E diel, 19 Maj, 2024

KRIVOKAPIQ PUBLIKON EMRAT E MINISTRAVE: QEVERI E KOS-it DHE PARTISË ‘URA’

Në Mal të Zi, i mandatuari për formimin e Qeverisë, Zdravko Krivokapiq, ka paraqitur përbërjen e kabinetit të tij në të cilin nuk figurojnë emrat e liderëve të partive politike  nga koalicioni fitues. Qeveria do të përbëhet nga ekspertë dhe për momentin është e mundshme në qënë postin e ministrit të Mbrojtjes të jetë vetëm lideri properendimor i partisë Ura, Dritan Abazoviq. Zgjidhjet kadrovike të propozuara nga Krivokapiq, sipas analistëve, nuk i kanë shpëtuar ndikimit të Kishës Ortodokse Serbe, në këtë vend, e cila vë në pikëpyetje identitetin kombëtar e fetar të malazezëve.

Zdravko Krivokapiq ka bërë të ditur se kabineti i tij do të ketë gjithsej  12 ministri dhe nuk do të ketë zëvendëskryeministra. Kryeministri i ardhshëm ka përzgjedhur emra për të cilët tha se është i bindur se do t’ia dalin t’i çojnë punët përpara, në radhë të parë për shkak të profesionalizmit të tyre në fusha të caktuara:‘Këtë përqasje e kemi lidhur me zgjedhjen e profesionistëve të cilët mund t’i përgjigjen punës ekipore, për shkak se ne dëshirojmë të veprojmë si ekip, jo që ministri të jetë një njeri i cili do të caktojë gjithçka në ministrinë e tij, por që me veprim të përbashkët, me aksione ekipore dhe ajo që është më kryesorja – me veprimin e përbashkët e në interes të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi,’- ka deklaruar Zdravko Krivokapiq.

Zgjidhjet e propozuara prej tij kanë hasur në pakënaqësi tek partnerët e koalicionit qeverisës në radhë të parë në të ashtuquajturin ‘Front Demokratik’ për shkak të mospërfshirjes së tre liderëve të tij në pushtetin ekzekutiv. Ndërkaq, analistët thonë se në mesin e ministrave të propozuar vërehet afërsia e tyre me Kishën Ortodokse Serbe: ‘Më duket se zgjedhja e kësaj Qeverie është e atillë që keni Qeverinë e Kishës Ortodokse Serbe dhe keni Qeverinë e partisë politike ‘URA’. Ajo që ndodhi është se partitë të cilat morën një mbështetje të konsiderueshme të qytetarëve, sikurse është koalicioni rreth Frontit Demokratik dhe Demokratët, mbetën pa anëtarë të vet në Qeveri, që është goxha absurde në sistemin parlamentar,’- ka deklaruar për Servisin Publik malazez analisti politik Zlatko Vujoviq. Duke folur për figurat e propozuara për kabinetin qeverisës ai vlerëson se, me përjashtim të kuadrove nga partia e Dritan Abazoviqit fjala është kryesisht për njerëz ‘të tubuar rreth strukturave të radikalizuara të Kishës Ortodokse Serbe’ intenca e të cilëve ka për të qenë ndërrimi i identitetit – gjithë kjo nëpërmjet ministrisë së Kulturës dhe Arsimit.

Kohë më parë, studiuesi dhe ekonomisti i njohur Vladimir Gligorov, pati shprehur rezerva për mundësinë që Kisha Serbe të heq dorë nga politika edhe për shkak të faktit se vetë kreu i qeverisë së re Zdravko Krivokapiq u gjet në këtë post pikërisht me propozim të kësaj kishe që ka vënë në pikëpyetje identitetin kombëtar e gjuhësor malazez.

Të fundit