E shtunë, 27 Korrik, 2024

“Tjetri”, ai armiku dhe disidenca

Nga Ben Andoni

Armiku, tjetri, disidenca janë nocione dhe tema, të cilat i bashkon identiteti, një nga çështjet më të jashtëzakonshme dhe sfiduese në letërsi, publicistikë, në art dhe ngado. Qenia nën Perandorinë Osmane bëri shumë nga individët e kombësisë shqiptare, që patën mundësi të ngjisnin rangjet më të larta të pushtetit turk të asaj kohe, të kishin dyzime të çuditshme. Historia na ushqen me lloj-lloj përçartjesh. Një pjesë e shprehën deri me përballjen me bashkatdhetarët e tyre, të tjerët kundra kombësive të vuajtura si ne. I vështirë dyzimi i identitetit, por më e vështirë mbetet shprehja e duhur e tij. Në qëmtimin e kujdesshëm të historisë gjen elementë shumë kundrathënës por që realisht ndikojnë në atë që ne njohim dhe që mund të përflasim për ato personazhe. Qysh prej Heroit Kombëtar Skënderbeu e më vonë, historianët debatojnë sesa ndikues ishte identiteti i tij në motivin e luftës pa kompromis që bëri ndaj Perandorisë ndaj të cilës detyrohej për statusin. I “çuditshëm” dhe i diskutueshëm mbetet varrosja e të vëllait murg në Hilandër, manastirin serb në Malin Athos! Por historianët shkojnë më tej në disa nga figurat e njohura serbe dhe malazeze me origjinë shqiptare.

Familja Karagjorgjeviç, një nga linjat mbretërore serbe, e ngritur në Mal të Zi, e aspak dashamire me ne, është me origjinë shqiptare. Për të ardhur te Kara Mahmut Bushatliu që lufton kundër Malazezëve, si ushtarak turk e për t’u afruar deri në ditët tona me shembuj të shumtë.

Në kohët moderne, “Tjetri” shfaqet në forma të ndryshme. Lufta antifashiste dhe mobilizimi i njerëzve arrin të ndajë deri familje përveç miqve të ngushtë të afërt. Tjetri identifikohet si njeri jo i besimit të njëjtë, gati i një komuniteti tjetër. Është thjesht… i huaj. Nacionalistët me Komunistët shkojnë në ekstrem me njëri-tjetrin, qoftë dhe brenda familjes, kurse ato përpjekje të pakta që bëjnë për t’u bashkuar shkojnë keq e më keq. Pas lufta i ndan si armiq të betuar.

Po letërsia? Qysh prej viteve ’30 ka qasje që tregojnë pak a shumë atë që po lind një debat, i cili mbart rrënjë armiqësie të thella. Komunistët dhe Nacionalistët e qesëndisin dhe e urrejnë njëri-tjetrin deri me traktet, që shtypeshin asokohe. Kurse, pas Lufta e fut “Tjetrin” edhe në letërsinë e artin e Realizmit Socialist. Në vazhdën e respektit pa asnjë kusht për çdo gjë që vjen nga ish-Bashkimi Sovjetik, kjo metodë zbatohet pa asnjë kusht dhe madje merr tipare të tjera pas prishjes me vendin e madh të sovjetëve. Një pjesë e autorëve shqiptarë gjejnë mënyra nga më të jashtëzakonshmet për t’i shpëtuar zbatimit të thatë të dogmës, por në masë artistët shqiptarë binden. Mes temave zë vend edhe pasqyrimi i “Tjetrit”. Disidenca është hipotetike. “Them se nuk dilte kush që të shprehte drejtpërdrejt disidencën e tij, sepse i besohej fuqisë së ambiguitetit, metaforës, alegorisë të cilat nuk i kapte radari i censurës, syri i vigjilencës”, do i thoshte dikur autorit, poeti i ndjerë Haliti. I frikshëm është sot mënyra sesi manovrojnë një pjesë duke na dhënë disidencën, që Cezlav Milosh e paraqet kështu: “Realizmi Socialist mbështetet në identifikimin e “së resë” me proletariatin dhe të proletariatit me Partinë. Ai paraqet qytetarë shembullorë, komunistë (të shkruar në Parti ose jo) – dhe armiq të klasës. Ndërmjet këtyre dy specieve tipike, janë ata që ngurrojnë, të cilët, sidoqoftë, sipas prirjeve që do të tregohen më të forta tek ata- duhet të kalojnë në njërin kamp ose tjetrin. Ky evoluim, që mbyllet me fitoren totale të së mirës ose me rrënimin moral përfundimtar, përbën (krahas figurave krejt të gatshme të njerëzve tanë dhe të armiqve) të vetmen temë të letërsisë”. Këtë e bëjnë shumë mirë disa nga artistët shqiptarë, madje edhe ata që sot mundohen të sajojnë lloj-lloj gjërash për disidencën dhe sidomos “Tjetrin”. Veprat, shkrimet dhe devotshmëria i kritikon në heshtje një pjesë të madhe, që sot e kanë harruar kontributin e tyre real. Dhe, mbi të gjitha qasja me identitetin. Problemi i përballjes me identitetin e vërtetë është denoncuesi i shumë kinseve sot, që mëtojnë për Disidencën dhe i atyre që Tjetrit, nuk i dhanë asnjë mundësi…ndryshe. (Lis)

Të fundit