur përgjatë shekujve.
Ky element fisnikërie është theksuar edhe nga shumë kronistë, udhëpërshkrues apo aventurierë.
Botë e kaltër paralele
Te cikli më i ri artistik i Kicës na shfaqet një botë krejt tjetër, ku dominon ngjyra e kaltër dhe ndërthurja (puzzle).
Ky art na tërheq drejt një dimensioni të ri, drejt një bote simbolike, njëfarë bote paralele, që mund ta njohim më mirë nëse kemi njëfarë parapërgatitje.
Ky cikël krijimesh pamore është specifik dhe u dedikohet fëmijëve autikë, por jo vetëm. Artistët më mirë se të tjerët mund ta kuptojnë botën e këtyre fëmijëve.
Ata e dinë se çfarë është bota paralele.
E dinë se arti është realitet i përfytyruar, i mundshëm, simbolik, alternativ. Artisti është qenia që sajon botë paralele dhe ndodh që bëhet pjesë e asaj bote.
Ai mund të jetë më i veçantë, por nuk është i ndryshëm nga njerëzit tjerë. Vetëm dallon në perceptimin e realitetit.
Artisti pëlqen të flasë ndryshe nga çfarë flasin të tjerët. Ai bën gjëra ndryshe nga çfarë i bëjnë të tjerët.
Ai shpesh mbyllet në vetvete, brenda botës së tij dhe i sheh gjërat ndryshe nga çfarë i shohin të tjerët.
Artisti, duke e pasur madhështinë e veçantisë, shpesh shihet nga bota me përçmim, sikurse thotë Saramago. Por kjo veçanti e bën madhështor.
Ky cikël, krahas vlerës artistike, e ka vlerën shtesë, sepse synon të krijojë komunikim cilësor me ata që kanë nevojë për mbështetjen tonë.
Këtë mbështetje piktori tenton ta bëjë duke krijuar një formë tjetër komunikimi me një receptues specifik – komunikimin nëpërmjet artit.
Studiuesit e shumtë e kanë theksuar se arti i plotëson, i qetëson, i ndihmon shumë fëmijët me autizëm, prandaj duhet të bëjmë përpjekje të shumta dhe të ndryshme, siç vepron Kica, për ta ngjallur prirjen e fëmijëve për punë kreative.
Duke i njohur nevojat e të gjithë njerëzve shkojmë drejt një mbrothësie.
Arti nëse nuk arrin ta ndryshojë botën, ai mund ta ndryshojë njeriun, na mundëson ta njohim tjetrin dhe kështu ta njohim edhe vetveten, sepse jemi të njëjtë.
Receptimi
Për krijimtarinë e Nevzat Bejtuli – Kicës kanë shkruar shumë autorë dhe shumica e kanë theksuar prirjen e tij ekspresive, aftësinë e përzgjedhjes së motiveve dhe temave, talentin e veçantë për të krijuar tërësi artistike nëpërmjet pjesëve, por edhe për të krijuar vepra tepër simbolike dhe me shumëkuptimësi të theksuar.
Shumica e shkrimeve mbi krijimtarinë e Kicës janë për ciklin “Njeriu dhe kali”.
Lazo Plavleski, në shkrimin “Raporte dhe
Variacione”, shkruan se rrëfimet pamore të Bejtulit janë nën emblemën e ekspresivitetit; se piktori shpesh e shtyn aktin e pikturimit (për shkaqe dhe përligjje të ndryshme), ndërkaq më pas, papritmas dhe shpejt, nis dhe e përfundon veprën, ashtu siç ndodh me “të gjithë ata që praktikojnë ekspresivitetin si pjesë të personalitetit të tyre”.
Pavlevski është i mendimit se pikturat e Kicës bazohen në linearilitetin e gjestit, por veprimi i të pikturuarit, në punën e tij të mëtutjeshme, vetvetishëm i cakton rregullat e saj, kurse pamja përfundimtare është shumësi sipërfaqesh, vijash, gërshetime ngjyrash, strukturash dhe frakturash nga materialet e përdorura, por edhe të efekteve nga shtrirja e kontrolluar e ngjyrës.
Klime Korobar, në shkrimin “Kalorësit nga Reka”, me rastin e hapjes së ekspozitës së Kicës në ASHAM, më 21 nëntor 2012, shkruan se njeriu dhe kali në pikturën e Kicës janë në kohezion dhe përbëjnë tërësi.
Njeriu, në shumicën e rasteve, paraqitet si dervish i veshur me mantel, i cili, sipas besimeve të moçme, i jep kalorësit fuqi të çuditshme.
Për Korobarin, kuajt e Kicës dalin nga errësira dhe humben në mjegullën e historisë. Aty kemi pleksje të së shkruarës dhe të së ardhmes, kurse në plan të parë del bukuria shpirtërore dhe jo rrëfimi i përgjakshëm ballkanik.
Emil Aleksiev në shkrimin “Kalorësit nga Reka” vlerëson se në pikturat e Kicës kemi fitoren e jetës; kemi fitoren e vullnetit për të mbijetuar kundrejt forcave që na tërheqin drejt tokës, drejt baltës. Kjo është fitore e vullnetit për të arritur yjet, që Nevzat Bejtuli Kica e paraqet nëpërmjet imazheve.
Ndërkaq sipas Mixhait Pollozhanit, mjeshtëria e Kicës rend që ta zë galopin e kalit, të katrën e kalorësit nëpër rrugëtimet e gjata hapësinore e kohore të rrëfimeve epike dhe tragjike.
Në shkrimin “Blurajdëri i ekspresionizmit shqiptar”, Pollozhanit thotë: “Zgjidhja figurative e shpalosur nëpërmjet përvijimeve të vizatimeve dhe kombinimeve të ngjyrave të vajit, përbëjnë shtresa të pasura pastuoze të pikturave. Në të vërtetë, ato bartin emocione, ekspresivitet e begati me përmbajtjet bardhë e zi, të shoqëruara nga okra, e kuqërremta, e kaltra, vjollca, duke sajuar, së bashku, edhe gradacione tjera të valerit. Diçka e re duken kalorësit me të bardhë mbi të zezë.”
Vlerësime të këtilla për krijimtarinë e Kicës kemi edhe nga autorë të tjerë.
Krijimtaria e Kicës nuk është vlerësuar vetëm nga kritikët e artit pamor, por është pëlqyer edhe nga publiku më i gjerë, i cili sheh aty fragmente nga bota e tij.
Përfundimi
Duke e parë krijimtarinë e Nevzat Bejtulit – Kicës prej një plani më të gjerë, mund të nxjerrim disa përgjithësime: se Kica është piktor i ndjeshmërisë ekpresioniste, i cili ndonëse ka pasur sukses edhe me cikle të tjera krijuese, identifikohet me ciklin e pikturave “Njeriu dhe kali”; se është artist shpirttrazuar dhe kërkimtar i përhershëm pas temave dhe motiveve nëpërmjet të cilave sajon rrëfime pamore; se “ushqehet” nga mitologjia dhe besimet e ndryshme, por edhe nga historia dhe pastaj krijon një vepër krejtësisht origjinale; se nga kjo botë e lashtë më shumë e frymëzon e fismja, humania, e bukura, që i bashkojnë shpirtrat njerëzorë të sistemeve të ndryshme kulturore; se ai, siç thotë Aristoteli për qëllimin e artit, synon t’i paraqesë jo vetëm dukuritë e jashtme, por rëndësinë e brendshme të gjërave dhe dukurive; se ka krijuar piktura që mund të shikohen veç e veç, por bashkërisht krijojnë një tërësi artistike; se në krijimtarinë e tij është shumë e shprehur simbolika dhe shumëkuptishmëria… Kica është në moshën e pjekurisë krijuese. Nga ai presim të na befasojë me krijime të tjera artistike, me kremte tjera për sytë, siç e quante Van Goghu pikturën.