E premte, 26 Korrik, 2024

VIDEO / Xhelal Neziri: Bullgaria kërkon zhbërjen identitare të maqedonasve

Maqedonia e Veriut duket se pati të njëjtin fat me Shqipërinë sa i takon mos-çeljes së negociatave me Bashkimin Europian brenda këtij viti. Shkak për vendin fqinj u bë Bullgaria, e cila kërkon nga Maqedonia e Veriut të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë e saj.

Analisti Xhelal Neziri tha për Euronews Albania se Maqedonia e Veriut prej vitit 2009, ka pasur tri “veto” sa i takon procesit negociues me Bashkimin Evropian, ndërsa dështimin e radhës nuk ia faturon politikës së brendshme të shteti fqinj, por shtoi se pengesat po vijnë nga jashtë.

Pretendimet e Bullgarisë shton ai vijnë edhe për shkak të zgjedhjeve parlamentare, që do mbahen në marsin e vitit të ardhshëm, dhe vetoja ndaj Shkupit zyrtar për negociatat po përdoret si “kartë elektorale”.

“Tani është e njohur se jo vetëm Zaev, por edhe ministra të tjerë në RMV kanë kontakte dhe po shfrytëzojnë kontakte diplomatike me qëllim që të zhbllokojnë dhe të heqin veton bullgare për negociatat. Kjo është vetoja e tretë që përjeton Maqedonia e Veriut, që nga viti 2009. Greqia fillimisht e bllokoi për emrin, pas Greqisë problemi ishte me Francën mbi metodologjinë e zgjerimit dhe tani me Bullgarinë. Opinioni këtu e ka të qartë se nuk është çështja tek Maqedonia e Veriut. Ai (kryeministri Zoran Zaev) nuk mund të akuzohet se ka dështuar për nisjen e negociatave me BE. Ky dështim nuk ka të bëjë me çështjet e brendshme, por është problemi tek Bullgaria në këtë rast, e cili në mars të viti të ardhshëm pritet të ketë zgjedhjet parlamentare, dhe në këtë sens, opinionin e sheh këtë refuzim nga Bullgaria”, tha ai.

Duke bërë një krahasim me problemet që  Maqedonia e Veriut ka pasur me Greqinë për çështjen e emrit, analisti Neziri shton se çështja me Bullgarinë është më e komplikuar, pasi në diskutim shtrohet çështjet indetitare.

“Unë mendoj se për dallim nga problemi me Greqinë, problemi me Bullgarinë është më i komplikuar, është më i prekshëm, më sensitiv, pasi Bullgaria kërkon një gjë që është e pakapërdishme për etninë ose për popullin maqedonas këtu. Pra, kërkon një vetëvrasje kolektive në kuptimin e identitetit të tyre etnik dhe kulturor. Kërkon të heqin dorë nga historia para 1945, dhe të pranojnë se gjuha maqedonase është formuar mbi një dialekt bullgar, dhe ka gjenezë bullgare. Pra, është një zhbërje identitare ajo që kërkon Bullgaria”, shtoi ai.

Analist i tha gazetares Bruna Çifligu se procesi bllokues mes dy vendeve mund të zbutet, por e gjithë kjo mund të ndodhë pas zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në Bullgari.

“Unë mendoj e ky proces do mund të zhbllokohet, jo me një marrëveshje përfundimtare, por me një aneks, i cili do të hapte që të dyja proceset; integrimin në BE, por edhe procesin i zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, që të ecin paralelisht dhe të mos bllokojnë njëra-tjetrën. Mendoj se pas zgjedhjeve në marsit, do të arrihet dhe do të zbutet situata dhe do të arrihet një marrëveshje, por kjo nuk do të thotë zgjidhje përfundimtare me Bullgarinë”, theksoi ai.

Grindjet mes dy vendeve gëlonin prej vitesh, por shumë vende të Bashkimit Europian e mendonin si çështje të shuar, kurse realiteti tregon sot se Bullgaria është bërë faktor bllokues për Shkupin zyrtar në çeljen e negociatave.

Të fundit