E enjte, 2 Maj, 2024

ANALIZË E KDP: A PO SHUHEN SHPRESAT PËR FILLIMIN E BISEDIMEVE?

Takimi i ardhshëm i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së pritet të mbahet më 7 dhjetor, kur do të duhet të merret vendimi mbi fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në një video konferencë me eurodeputët, kancelarja gjermane, Angela Merkel ka theksuar se po përballej me vështirësi në sigurimin e mbajtjes së konferencës ndërqeveritare të BE-së me Maqedoninë e Veriut. Gjithnjë e më tepër po shuhen shpresat për fillimin e bisedimeve në dhjetor

 

Analizë e KDP

 

Gjithnjë e më tepër po bëhet e sigurt që nuk do të ketë hapje të bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE gjatë presidencës gjermane që përfundon në fund të këtij viti.

Ambasadorët e BE-së nuk kanë rënë dakord për fillimin e bisedimeve të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në dhjetor, ka njoftuar Euronews.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper) ra dakord në konkluzionet e tyre se Shqipëria nuk është akoma e gatshme të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare me BE, pasi ka ende punë për të bërë për kushtet e vendosura që nga Marsi 2020.

“Ndryshe nga projekt-konkluzionet e mëparshme, propozimet e fundit të Presidencës Gjermane nuk përmendim më dhjetorin si muajin e konferencës së parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo konferencë do të mbahet kur Shqipëria të plotësojë dy kushtet e mbetura: ringritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe miratimin e ligjit anti-shpifje”, thuhet në vendimin e ambasadorëve, shkruan Euronews.

Ndërkohë, lidhur me Maqedoninë e Veriut, u deklarua se data për konferencën e parë do të caktohet sapo vendi të zgjidhë çështjet e tij me Bullgarinë. Edhe pse brenda kohës ka pasur paralajmërime se gjithçka mund të ndryshojë sa i përket Maqedonisë së Veriut, megjithatë duket se vetoja bullgare do të pamundësojë miratimin e kornizës negociuese në dhjetor.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka theksuar se po përballej me vështirësi në sigurimin e mbajtjes së konferencës ndërqeveritare të BE-së me Maqedoninë e Veriut, si dhe nuk dinë nëse do të ketë kohë që kjo të ndodhë deri në fund të presidencës gjermane të BE-së, pasi Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet të merren vesh.

“Ne i kemi kushtuar vëmendje të madhe Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit ka provuar të jetë një iniciativë e mirë që jep rezultate. Por, kemi vështirësi në mundësimin e një konference ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut. Shqipëria ka bërë një përparim të madh, por në rastin e Maqedonisë së Veriut çështja është nëse do të kemi sukses në kohë, sepse ka nevojë për bisedime midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, siç e dinë të gjithë”, ka theksuar Merkel në një fjalim në një video konferencë me eurodeputetët.

Takimi i ardhshëm i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së do të mbahet më 7 dhjetor, kur do të duhet të merret vendimi mbi fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në takimin paraprak ministror, ​​Bullgaria vuri veto për kornizën e negociatave për Maqedoninë e Veriut, pasi vendet tjera anëtare nuk ishin dakord që kërkesat e saj të përfshiheshin në kornizë. Ndërkohë presidenca gjermane përfundon në fund të vitit.

Tash për tash këto janë momentet që kanë të bëjnë me hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë që të dy vendet kishin shpresuar se përfundimisht do t’i hapin bisedimet, krejt në fund duket se rrethanat janë shfaqur të komplikuara për të dy vendet. Gjithsesi kjo shtyrje e hapjes së bisedimeve do të ngrisë temperaturat në skenën politike të brendshme.

Në Maqedoninë e Veriut tashmë opozita ka filluar protestat, të cilat janë drejtuar kundër kryeministrit Zaev, të cilin e akuzojnë për amatorizëm politik që ka sjellë deri të situata që të zgjidhet “ mes asimilimit dhe integrimeve”.

Këto janë momente historike për popullin tonë, janë momente kur vendoset për ne dhe për të ardhmen tonë, ka theksuar kreu i VMRO-DPMNE-së në një protestë para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

“Më vjen keq që në vend që të flasim për një arsim më kualitativ, për një sistem më të mirë shëndetësorë, ne sot flasim për diçka elementare që është e drejta e vet përcaktimit. Për fat të keq këto politika të qeverisë së Zoran Zaevit na sollën deri këtu që nuk e dimë nëse diskutohet për integrim apo asimilim”, ka theksuar Mickoski duke iu bërë thirrje qytetarëve që edhe nesër të bllokojnë Qeverinë dhe Ministrinë e Jashtme.

“Asnjë Memorandum, Aneks, apo Marrëveshje të re, VMRO-ja nuk do ta mbështes nëse shkelet identiteti jonë”, ka theksuar Mickoski dhe njëherit ka kërkuar që të mos politizohen dhe partizohen këto protesta.

Bullgaria ka bllokuar fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut. Ajo pretendon se gjuha maqedonase është një dialekt i bullgarishtes dhe se nuk ka asnjë pakicë maqedonase në Bullgari. Të dy deklaratat kërkohet të përfshihen në dokumentin përfundimtar që lejon fillimin e bisedimeve.

Kryeministri Zaev ndërkohë ka mbetur i fokusuar në gjetjen e zgjidhjes, duke deklaruar se në kontestin me Bullgarinë nuk bëhet fjalë për çështjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase.

Të fundit