E premte, 26 Korrik, 2024

NGĒRÇET E PARALAJMËRUARA TË DHJETORIT

Me gjasë edhe gjatë dhjetorit nuk do të mbahet mbledhja ndërqeveritare, ndërkohë që kryeministri Zaev duket se do të duhet të përballet për të mbijetuar politikisht me opozitën që tashmë ka nisur me protestat, por edhe me sulme të brendshme partiake nga figura që ” i takojnë historisë”. Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit ka kërkuar që kontesti bilateral mes Bullgarisë dhe Maqedinisë së Veriut të zgjidhet jashtë procesit të bisedimeve për anëtarësim në BE.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Tashmë është vërtetuar se në Ballkan historia mund të rishfaqet me tërë kompleksivitetin e vetë. Hanna Arendt e përkufizonte rajonin si ” atje poshtë në Ballkan”. Çështjet historike në Ballkan gjithnjë janë aktuale, ndërkohë që problemet identitare mbeten të hapura dhe iu nënshtrohen vazhdimisht interpretimeve të ndryshme varësisht nga konteksti dhe aktualizimi i tyre.

Për të kaluar në një dimension receptimesh europane duket se është e pamundur që paraprakisht të mos kalohet nëpër zonën e ” nxehtë”, nëpër ngushticën e perceptimeve dhe interpretimeve tipike ballkanike. Dhe në Ballkan politika dhe historia gjithnjë marrin dhe japin nga njëra tjetra. Madhështitë dhe çështjet identitare gjithnjë i ke aty, të gatshme për t’u ndërfutur në diskursin politik dhe publik.

Pikërisht këto kreshpërime historike dhe identitare tashmë po shfaqen në hapësirën publike dhe politike në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë një definim tjetēr dhe që kushtëzohet nga Marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë fqinje. Vetoja bullgare tashmë ka krijuar një përplasje në bllokun politik maqedonas për sa i përket kësaj marrëveshje, e cila me gjasë do ta bllokojë Maqedoninë e Veriut të mbajë mbledhjen e parë ndërqeveritare edhe gjatë dhjetorit, gjegjësisht më 8 dhjetor. Të gjitha paralajmërimet janë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë këtë vit për shkak të vetos bullgare.

Përkundër faktit që kryeministri Zaev nëpërmjet një interviste të dhënë për një agjenci bullgare ishte përpjekur që ta zhbllokojë procesin duke u futur edhe në interpretime historike për të cilën gjë tha se ka ndjeshmëri ndaj qytetarëve, përsëri zgjidhja duket e largët. Nëpërmjet një diskursi mirëkuptimi dhe miqësie Zaev ka bërë përpjekjje që të gjejë një kompromis të mundshëm gjithnjë duke u thirrur në perspektivën europiane.

Intervista e tij është pritur me kritika nga opozita maqedonase, e cila ka protestuar ndaj qëndrimeve të shfaqura nga kryeministri Zaev në këtë intervistë të cilat janë parë si një lloj” tradhëtie”. Zaevi nuk është sulmuar vetëm nga opozita. Ai ndërkohë ka marrë kritika edhe nga bashkëpartiaku i tij, ish kryetari i partisë Branko Cërvenkovski për të cilin përfaqësues të LSDM-së thanë se ” i takon historisë”. Duket se një front kundër kryeministrit Zaev tashmë ka përfshirë brenda vetes edhe figura, të cilët kanë gravituar pranë kësaj partie.

Me gjasë kjo intervistë ka hapur dy fronte përpara Zaevit, njëri i udhëhequr nga opozita maqedonasr dhe tjetri nga figura të dikurshme publike të afërta me këtë parti. Në opinion brenda kohës janë shfaqur dilema për mbijetesën politike të kryeministrit. Me gjasë kritikat ndaj tij do të vazhdojnë, ndërkohë që brenda kohës që nuk ka sinjale për fillimin e bisedimeve me BE po strukturohet një kundërshtim i fortë ndaj tij. Në kētë kontekst duket se do të përfundojë ky vit pandemik dhe do të vazhdojë edhe vitin tjetër që pritet të vijë me shumë të panjohura.

Partitë e bllokut politik shqiptar duket se deri më tash kanë qenë të kujdesshme në këtë debat identitar që vjen pas nënshkrimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, pa marrë anë, por duke theksuar perspekrivën europiane të Maqedonisë së Veriut si një rrugë e vetme dhe pa alternativë.

Ndërkohë që kanë vazhduar përplasjet mes përfaqësuesve bullgar dhe të Maqedonisë së Veriut, nga Departamenti i Shtetit Amerikan kanë kërkuar që debatet mbi historinë të ndahen nga procesi negociues. Pavarësisht nga kjo thirrje, me gjasë fillimi i bisedime gjegjësisht përcaktimi i kornizës së bisedimeve nuk do të ndodhë as brenda dhjetorit.

Të fundit