E shtunë, 27 Korrik, 2024

Të çmendurit dhe hajdutët e politikës

Shkruan: Artur Ajazi

Në Shqipëri ka afro 30 vjet që është konturuar tanimë kasta e politikanëve të pasur, e politikanëve të paskrupullt, e politikanëve të korruptuar, të inkriminuar, që së fundi rezultojnë  edhe të çmendur. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur pas çdo ngërçi, krize apo bojkoti institucional, mes politikanëve shqiptarë, futen ndërkombëtarët. Kur pas çdo tentative për të bërë shtetin, ndodhin drama dhe tragjedi njerësore, dhe  dhe sërish tek ne vijnë ndërkombëtarët. Degradimi mendor i personalitetit, mbetet faktori kryesor që një pjesë e mirë e politikanëve në Shqipëri, gjendet sot në mes të rrugëtimit të vendit drejt integrimit europian si pengesa kryesore. Ata janë e shkuara, por edhe shkaku që vendi sot lëngon mbi rrënojat dhe krimet e 30 viteve tranzicion i tejzgjatur. Ata janë hajdutët e pronave, shkelësit e ligjit, shkatërruesit e institucioneve, baltosësit e Kushtetutës, dhunuesit e vlerave qytetare të këtij vendi.

Gjithçka ka nisur pas 1992. Natyrisht që ka patur një plan ogurzi, që pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, që Shqipëria të  rrudhej, fshatrat të braktiseshin, vendi të shkretohej, pasuritë e vendit të vidheshin apo shiteshin për 5 lekë. Ai plan u zbatua pikëpërpikë, nga ata që sot ulurasin për “vjedhjet dhe korrupsionin e qeverisë Rama”, nga ata që e rrethuan Tiranën dhe Durrësin nga barraket mesjetare me të gënjyer dhe të mashtruar, të cilët i përdorën si kavie për votat dhe betejat e tyre vrastare politike  dhe jo vetëm. Nuk ka vend në botë, të mbajë në politikë të çmëndurit dhe hajdutët siç i mbajmë akoma ne, nuk ka vend në botë të tolerojë delirantët dhe matrapazët e politikës, tek i sheh tu bëjnë moralin dhe tu kërkojnë  pushtetin shqiptarëve, sikur të mos ketë ndodhur asgjë madje. Shqipëria  ka nevojë urgjente për spastrimin e politikës, si një ndër fushat e “minuara” që pengojnë reformat, zhvillimin, projektet e transformimit rrënjësor të vendit, qasjen ndaj BE, dhe përsosjen e institucioneve ligjzbatuese.

Të çmëndurit dhe hajdutët e politikës, janë sot “lënda e parë” për organet e reja të drejtësisë. Ata janë shtuar si vemjet, dhe kanë akoma influencë në partitë që komandojnë. Ata kurrë nuk kanë patur kurajon të drejtojnë forcat e tyre politike mbi rezultate votimesh të lira, ata kurrë nuk kanë patur kurajon të përballen brënda partive të tyre me fjalën e lirë, por kanë shtypur gjithçka që lidhej me demokracinë, duke deformuar gjithçka me mjetet e dhunës verbale dhe fizike. Për afro 30 vjet në politikën shqiptare, sunduan bajraktarët e shitur, mercenarët e blerë nga shërbimet e huaja, duke shpërfytyruar çdo bukuri njerësore dhe natyrore të vendit. Ata sot janë personazhet e një “epoke para gjyqit”, për të cilët drejtësia e re, duhet të mos heshtë. Ata kanë paranë, ata kanë blerë detin, rërën, malet, fushat, ata kanë blerë për afro 3 dekada vota shqiptarësh dhe kanë rrëmbyer pushtetin, dhe po synojnë sërish të bëjnë të njëjtën gjë edhe në 25 Prill 2021, për të risjellë dramën elektorale. /Javanews

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Të fundit