E shtunë, 27 Korrik, 2024

A DO T’IA MARRË INTERVISTA “KOKËN” ZAEVIT?!

Intervista e kryeministrit Zaev ka ngjallur reagime të shumta në skenën e brendshme politike. Pas reagimeve dhe paralajmërimeve për protesta të opozitës maqedonase, në ndërkohë ka reaguar edhe ish lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, i cili intervistën e ka cilësuar si skandaloze. Ai ka kërkuar mbledhjen këshillit të partisë për të shqyrtuar qëndrimet e Zaevit në intervistë. Duket se para kryeministrit Zoran Zaev ndodhet një periudhë e vështirë që nuk dihet nëse do të mund ta mbijetojë politikisht.

KDP

Vetoja bullgare ka krijuar reflektime tjera në Maqedoninë e Veriut. Ideja për ta zhbllokuar këtë proces, që nënkupton edhe fillimin e bisedimeve me BE-në, me gjasë i ka imponuar kryeministrit Zaev që të reflektojë brenda kohës. Në një intervistë të dhënë për agjencinë e lajmeve bullgare “BGNES”, kryeministri Zaev ka theksuar se mes tjerash se bullgarët nuk janë fashistë, por miqtë tanë, se gjatë Luftës së Dytë Botërore bullgarët ishin administratorë në fillim, por më pas u bashkuan me frontin antifashist dhe ushtritë bullgare dhe maqedonase së bashku çliruan Kriva Pallankën, Kumanovën dhe Shkupin. Ai gjithashtu ka theksuar  se politikanët nga ish Jugosllavia i mbajtën bullgarët dhe maqedonasit të ndarë.

Pikërisht këto prononcime në këtë intervistë kanë ngjallur reagime të shumta në skenën e brendshme politike të Maqedonisë së Veriut. Përkundër faktit që gjatë ditës së sotme, kryeministri Zaev është përpjekur ta shpjegojë qëllimin e kësaj interviste, megjithatë në opinion kanë vazhduar reagimet e ashpra. I menjëhershëm ka qenë reagimi i liderit i partisë opozitare maqedonase, Hristian Mickovski, i cili përmes një shkrimi në Facebook ka bërë thirrje për protestë, duke theksuar se vendi gjendet në moment historik dhe sipas tij “ose do të tregojmë që meritojmë shtet ose do të zhdukemi”.

“Nuk ka maqedonas që nuk ndihet i turpëruar nga intervista, ku Zaev me buzëqeshje dhe me duar të kryqëzuara tregonte gjëra të pavërteta për popullin e tij. Nëse Zaev i shpall okupatorët si çlirimtarë, atëherë antifashistët maqedonas – partizanët që janë çlirimtarët e vërtetë, Zaev i bën okupatorë, dhe meqenëse lufta antifashiste dhe Çlirimtare e Popullit, si dhe lufta e Ilindenit bazohet në shtetësinë maqedonase, atëherë rezulton se Zaev po heq dorë nga shtetësia maqedonase. Kjo nuk është aspak naive, gjendemi në momente historike ku ose do të tregojmë që meritojmë shtet ose do të zhdukemi. Prandaj protesta tani, që të mos bëhet vonë! Mbroni veten, mbani maskë, mbani distancën. Shihemi në rrugë”, ka shkruar Mickoski.

Reagimeve iu është bashkëngjitur edhe ish-presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, i cili pas 7 vitesh heshtjeje në skenën politike, sot për herë të parë ka reaguar ndaj intervistës së pasardhësit të tij në LSDM, kryeministrit aktual, Zoran Zaev. Ai e ka quajtur këtë intervistë skandaloze, ndërkohë që ka ngrirë anëtarësimin në LSDM.

“Në periudhën pas formimit të Qeverisë me në krye LSDM-në, nuk dola në publik që të mos çoj në situatë që të konfrontohem ose publikisht të kritikoj disa politika dhe hapa të partisë sime. Situata të tilla kishte disa herë. Ky qëndrim i imi do të vazhdonte edhe në të ardhmen nëse nuk do të ndodhte intervista skandaloze e Kryeministrit dhe kryetarit të partisë sonë, Zoran Zaev. Qëndrimet dhe tezat e thëna në atë intervistë kanë shkaktuar dhe do të shkaktojnë pasoja të rënda dhe afatgjata për popullin dhe shtetin maqedonas”, ka shkruar Cërvenkovski në reagimin e tij drejtuar mediave.

Brenda kohës, kryeministri Zoran Zaev ka dhënë shpjegime plotësuese për këtë intervistë, duke theksuar se ndjen obligim që të vazhdojë rrugën drejt zgjidhjes së çështjes së hapur nga Bullgaria me qëllim vazhdimin e rrugëtimit evropian.

“Unë kam detyrim ndaj qytetarëve maqedonas të inkurajojnë lëvizjen drejt zgjidhjes së çështjeve që janë hapur nga Republikën e Bullgarisë dhe që janë bërë pengesë për miratimin e kornizës për negociata me Bashkimin Evropian. Të dy popujt, maqedonasit dhe bullgarë, duhet të përballen me çështjet e historisë dhe të zhvillojnë kapacitet për mirëkuptim dhe falje. Popujt e Evropës kanë rënë dakord të mos harrojnë, por të falnin njëri-tjetrin. Për te ardhmen. Për shkak të së ardhmes së përbashkët në Bashkimin Evropian që është një shembull se si në emër të së ardhmes, ndryshimet më të thella dhe konfliktet historike u lanë në të kaluarën”, ka theksuar Zaev.

Ai ka shtuar se shtetësia e vendit bazohet në veprat e antifashizmit, por që sot nuk duhet që fashizmit t`i jepet ngjyrim nacional.

“Shtetësia jonë bazohet në veprat e antifashizmit. Liria jonë është rezultat i antifashizmit. Populli maqedonas arriti sovranitetin e tij në kuadër të KAÇKJ-së në Jugosllavi dhe arriti idealin e tij shekullor të shtetit të vet me KAÇKM-Maqedoni. KAÇKM është një konfirmim historik i gjuhës sonë maqedonase dhe identitetit tonë maqedonas. Por identifikimi fashizmit me karakteristikave etnike është e papranueshme. Qoftë kjo për Bullgarinë apo në ndonjë kontekst tjetër”, ka theksuar Zaev.

Pas kësaj interviste ka reaguar edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov, i cili ka theksuar se intervista e kryeministrit Zoran Zaev për agjencinë BGNES, paraqet një hap i vogël në drejtimin e duhur.

“E përgëzoj Zaevin për këtë. Ai ka mbledhur guxim, për çka disa nga kundërshtarët e tij e kritikojnë. Nëse vazhdohet kështu, mendoj se vitin e ardhshëm mund të flasim për fillimin e procesit negociues”, ka deklaruar Karakaçanov.

Me gjasë kjo intervistë e kryeministrit Zoran Zaev do të jetë në epiqendër të përplasjeve politike në skenën e brendshme. Duket përveç përplasjes me partitë opozitare maqedonase, Zaev do të përballet edhe me reagime brenda partisë së tij. Reagimi i ish liderit të kësaj partie Branko Crvenkovski duhet të shihet pikërisht në këtë drejtim, ndërkohë që bashkëpartiakja, Radmilla Sheqerisnka ka theksuar se kryeministri ka pasur si qëllim hapjen e dyerve për bashkëpunim me të vetmin qëllim vazhdimin e procesit të integrimeve, gjegjësisht fillimin e bisedimeve me BE-në.

 

Të fundit