E shtunë, 18 Maj, 2024

INTERVISTA / A do mbetet Bashkimi Evropian një komunitet i demokracive?

Historiani britanik Timothy Garton Ash, flet në një intervistë për “Bloomberg” mbi rrënjët e pakënaqësisë populiste në Hungari dhe Poloni, dhe për kërcënimin që paraqet ajo mbi të ardhmen e BE-së.

Javën e shkuar, Hungaria dhe Polonia e tronditën Bashkimin Evropian duke vënë veton ndaj buxhetit 7-vjeçar të bllokut, dhe paketës stimuluese kundër pasojave të Covid, me vlerë totale 2 trilionë dollarë. Ju e keni studiuar për dekada Evropën Lindore dhe Qendrore, si e shpjegoni këtë që ndodhi?

Ajo që po ndodh është realisht tronditëse. Qeveritë populiste të Hungarisë dhe Polonisë, po mbajnë peng të ardhmen e BE-në, në mënyrë që ato të mund të vazhdojnë të marrin shuma të mëdha parash nga Brukseli, edhe pse po vijojnë të minojnë dy nga parimet më themelore mbi të cilat mbështetet Bashkimi Evropian:së pari që ai është një bashkësi e demokracive; dhe së dyti që është një komunitet i përbashkët i sundimit të ligjit.

Hungaria nën kryeministrin Viktor Orban dhe Polonia e drejtuar nga Partia Ligj dhe Drejtësisë, pretendojnë se nuk po shkatërrojnë sundimin e ligjit, dhe as nuk po ndalojnë liritë qytetare…

“Freedom House” e klasifikon sot Hungarinë si një vend pjesërisht të lirë. Unë them se ky vend nuk është më një demokraci. De fakto ai është një sistem hibrid autoritar ose gati autoritar. Polonia është më pak larg kësaj rruge, por edhe qeveria e saj populiste, po përpiqet të ecë në të njëjtin shteg.

A është e kthyeshme rrëshqitja drejt autokracisë së këtyre vendeve? Apo është tepër vonë?

Absolutisht që gjërat mund të rregullohen. Në rastin e Polonisë, mund të zhvillohen ende zgjedhje të lirë dhe relativisht të ndershme, pasi ekzistojnë media të mëdha të pavarura, parti të fuqishme në opozitë, dhe një shoqëri civile e fortë. Opozita mund të fitojë zgjedhjet e vitit 2023, dhe të nisë të përmbysë tendencat.

Në Hungari, kjo gjë është më e vështirë, pasi Orban ka thuajse gjithçka nën kontrollin e tij, përveç qyteteve të mëdha, disa mediave të vogla të pavarura, dhe disa pjesëve të caktuara të shoqërisë civile. Por kjo nuk do të thotë, se ai do të mbretërojë përgjithmonë. Opozita hungareze po koordinon veprimet. Dhe nëse sundimi i ligjit dhe demokracia në Hungari mbështetet nga pjesa tjetër e BE-së, gjërat mund të rregullohen edhe atje.

Si mbërritëm në këtë pikë, çfarë ka ndryshuar në rajon që nga revolucionet e 1989-ës?

Ajo që synohej nga të gjitha palët në vitet 1990 dhe 2000, ishte që anëtarësimi në BE do të konsolidonte demokracinë liberale në shtetet post-komuniste në Evropën Qendrore dhe Lindore, ashtu siç ndihmoi në konsolidimin e demokracisë në vende si Spanja dhe Portugalia pas diktaturave të tyre.

Kjo gjë ndodhi për një farë kohe. Por rezultoi që ndërsa vendet duhej të respektonin standardeve më të larta evropiane që të pranoheshin në klub, kur u bënë pjesë tij, mund të bënin gjithçka që donin. BE është i vetmi organizëm që unë njoh në histori, ku duhet të respektosh rregullat para se të bëhesh anëtar, por pasi anëtarësohesh mund t’i shkelësh ato. Në vitin 2010, Orban u zgjodh përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pastaj filloi të çmontonte sistematikisht demokracinë, duke shfrytëzuar një valë pakënaqësie popullore ndaj liberalizimit dhe globalizimi.

Një nga defektet e mëdha të BE-së, është mungesa e një mekanizmi për t’i ndëshkuar ose dëbuar nga unioni vendet që bëhen jo-demokratike. A sugjeron mosmarrëveshja e fundit, se BE mund të ketë ose sundimin e ligjit ose integrimin fiskal, por jo të dyja bashkë?

Frika ime më e madhe, është që mekanizmi i kushtëzimit të sundimit të ligjit, që tashmë është më i dobët se ai që propozoi në fillim Komisioni Evropian, do të dobësohet edhe më tej. Unë mendoj se rezistenca është e vetmja gjuhë që kupton Viktor Orban. Nuk po them të sakrifikohet e gjithë paketa prej 1.8 trilionë eurosh. Por nëse në fund të ditës, duhet të bëni një kompromis, mos u dorëzoni mbi këtë çështje.

A është ekzistencial për BE-në, debati mbi sundimin e ligjit dhe vlerat liberale?

Asgjë nuk mund të jetë më ekzistenciale se kaq. Nëse Bashkimi Evropian nuk është një komunitet i demokracive, dhe nuk e mbron shtetin e ligjit, unë nuk e di nëse mund të quhet ende një bashkim.

Si do jetë fundi i kësaj historie? A do të mbetet BE një bllok i demokracive të hapura dhe liberale?

Në një perspektivë 10-vjeçare, BE do të mbijetojë si një komunitet i demokracive liberale, ose gradualisht do të shpërbëhet. Një nga arsyet pse jam optimist mbi këtë mbijetesë, është ajo që shohim në Poloni dhe Hungari. Kur demokracia dhe liria kërcënohen, njerëzit dalin në rrugë dhe luftojnë për të.

Marrë me shkurtime nga Bloomberg – bota.al

Të fundit