E premte, 26 Korrik, 2024

ZIGZAG: PËR MARRËDHËNIET MAQEDONO-BULLGARE

Sado ironike të tingëllojë, Kryeministri Zaev ka të drejtë të rrahë gjoks se është me përvojë: E bëri Marrëveshjen e Prespës, e bëri Traktatin e Miqësisë me Bullgarinë dhe, u bëri e po u bën ballë presioneve jo vetëm politike! Mbase i vetëdijshëm se edhe në mbamendjen tonë çudia më e madhe zgjat tri ditë – kryesocialdemokrati maqedonas po mundohet ta vendosë historinë mbi taban të fuqishëm, pa çka se oponentët po i kanosen se ‘po luan me zjarrin’!

 

Shkruan: Seladin XHEZAIRI   

 

Në intervistën e bujshme dhënë agjencisë zyrtare bullgare të lajmeve BGNES, kryeministri Zoran Zaev përdori gjithë arsenalin politik në përpjekje që të bind politikanët dhe publikun e vendit fqinj për nevojën që të dyja vendet, edhe Maqedonia e Veriut, edhe Bullgaria të jenë ‘mjaft të zgjuar për të përdorur këtë histori të përbashkët për të ndërtuar ura miqësie’. Mjerisht, ai sikur harron se historinë e shkruajnë fituesit. Paradigma historike e ‘çështjes maqedonase’, për rrjedhojë, rezulton të jetë goxha e vështirë. Faktet nga këndvështri I historiografisë jugosllave janë si vijon:  Mbas Luftës së Dytë Botërore çështja e njohjes së pakicës kombëtare maqedonase në Bullgari, dislokimi I mbetjeve mortore të Goce Delçevit nga Sofja në Shkup, ka qenë kusht për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike jugosllavo-bullgare. Bullgaria i pranoi ato dhe përligji me regjistrimin e pare të pasluftës ekzistimin e 150 mijë pjesëtarëve të kombësisë maqedonase në Maqedoninë e Pirinit. Me Traktatin e Bledit, më 1947, Jugosllavia hopqi dorë nga kërkesa për kompensimin e dëmve të luftës në shumën  25 milion dollarë duke këmbëngulur që maqedonasve në Bullgari  t’ju sigurohet e derjta për autonomi kombëtare, ekonomike e kulturore, madje-madje thuhet se objektiv përfundimtar ka qenë që Maqedonia e Pirinit t’i bashkohej federeatës së atëhershme jugosllave të Titos, ndërkohë që ‘pushteti popullor’ në Sofje drejtohej nga Georgi Dimitrov. Gjithçka dështoi me shpërthimin e konfliktit mes Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, në vitin 1948, që kur pala bullgare e ‘fshiu’ ekzistimin e çështjes maqedonase!

“Nëna Jugoslavi”, Slavko Pengov (1947), Foto: Arkivi i Nikola Zeçeviqit

Kjo është një anë e medaljes. Ana tjetër është ajo që pala bullgare vë në pikëpyetje identitetin kombëtar e gjuhësor maqedonas duke i mëshuar tezës gjithandej të njohur ‘për një popull e dy shtete’. Për të parë gjenezën e konfliktit, po sjell këndvështrimin e një historiani bullgar, Anton Pançev, shkruar në shqipe nga vet ai, mbi qëndrimin e Sofjes për gjuhën dhe historinë : ‘… Ka mjaft argumente të pastra gjuhësore, të cilat mund të provojnë se “gjuha maqedonase” po, ekziston. Midis bullgarishtes dhe gjuhës zyrtare të Republikës të Maqedonisë së Veriut në dekadat e fundit mund të vërehen dallime të ndryshme në fonetikë, në leksik etj., kryesisht për shkak të “serbizimit” të qëllimshëm të normës letrare maqedonase nën presionin e Serbisë. Por prapëseprapë, pse pala bullgare nuk pranon një situatë deri diku objektive në këtë rast? Përgjigja duhet kërkuar në dy drejtime. Së pari, në kontekstin shkencor të krijimit të “gjuhës maqedonase”, dhe, së dyti, në kontekstin e thellë historik dhe të identitetit. Krijimi i “gjuhës maqedonase” ka filluar zyrtarisht në fund të vitit 1944 dhe ka vazhduar në vitet pasuese me mjetet dhe veglat politike të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe të shtetit jugosllav (serb). Kështu “gjuha maqedonase” u krijua në mënyrë tepër artificiale, me qëllimin kryesor të largohej sa është e mundshme nga bullgarishtja. Por, ky fakt nuk është gjëja më e rëndësishme. Së dyti, duke kërkuar nga Bullgaria “njohjen zyrtare të gjuhës maqedonase”, përfaqësuesit e Maqedonisë së Veriut thjesht pretendojnë ta “përvetësojnë” kulturën, shkrimin dhe në fund të fundit historinë bullgare nga Mesjeta deri shekullin e XX. Si e bëjnë? Ata thonë se “gjuha maqedonase” paska ekzistuar që nga Mesjeta dhe letërsia bullgare, shkruar nga Shën Kliment Ohridski dhe qindra shkrimtarë pas tij, i takonte “letërsisë dhe kulturës maqedonase”! Por të gjithë autorët prej kësaj zone, që kanë shkruar në ndonjë dialekt të bullgarishtes, nga Mesjeta, nga Rilindja, nga gjysma e parë e shek XX, madje një pjesë edhe nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar, kanë deklaruar shumë qartë (shihet edhe në titujt e librave të tyre) që janë bullgarë dhe punojnë për kauzën kombëtare bullgare. Bullgaria dhe populli bullgar nuk mund të lejojnë që me njohjen e “gjuhës maqedonase” në këto rrethana dhe prapavija politike, të shkatërrohet historia dhe kultura bullgare,’- shkruan Pançev, duke u ndalur edhe në batin tjetër – atë të historisë: ‘Me Traktatin e miqësisë nga viti 2017 u krijua Komisioni i përzier për çështjet e historisë dhe të arsimit që ka për detyrë kryesore përafrimin e teksteve shkollore. Pala bullgare insiston që puna e këtij komisioni të bazohet mbi interpretimin shkencor të ngjarjeve historike duke u mbështetur mbi burimet autentike dhe mbi provat objektive. Ky komision i përbashkët nuk kishte përparime reale dhe nga vjeshta e vitit të kaluar nuk funksionon, sepse përfaqësuesit maqedonas u tërhoqën për një afat të papërcaktuar. Bullgaria dëshiron zbatimin e shpejtë të rezultateve të punës së Komisionit në librat mësimorë, si edhe vazhdimin e punës së tij në përgjithësi. Ky komision dhe çdo strukturë tjetër duhet të ngrihen punën e tyre mbi parimet e mirëfillta shkencore. Çdo qëndrim duhet të argumentohet me burime objektive. Prandaj, kur bisedohet për fugura dhe procese historike, shkencëtarët bullgarë përdorin burime dhe fakte autentike që t’i vërtetojnë tezat e tyre, derisa, për fat të keq, përfaqësuesit e Maqedonisë së Veirut janë tepër larg standardeve shkencore dhe paraqitin teza ideologjike dhe krejtësisht të pabazuara dhe të paargumentuara,’- argumenton historiani bullgar.

Për fund, i rikthehemi një konstatimi të gazetarit të agjencisë bullgare të lajmeve bërë Kryeministrit Zaev: ‘Kur Bullgaria po negocionte anëtarësimin në Bashkimin Evropian, të gjitha formacionet politike – si qeverisëse ashtu edhe opozitare, ishin të bashkuara. Ekziston diçka që nuk kuptohet në Sofje: sjellja e opozitës në Maqedoni: Kur Hristijan Mickoski u takua me Bojko Borisovin, ai miratoi Traktatin. Kur Antonio Miloshoski erdhi në Sofje, ai e donte Bullgarinë, ndjehej si  bullgar, etj. Vasko Naumovski pretendon se Bullgaria është miku më i mirë. Ata kthehen në Shkup, thonë gjëra për të cilat nuk mund të thuash se i thonë të njëjtët njerëz!’.

Mikun tim të ndjerë, Abdurrahman Alitin, në kohën kur ishte ambasador në Sofje, e pata pyetur se si ndjehej, sa ishte e vështirë që, për shkak të këtij konflikti, një shqiptar të jetë ambasador në shtetin që ka rezerva si ndaj identitetit ashtu edhe gjuhës maqedonase? ‘Më keq e kam’, më tha, ‘kur unë flas maqedonisht e shefat e mi, kur vijnë në Sofje, me mikpritësit flasin – bullgarisht’!

 

 

Të fundit