Deklaratat e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë dhe në Beograd, lidhur me çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kanë dykuptimësi, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike Agon Maliqi dhe Bekim Baliqi.
Lajçak gjatë qëndrimit në Prishtinë, më 15 tetor ka deklaruar se lidhur Asociacionin ekzistojnë marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, si dhe vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese, e cili ka thënë se Asociacioni duhet të formohet në përputhshmëri me vendimin e kësaj gjykate.
“Hapi i parë që duhet të diskutojmë është statuti dhe kjo është ajo çfarë presim. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Marrëveshja do të fillojë të zbatohet pas nënshkrimit”, ka thënë Lajçak në Prishtinë.
Por, në Beograd, po të njëjtën ditë, Lajçak kishte deklaruar se autoritetet e Kosovës i kanë thënë se do t’i përmbushin obligimet nga marrëveshjet në Bruksel, përfshirë edhe formimin e Asociacionit. Siç ka thënë ai, qëndrimi i BE-së është që Serbia dhe Kosova duhet të bisedojnë “për procese shumë të rëndësishme dhe se është e logjikshme që Kushtetuta të ndryshohet”.
“Për këtë askush nuk më tha se është e pamundur. Kushtetuta nuk është Bibël”, ka thënë Lajçak.
Dialogu në ngecje, ‘topi’ te BE-ja
Bekim Baliqi, profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat me dykuptimësi të Lajçakut janë kundërproduktive për vetë procesin e dialogut. Sipas tij, deklarata e Lajçkut në Beograd është një lloj ultimatumi për Prishtinën, por këtë nuk e bëri ndaj Beogradit.
“Pamë që palës serbe nuk i dha një lloj ultimatumi që edhe ata duhet ta ndryshojnë Kushtetutën. Pra, nëse Kushtetuta nuk qenka Bibël për ne, atëherë Kushtetuta nuk duhet të jetë Bibël as për Serbinë. Do të ishte gabim dhe jokorrekte që t’i kërkohet Kosovës që të bëjë një koncesion të radhës, gjë që do të mund të ishte pastaj fatale për vetë funksionimin e shtetit të Kosovës. Unë e kuptoj këtë si një lloj ultimatumi, ndaj të cilës, pala e Kosovës duhet të barrikadohet, e themi në kuptimin diplomatik, si dhe të përcjellë mesazhin se kompromise të tilla nuk janë të mirëseardhura në Kosovë”, theksoi Baliqi.
Analisti Agon Maliqi thotë për Radion Evropa e Lirë që pas deklaratave dykuptimëshe të Lajçakut dhe qëndrimeve të ngurta të të dyja palëve, të Kosovës dhe të Serbisë, lidhur me kompetencat e Asociacionit, topi tashmë mbetet te Bashkimi Evropian. Pa sqarimin e kësaj çështjeje, sipas tij, nuk do të ketë vazhdim të dialogut ndërmjet dy vendeve.
“Tani jemi në pikën e ngecjes dhe me gjasat më të mëdha që të vazhdojë status quo-ja, sepse nëse insistohet që të diskutohet me Serbinë për kompetencat e statutit (të Asociacionit) qysh tani, atëherë e shoh të vështirë pjesëmarrjen e Kosovës. Ndërsa, nëse insistohet që kjo punë të lihet për më vonë ose për në fund, atëherë Serbia e ka bërë të qartë që nuk është e interesuar që të vazhdojë. Kështu që, i mbetet arbitrit, në këtë rast BE-së, por edhe Francës dhe Gjermanisë mbi të gjitha, për ta çuar këtë çështje në nivel pak më të lartë politik”, theksoi Maliqi.
Veprimet e Serbisë për të fajësuar Kosovën
Të dy njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se insistimi i Serbisë që të bisedohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por edhe deklaratat e Lajçakut për ndryshimet kushtetuese eventuale, janë grackë e cila çon drejt bllokimit të procesit të dialogut.
Profesor Baliqi shpreh mendimin që në rast se Kosova do të pranojë që të hyjë në, siç i quan ai, lojërat politike për ndryshimet kushtetuese, atëherë Dokumenti i Ahtisarit, i cili është në themelin e Kushtetutës së Kosovës, si dhe mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia e vendit në vitin 2008, do të tejkalohet. Kjo sipas tij do të çonte në rishikimin e kornizës së deritashme të funksionimit të sistemit në Kosovë.
“Serbia, deri vonë, nuk ka insistuar për Asociacionin fare. Pra, prej vitit 2015, çështja e Asociacionit ka qenë gati se tabu. Arsyeja pse Serbia po e ngritë këtë temë, është që të rritet presioni publik i opinionit publik në Kosovë, në mënyrë që të dështojë i gjithë ky proces dhe pastaj të hidhet faji te pala e Kosovës, se kinse nuk janë të gatshëm për kompromis dhe se nuk kanë me kë të merren vesh”, theksoi Baliqi.
Edhe analisti Maliqi shpreh mendimin që kushtëzimi aktual i Serbisë për Asociacionin është vetëm përpjekje për ta frenuar dhe bllokuar dialogun, duke e ditur situatën e brendshme në Kosovë. Sipas tij, Serbia është e interesuar që dialogu të dështojë, por duke e kornizuar këtë si për faj të Kosovës.
“Prandaj, kjo është një bllokadë, të cilën Serbia e krijon në këtë moment. Së dyti, në dy-tri javët e fundit, paralelisht me këtë bllokadë politike të Serbisë, kemi parë një fushatë jashtëzakonisht aktive mediale dhe propagandistike të dezinformatave me burim nga Serbia dhe nga mediat me lidhje ruse, për ta tensionuar situatën brenda Kosovës dhe për ta thelluar polarizimin brenda Kosovës. Këtë unë e lexoj si përpjekje të Serbisë që së pari ta bllokojë dialogun në nivelin politik, duke vendosur kushte që janë të papranueshme dhe së dyti, që t’ia bëjë Kosovës pozitën negociuese sa më të vështirë, me synimin që dialogu do të shtyhet ose të vonohet dhe që kjo të bëhet për fajin e Kosovës”, theksoi Maliqi.
Analisti Maliqi ka shtuar që presioni eventual i BE-së ndaj Kosovës, do të jetë i pafrytshëm dhe si rezultat të vetëm mund të jetë destabilizimi i situatës politike dhe shkuarja në zgjedhje parlamentare të reja. Kjo sipas tij, do të rezultonte me krijimin e një qeverie të re të Kosovë, e cila do të kishte edhe më pak gatishmëri për të bashkëpunuar për dialog.
Por, megjithatë, siç thotë Maliqi, dialogu Kosovë-Serbi që zhvillohet në Bruksel, do të mbetet në pikën në të cilën është tani, deri pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat mbahen më 3 nëntor. Deri atëherë, të dy palët, Kosova dhe Serbia do të përpiqen t’i forcojnë pozicionet e veta.
Lidhur me deklaratat e Lajçakut, deri më tash ka reaguar vetëm kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se ajo që ka deklaruar Lajçak në Beograd, “absolutisht nuk është e vërtetë” dhe se ajo ia ka thënë të kundërtën, pra që për themelimin e Asociacionit “duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Ndaj deklaratave të Lajçakut në Beograd, ka reaguar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, duke thënë që ndryshimi i Kushtetutës mund të rikthejë idenë e shkëmbimit të territoreve. Deri më tash, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, nuk ka bërë asnjë koment lidhur me deklaratat e Lajçakut.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi.
Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për parimet e themelimit e këtij Asociacioni. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se në 23 pika të marrëveshjes, parimet nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se Asociacioni do të themelohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, por pas arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellë me Serbinë.
Autoritetet e Beogradit, kanë insistuar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të formohet menjëherë dhe që kjo çështje të jetë temë për negocim në kuadër të dialogut aktual në Bruksel, gjë të cilën e kanë refuzuar autoritetet e Prishtinës.
Çka është Asociacioni?
Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një bashkësi që mbledh rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanica, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Beogradi dëshiron që përmes këtij organizmi, të rrisë edhe më shumë ndikimin e tij në Kosovë. Mirëpo, autoritetet kosovare kanë përsëritur disa herë që nuk do të pranojnë një Asociacion me kompetenca ekzekutive.
Sipas Prishtinës, një bashkësi e tillë me kompetenca ekzekutive do t’i ngjasonte Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe do ta cenonte pavarësinë dhe sovranitetin e vendit.
/REL