Nuk do të ketë takim liderësh. Kryeministri Zaev e ka përjashtuar një mundësi të tillë. Kreu i opozitës, Hristian Mickovski kishte kërkuar ndërkohë takim liderësh pa paraninë e presidentit Pendarovski. Ai kishte paralajmëruar se do të bisedohet për qeveri teknike, pas vetos bullgare dhe pas situatës së rënduar ekonomime dhe shëndetësore për shkak të menaxhimit të dobët nga ana e qeverisë. Qeveri të zgjeruar ka kërkuar edhe opozita shqiptare. Me gjasë nuk do të ketë as takim liderësh dhe as qeveri teknike siç pretendon opozita
KDP
Ditë më parë pas bllokimit për miratimin e kornizës negociuese nga Bullgaria, lideri i opozites maqedonase Hristian Mickovski, kishte kërkuar takim liderësh. Zakonisht, takime të këtilla i kërkon opozita në situata kur duhet të vendoset për diçka që ata e konsiderojnë si tepër të rëndësishme. Takimet e liderëve gjithnjë kërkohen në momente kur ka krizë politike.
Pas vetos bullgare Maqedonia e Veriut është përfshirë në protesta të organizuara nga partia opozitare VMRO-DPMNE, e cila ka kërkuar dorëheqjen e kreut shtetëror, pa saktësuar se si do të veprohej mëtutje, por duke përjashtuar zgjedhjet e parakohshme për shkak të situatës së rënduar nga pandemia.
Por, opozita në ndërkohë, duke adresuar dështimet me menaxhimin e pandemisë, gjendjen e rëndë shëndetësore dhe veton bullgare ka hedhur si ide krijimin e një qeverie teknike.
Takimi i liderëve është bërë temë përplasjesh edhe gjatë këtyre ditëve mes partive më të mëdha maqedonase. Edhe pse më herët kishte paralajmëruar se mund të mbahet takim liderësh te presidenti Pendarovski, ai ndërkohë e ka përjashtuar një mundësi të këtillë.
“Kam parë një reagim në fejsbuk të shefit të opozitës në të cilën thuhej “po” do të bisedohet për Qeveri teknike, për paaftësinë e qeverisë dhe sistemit shëndetësor, për dështimin me Bullgarinë… Pse të thirr takim liderësh? Për çfarë? Unë nuk pajtohem aspak me këto çështje. Sado që të jetë e palogjikshme, histerike dhe e papërgjegjshme, do të thoja që është edhe çmenduri”, ka theksuar kryeministri, Zoran Zaev.
Ndërkohë kreu i opozitës, Hristijan Mickoski beson se ka shumë për t’u folur në takim. Sipas tij, aktorët relevant, liderët e partive politike, pa kreun e shtetit Pendarovskin duhet të bisedojnë për çështjen me Bullgarinë, krizën shëndetësore dhe atë ekonomike.
“Unë nuk shoh dallim mes qëndrimeve të Zoran Zaevit dhe të Stevo Pendarovskit. Nëse aty njëri do të flasë dhe tjetri do të pohojë me kokë, nuk ka nevojë. Prandaj them të ulemi ne aktorët relevant politik, partitë nga pushteti, partitë nga opozita, aq sa ka nevojë, një ditë, dy ose tre dhe të flasim hapur mes vete, jo nëpërmjet mediave.”, ka shkruar, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Edhe opozita shqiptare prej kohës kërkon takim liderësh. Brenda kohës ata kanë insistuar në qeveri të zgjeruar pas vetos bullgare dhe situatës së rënduar me pandeminë.
“Ne kemi propozuar që vendi të krijojë një qeveri të zgjeruar dhe të gjithë së bashku t’u qasemi në mënyrë më praktike dhe më cilësore këtyre probleme. Natyrisht se Qeverisë së zgjeruar është e logjikshme që t’i paraprijë një takim i liderëve ku do të bisedohet edhe për çështje të tjera që e tangojnë Maqedoninë si çështja me Bullgarinë, problemet me pandeminë, kriza ekonomike”, ka theksuar Elmi Aziri nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.
Në nërkohë në media është përfour edhe mundësia e një rigrupimi në parlament që do të nënkuptonte formimin e një shumuce të re parlamentare. Bidesat me deputetë nga kolacioni qeverisës i ka pohuar një nënkryetari i partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, Aleksandër Nikollovski, i cili nuk ka zbuluar se me kë po bisedohet.
Por, brenda ditës këto pretendime janë hedhur poshtë nga përfaqësues të partisë në pushtet si të pavërteta, ndërkohë që kryeministri Zaev ka realizuar takime me liderët e partive partnere në qeveri.
Me gjase nuk do të ketë takim liderësh përkundër faktit që opozita e kërkon një gjë të tillë. Periudha përpara festave të fundvitit duket se nuk lejon manovrme tjera, ndërkohë që lëvizje të reja politike të brendshme mund të priten gjatë janarit. Deri atehërë duket se gjithçka do të jetë njësoj dhe pak gjasa ka që të kemi një qeveri teknike apo të ketë ndonjë rigrupim për formim të një shumice të re parlamentare.