E shtunë, 27 Korrik, 2024

VJENA DHE KODI EUROPIAN SHQIPTAR

Pavarësisht nga gjithë problemet që janë të pranishme, të formave të pakontrolluara të ligjërimeve fetare mercenare, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë kodin e etnisë të kristalizuar përgjatë rrugës së historisë si substancë europiane dhe në asnjë rast nuk mund të identifikohen me një akt terrorizmi që mbetet në rrafshin e identitetit singular. Shqiptarët e Maqedonisë kanë simbolet e veta identifikuese siç është nobelistja Nënë Tereza, nobelisti Ferid Murati, ilimunistja Sevasti Qiriazi, rilindasi Josif Bageri etj. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë pjesë e konstantave identitare shqiptare dhe bashkë me këtë pjesë e identitetit europian. 

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Vjena është përgjakur mbrëmë nga një akt terrorist. Një akt makabër që na trishton të gjithëve. Një akt që ka tronditur botën e civilizuar dhe që na bën të kuptojmë se e keqja përvijohet nën petkun e kauzave religjioze ekstreme që në esencë janë mashtruese dhe fare nuk kanë të bëjnë me përndritjen, me transadentalen që e ofron feja.    

Siç bëhet e ditur tashmë nga mediat njëri ndër sulmuesit ka qenë një i ri shtetas austriak me prejardhje shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Identiteti i vrasësit padiskutim se mbetet singular dhe në asnjë rast nuk mund të gjenerealizohet, duke përligjur fajësi të një kolektiviteti në këtë rast, sepse asnjë paralelizëm nuk mund të krijojë një perceptim tjetër mbi qenësinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, e cila me gjithë turbulencat dhe degjenerimet që i ndodhin në esencë mbetet europiane dhe e orientuar drejt këtyre vlerave. 

Por, ky rast, pavarësisht se nuk mund të ndërlidhet me identitete tjera përveçse me identitetin individual të vrasësit, na vendos përpara një shqetësimi dhe reflektimi të madh kulturor, që tash e tutje duhet gjithnjë e më tepër ta theksojmë. Në fakt ky shqetësim përfaqëson një imteprativ të pakthyeshëm për të luftuar çdo formë degjeneruese, çdo formë të ligjërimeve fetare të paverifikuara që shërbejnë si frymëzim për radikalizim dhe për të instaluar forma bizare ideologjish ekstreme që vijnë përmes instrumentalizimesh të rrymave të paidentifikuara që kërkojnë të zhbëjnë indin shqiptar.

Mes islamit tradicional dhe këtyre rrymave ka një dallim esencial që ndërlidhet me vetë identitetin kulturor të shqiptarëve. Islami tradicional, i vërtetë, ai i cili ka qenë i pranishëm dhe i kultivuar ndër shekuj të shqiptarët është në përputhje të plotë me njësinë kombëtare, me matricën kulturore të shqiptarëve që mbetet thellësisht europiane. Ndërsa rrymat tjera, që me kohë janë identifikuar gjithandej si ligjërime ekstreme agjendash dhe kauzash të panjohura janë në fakt sulmi më i keq që mund t’i bëhet pikërisht kësaj harmonie shekullore, të binomit fe dhe komb, duke e ruajtur secila sferën e qenësisë së vetë. 

Pavarësisht se nuk pranohet dhe në shumë raste relativizohet këto diskurse fetare ekstreme janë të pranishme ndër ne, sidomos në botën e internetit dhe veprojnë duke kërkuar që nga shqiptari të krijojnë një qenie krejtësisht tjetër, një qenie pa këtë matricë kombëtare europiane, e cila është kristalizuar në rrugën e historisë së dhimbshme të shqiptarëve. Gjatë tërë kohës ka pasur përpjekje të vazhdueshme përmes formave perfide që këto diskurse të marrin dukje në hapësirën publike, duke e zhvendosur problemin e shqiptarëve nga rrafshet reale të afirmimit të tyre, në kauza tjera, të cilat mbeten misterioze dhe me plot rreziqe për konstantat identitare të shqiptarëve. 

Këto probleme të pranishme në hapësirën shqiptare nuk mund të injorohen, pavarësisht se nuk mund të krijohen paralelizma fajësie me rastin e ushtrimit të terrorit nga një “i frymëzuar” që mund të ketë prejardhje shqiptare. Identiteti i një vrasësi nuk mund të determinohet nga identitetet kolektive dhe as fajësia nuk mund të gjeneralizohet. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë si gjithë shqiptarët e tjerë dhe si gjithë popujt tjetër të civilizuar. Një rast terrori që mund të ketë një bacground prejardhje shqiptare, në asnjë rast nuk mund të nënkuptojë gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. 

Pavarësisht nga gjithë problemet që janë të pranishme, të formave të pakontrolluara të ligjërimeve fetare mercenare, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë kodin e etnisë të kristalizuar përgjatë rrugës së historisë si substancë europiane dhe në asnjë rast nuk mund të identifikohen me akt terrorizmi që mbetet në rrafshin e identitetit singular. 

Shqiptarët e Maqedonisë kanë simbolet e veta identifikuese siç është nobelistja Nënë Tereza, nobelisti Ferid Murati, ilimunistja Sevasti Qeriazi, Josif Bageri etj. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë pjesë e konstantave identitare shqiptare dhe bashkë me këtë pjesë e identitetit europian. 

Sigurisht, kjo substancë, ky orientim historik i shqiptarëve, në asnjë rast nuk duhet të na lë indiferentë ndaj formave bizare të predikimeve të dyshimta mercenare fetare, të cilat atakojnë pikërisht këtë orientim historik dhe kulturor të shqiptarëve. 

Vjena mbetet kryeqendra e performimit historik të shqiptarëve. Pa Vjenën shqiptarët do të ishin në rrugët qorre të historisë. Mjafton të rikujtojmë këtu Kultusprotektoratin e Vjenës që i dha impulset jetike identitetit shqiptar dhe krijimit të shtetit shqiptar. Miqësia e shqiptarëve me Europën mbetet historike, pavarësisht nga eklipset që janë shfaqur në rrugën e historisë dhe eklipseve që po krijohen ndërkohë nëpërmjet formave morbide dhe bizare rrymash mercenare. 

Është koha që të gjithë së bashku të reflektojmë në këtë rrugë, që të afirmojmë pandërprerë kodin europian shqiptar si një vlerë e përhershme historike dhe si aspiratë e pjesës dërrmuese të shqiptarëve. Në duhet të jemi pranë kësaj ndjeshmërie, duke refuzuar parezervë çdo përçudnim që vjen përmes mercenarëve që kanë agjenda të ndryshme nga ato që i ka kombi shqiptar.  

Të fundit