E shtunë, 27 Korrik, 2024

IMPENJIMI EUROPIAN PËR NGËRÇET BALLKANIKE

Kontesti mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut me gjasë do të vazhdojë dhe nuk dihet se kur mund të marrë një zgjidhje. Përballë këtij kontesti që shfaqet i komplikuat dhe me qëndrime të forta përfaqësues të BE-së tashmë po kërkojnë me më shumë impenjim që të gjendet një zgjidhje sa më shpejtë në mënyrë që mos të rrezikohet procesi i hapjes së bisedimeve, gjegjësisht procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në frymën e Procesit të Berlinit. Përfaqësues europianë mosmiratimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë e kanë quajtur si “gabim serioz politik”.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Duket se nuk do të ketë një moment të ri për sa i përket miratimit të kornizës negociuese për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar nga vetoja bullgare, ndërkohë që me gjasë edhe Shqipëria do të pres ditë më të mira. Në kohën kur kanë vazhduar përplasjet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për çështjet të përkufizuara si “histori e përbashkët” dhe kur palët tash për tash pavarësisht nga komunikimi në distancë nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje për të vazhduar përpara, rruga drejt BE-së duket e vështirë dhe me shumë të panjohura.

Por, duket se tashmë nga një pozicion jo edhe aq impenjues, BE tashmë po kalon në një faze tjetër të vlerësimit të situatës, duke zgjeruar optikën edhe në elemente tjera të sigurisë, të cilat në Ballkan mund të shfaqen sa hap e mbyll sytë. Përkundër thirrjeve racionale nga BE, Bullgaria nuk ka lëvizur nga qëndrimet e saja në raport me Maqedoninë e Veriut. Dhe, duket se problemi nuk do të jetë vetëm heqja nga agjenda e debatit të zgjerimit, por edhe ajo që mund të pasojë si ngërç politik mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë edhe në të ardhmen, që realisht hap shumë dilema në gjithë kuadrin e integrimeve të Ballkanit Perëndimor të ravijëzuar përmes suazës angazhuese të BE-së për integrim të plotë të rajonit të pagëzuar si Procesi i Berlinit.

Pikërisht këtë premisë më herët e kishte theksuar edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila kishte bërë thirrje që të gjendet zgjidhje sa më e shpejtë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që të miratohet korniza negociuese, e cila hap rrugën e fillimit të bisedimeve dhe të integrimit të plotë në BE.

Në kohën kur bllokimi i miratimit të kornizës negociuese duket i pashmangshëm, ndërkohë po vërehet një impenjim shumë më i madh i BE-së. Paraprakisht, Departamenti amerikan i Shtetit kishte kërkuar që procesi i bisedimeve me BE-në të ndahet nga problemi bilatirale.

Ndërkohë, Ministri Gjerman për Çështje Evropiane, Michael Roth, e ka quajtur si “gabim serioz politik” dështimin që të miratohet korniza negociuese për nisjen e negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe, me disa kushte, edhe me Shqipërinë.

Ministri gjerman ka thënë se, lidhur me procesin e zgjerimit “për fat të keq deri më tash nuk ishim në gjendje të arrijmë progres për gjërat që më parë ishim pajtuar”.

“Ne po bëjmë gjithçka në mundësitë tona si presidencë që të arrijmë deri tek pajtimi sa më shpejtë që të jetë e mundur në mënyrë që të mundësohet konferenca e parë e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe, poashtu, varësisht nga përmbushja e disa kushteve të mbetura edhe me Shqipërinë. Çfarëdo tjetër do të ishte një gabim serioz politik në dëm të stabilitetit dhe sigurisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor që poashtu do të dëmtonte shumë edhe sigurinë e Evropës në tërësi. Secili do të duhej të ishte i vetëdijshëm për këtë”, ka theksuar ai.

Pikërisht, kësaj ndjeshmërie tjetër i janë bashkuar edhe deputetët nga të gjitha partitë politike në Parlamentin Evropian, të cilët kanë kërkuar që të mos humbet shansi i sotëm për “dritë jeshile” që BE të mbaj konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut deri në fund të këtij viti.

“Duke tërhequr vërejtjen se bllokimi i bisedimeve për integrim të Maqedoninë së Veriut dhe Shqipërinë kërcënon kredibilitetin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, ata i bëjnë thirrje Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut që të gjejnë kompromis mbi çështjet bilaterale për të shmangur vonesat e mëtejshme të procesit”, thuhet në letër.

Bullgaria, kanë bërë thirrje eurodeputetët, duhet të miratojë hapjen e konferencës ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur, duke njohur kështu përpjekjet e vendit në procesin e integrues në BE. Ata gjithashtu i kanë bërë thirrje palës maqedonase të “bëjë çdo përpjekje” për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Pavarësisht nga këto thirrje, me gjasë, kontesti mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë dhe nuk dihet se kur mund të marr një zgjidhje. Përballë këtij kontesti që shfaqet i komplikuat dhe me qëndrime të forta përfaqësues të BE-së tashmë po kërkojnë me më shumë impenjim që të gjendet një zgjidhje sa më shpejtë në mënyrë që mos të rrezikohet procesi i hapjes së bisedimeve, gjegjësisht procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në frymën e Procesit të Berlinit. Duket se ky problem do të bartet nga ky vit në vitin e ardhshëm, me të gjitha ngërçet e mundshme.

 

 

Të fundit