E premte, 26 Korrik, 2024

DHJETOR I PARË 1990, TRI DEKADA MË VONË

Po, nga kjo distancë, ishte privilegj që bëja pjesë në një grusht gazetarësh që po shkelte në Shqipëri. Në fakt, nuk ishte se po shkoja në ‘botën e çudirave’: Shumëçka kisha lexuar ama edhe dëgjuar – nga Radio Tirana e Radio Kukësi, në Ulqin kisha përcjellur me kërshëri TVSH-në, ndërsa mozaikun ma kishin plotësuar rrëfimet e artistit të madh Bekim Fehmiu, të avokatit Hysni Bytyqi dhe kolegut Fahri Musliu. Natën shkelëm në territorin shqiptar, në mëngjesin e atij dhjetori të 1990 e pamë Tiranën: ‘Kjo është Shqipëria e vitit zero’ – më pati thënë Dr Sali Berisha, në ordinancën e tij në Spitalin e Kryeqytetit.

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Teksa po kryenim formalitetet në pikën kufitare të Qafë Thanës, aty kah mesnata, krahasimin që bëra për momentin plotë emocione ishte fuqia e dritave elektrike, këtej e andej kufirit: Ndriçimi në postbllokun shqiptar lënte shumë për të dëshiruar. Aty për aty se ç’më erdhi ndërmend rrëfenja dhe zhgënjimi i të madhit Bekim Fehmiu kur gajtë vizitës në Shqipëri e kishin përgëzuar për mirëflitjen e shqipes. Atij i kishte ndodhur në Tiranë e mua më pati ndodhur në ambasadën e Shqipërisë në Beograd: ‘Nga e keni mësuar?’- më pyeti punonjësi i ambasadës teksa mundohej të arsyetonte stërzgjatjen e procedurës së marrjes së vizave e pas insistimit të tij se Shqipëria nuk e njihte termin burokraci, aniqë Dritëro Agolli kishte kohë që kish botuar romanin ‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’…

Atë dhjetor të 1990-ës dimri në Tiranë m’u duk si vjeshta tek ne. Sheshi ishte goxha i gjallë, njerëzit sikur kishin nisur të ngrejnë zërin: Ishte themeluar Partia Demokratike nga njerëz që deri atëherë kishin këqyrur punët e veta. Kjo ishte ajo shtytja-kurajë që lansoi  togfjalëshin se ‘Në Shqipëri frikës i shqiptohet dënimi me vdekje’! Për hir të së vërtetës në rrethanat shqiptare të kohës ‘dënimi me vdekje’ nuk ishte se ishte i huaj. Për mëse dhjetë ditë, të shoqëruar nga mikpritësi ynë zyrtar me emrin Agim dhe vozitësi i tij veteran me emrin Sotir, Shqipërisë i ramë cep më cep, ama më kanë mbetur në kujtesë intervistat me klerikët e sapodalë nga burgu: hoxhë Sabri Koçin e Dom Simon Jubanin. I pari kishte bërë  mbi 20 vjet, ndërsa i dyti plotë 26 vjet burg. Në Kryeqytet pata njohur gati-gati gjithë bërthamën e forcës së re politike që shënte lindjen e shumëpartizmit në vendin e shqipeve: Doktor Berishën, Gramoz Pashkon, Besnik Mustafajn, Azem Hajdarin, Genc Rulin.

Sali Berisha dhe Gramoz Pashko

Mbajë mend, ministri Farudin Hoxha, ma pati shtyrë një intervistë për shkak të një fjalimi të Kryetarit Ramiz Alia, të cilin edhe unë në një raportim ‘nga kufiri jugosllavo-shqiptar’ e pata cilësuar si ‘Gorbaçovi shqiptar’, ndërkohë që në një takim me profesor Rexhep Mejdanin vura re se ai i njihte shumë e më shumë se unë disa emra të jetës arsimore-shkencore e kulturore në Prishtinë. Kastriot Çaushi, Edi Rama e Gavrosh Levonja, më patën folur në intervista për nevojën e komunikimit të kulturës e artit shqiptar me botën, Dritëro Agolli që fliste për domosdonë e transformimit të Partisë së Punës…

Atë dhjetor ishte formuar Partia Demokratike. Kreu i saj nuk ishte zgjedhur. Deri në ardhjen e Dr Sali Berishës në krye të saj, kam përshtypjen se të gjithë vepronin ‘si një grusht’. Mbajë mend, Berisha sikur pritonte ndejat nëpër kafene-hotelet e pakta të Tiranës, ndërkohë që tek Dajti Pashko e Ruli kthenin shpesh, njësoj si Mustafaj apo Hajdari tek Pesëmbëdhjetëkatëshi. Zgjedhja e numrit një sikur u shoqërua me një ftohje, sidomos të dyshes Berisha-Pashko. Gjatë një darke në shtëpinë e këtij të fundit, se si ra fjala për rikthimin e fesë dhe pa një pa dy Gramozi na foli për Doktorin si për një mysliman. Mbeti i habitur kur operatori, miku im Sahiti, ia tregoi xhirimin duke bërë kryq në meshën e parë të organizuar në Shkodër…

Ishim aq afër e kaq larg njëri-tjetrit, deri në atë dhjetorin para tridhjetë vjetëve. Dhe, Kosova ishte kryefjalë e çdo takimi, çdo bisede, çdo interviste. Më kujtohet si sot, në një intervistë për tv Yutel, për të cilin sapo kish nis të punoj, Dr Berisha, në mantel të bardhë, në ordaninancën e tij, lënte përshtypjen e njeriut gjakftohtë që vështirë e nxirrje nga shinat. Deri në momentin kur e pyeta për Kosovën, më saktësisht, sa më kujtohet, ‘Jugosllavia thotë se Kosova është çështje e saj e brendshme’. Doktorit i plasi, thuaja se u bë tjetër njeri: ‘Do të jetë çështje e saj kur edhe Kosova të jetë e barabartë me republikat e tjera’! Kështu përafërsisht, mbajë mend, më pati thënë kreu i demokratëve që më vonë u bë President e Kryeministër… Atë fund dhjetori të 1990-ës, nga Tirana u kthyem në Sarajevë. Pesë minidokumentarët për Shqipërinë, të realizuar nga Violeta Oroshi, Sahit Kokolli Fahri Pallaska dhe unë, patën jehonë goxha të mirë për publikun jugosllav. Këtu e tri dekada më parë.

Të fundit