E shtunë, 27 Korrik, 2024

Pse nuk ndërgjegjësohemi dot për Covid-19?!

Autor: Ben Andoni

Sa herë që kryeministri Rama pyetet për probleme kufizimi dhe parashikimin e tij, ai e përcjell të drejtën dhe autoritetin tek Këshilli Teknik i Mjekëve. Sa herë që pyeten, veç e veç këta të fundit, flasin për skenarë dhe parashikime, që zakonisht dalin por… me vonesë. Opozita akuzon pareshtur por edhe në momentin më të mundshëm që të tregojë veten, nuk e ofron ndihmë.

Thjesht konstaton e konstaton dhe akuzon… Vetëm rrëfen të metat e sistemit shëndetësor, që i kemi para syve të gjithë, dhe anatemon. Kurba e vdekjeve dhe infektimeve rritet e rritet, ndërkohë që ne shqiptarët talleshim me parashikimet e verës se dimri do të sillte këto rezultate. Kush ka mundësi të shkojë në qytete të tjera mund të kundrojë sesa të paarsyeshëm janë njerëzit dhe sesi sillen para pandemisë. Kështuqë, ajo fjala e specialistëve se po shkojmë drejt stadiumeve, pak javë më vonë, mund të jetë krejt normale. Por vallë pse nuk ndërgjegjësohemi edhe para vdekjes?

Qoftë edhe nëse Rama qenka çmendur dhe të gjithë autoritetet po ashtu?! Pse politikanët e Opozitës na sfidojnë hapur duke mos mbajtur maska?! Çfarë duhet të na mbushë mendjen, që të ruhemi?! Këtë askush nuk mund të thotë dhe duket se problemi është antropologjik. Mbase jemi një popull që nuk rritemi kurrë ose më saktë na nevojiten masat shtrënguese, sepse jemi të bindur vetëm ndaj dhunës?! Jo, po ta thuash këtë je nostalgjik, enverist, i çmendur. Aman, po të bësh konspiracione; të tallesh me shtetin tënd, ku ke vetë pjesë… je i nderuar?!

Shqetësimi nuk mbaron këtu. Nëse jemi ky popull, po autoritetet që kanë në dorë me masat e tyre të jenë më të vëmendshme pse nuk reagojnë, pse nuk marrin masat e duhura?! Pse diferencojnë në gjobat?! Pse u hapën shkollat? Pse harbojnë njerëzit në rralla të frikshme në Njësitë Tregtare, sikur të jetë fundi? Po pse nuk arrijmë të ndihmojmë të gjithë shtetin tonë?! Sa shumë pse!

Ne, nuk i bëjmë dhe kurrë nuk do t’i bëjmë se asnjëherë nuk dimë të bëjmë gjënë e duhur, përveç se të hedhim baltë dhe të ofendojmë, të hiqemi ata që s’jemi dhe të bëjmë kompetentët, që s’ishim kurrë. Ne jemi këta që jemi, ndaj Covid-19 po na ndëshkon paq, pikërisht prej ndihmës që po i japim edhe vetë dhe paqartësisë po ashtu. Ne nuk ndërgjegjësohemi dot edhe kur duhet të punojmë të gjithë që vendi të integrohet në BE, sepse edhe këtë e duam si meritë të një pale kundër tjetrës dhe jo si përkatësi që e meritojmë.  Me sa duket, kapitalizmi paska qenë sistemi i duhur që po na nxjerr ata që jemi në të vërtetë. (Javanews)

Të fundit