E shtunë, 27 Korrik, 2024

“GOMARI”, “PARUKERIA” APO BULLGARIA: CILI ËSHTË RREZIK MË I MADH PËR NISJEN E NEGOCIATAVE ME BE?

Në analizën e publikuar më 20 shtator (“Kontesti me Bullgarinë, një tjetër pengesë e rrezikshme”) paralajmërova se mosmarrëveshja me Bullgarinë mund të paraqesë një pengesë serioze për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në, të cilat Shkupi i dëshiron në dhjetor. Por, pandëshkueshmëria ndaj figurave të partive në pushtet mund të jetë një pengesë edhe më e madhe.

Autor: Xhelal Neziri

Gjatë javës së kaluar në opinion u plasuan dy afera që lidhen me Agjencinë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet (AKPAEM): e para, për ndarjen e granteve prej 270 mijë euro për një kompani me adresë në një parukeri, dhe e dyta – për një grant prej 83 mijë ero, ku midis tjerash, parashihet trajnimi i gomerëve.

Gjithçka filloi javë më parë kur persona të punësuar në Agjenci e njoftuan Komisionin Anti-korrupsion se ka keqpërdorime të fondeve evropiane. Erasmus Plus, Euridica, Europas dhe Euroguidance janë katër programet ku dyshohet se janë keqpërdorur mjetet. Drejtoresha e Agjencisë, Lidija Dimova, refuzoi të dorëhiqet duke pretenduar se nuk ka keqpërdorur mjetet, por se heton keqpërdorimin e milionave evropiane gjatë viteve të fundit.

Këto zhvillime po kalojnë në heshtje dha pa trazimet e pritura të Prokurorisë Themelore apo të Komisionit Anti-korrupsion. Kjo mungesë vendosmërie veprimi institucional sfidon qeverinë e Zoran Zaev dhe zv/kryeministrin Lubço Nikollovski, i cili është i ngarkuar për luftë kundër korrupsionit. Aq më tepër kur Dimova është funksionare e lartë e LSDM-së së Zaevit.

Vëmendje të pritur këto skandale nuk morën as nga media që karakterizohet si e pavarur. Në agjendën publike dominuan pandemia dhe mosmarrëveshja me Bullgarinë. Në këtë temë kishim përplasje midis “të vërtetave” të stërzmadhuara të mediave pro-qeveritare dhe pro-opozitare, por jo edhe trajtim më serioz të këtyre aferave.

Përherë ka një lidhje partneriteti midis mediave dhe politikës. Është një raport i interesit të ndërsjellë: politikës i nevojiten mediet për të plasuar të vërtetën e saj dhe për të krijuar një opinion publik në favor të qëndrimeve që përfaqëson, derisa medies i nevojitet politika për të shuar kureshtjen e opinionit lidhur me vendimet që marrin të zgjedhurit e tyre, e që kanë efekt të drejtpërdrejtë mbi kualitetin jetësor të qytetarëve të një shteti apo shoqërie.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut përherë ka qenë qendra kryesore e fuqisë politike, që ka pasur kontroll mbi opinionin publik në vend. Ajo përcakton temat e debateve publike, prioritetet e shoqërisë dhe kanalizon opinionin publik kah fushat ku pretendon se ka ose mund të ketë sukses. Kontrolli i mendimit publik paraqet një operacion të ndërlikuar. Ky operacion është kyç në ndërtimin e qëndrimit të qytetarit ndaj veprimeve të qeverisë, ndaj përcaktimit të çështjes prioritare për një shoqëri apo edhe të krijimit të një realiteti virtuel konform qëllimit të paramenduar të pushtetit.

Shkencëtarët amerikanë Donald Sho dhe Maksvell Mekombs në vitin 1968 kishin bërë një studim për të matur se në çfarë mase është fuqia e politikës për të përcaktuar çështjet prioritare të një shoqërie. Studimi mori emrin e qytetit Çapell Hill në Karolinën Veriore, aty ku ishte kryer hulumtimi.  Në realitet, studimi kishte të bëjë me fuqinë e mediave për të përcaktuar temat me interes për opinionin, por në prapavijë të këtyrë mediave si zakonisht qëndronte një qendër e caktuar e fuqisë politike. Rezultatet kishin dëshmuar një ndërveprim të fuqishëm midis propagandës politike, të  zbatuar nëpërmjet mediave, dhe përcaktimit të temave me interes publik në opinion. Studimi “Çapell Hill” konfirmoi se opinioni, në mungesë të informacioneve reale, nuk është në gjendje të imponojë apo të përcaktojë temat që realisht janë në interes të tyre. Politika tashmë përcakton agjendën e opinionit, varësisht nga temat ku pretendon të shkëlqejë më shumë dhe për rrjedhojë të fitojë simpatinë e votuesve.

Mungesa e trajtimit të skandaleve dhe lartësimi i mosmarrëveshjes me Bullgarinë si problem kryesor, tregon se në Maqedoninë e Veriut nuk mund të flasim dhe t’i qasemi këtij raporti si ndaj një vendi me demokraci të konsoliduar. Këtu, nëse trajtojmë raportet media-politikë, patjetër duhet të kemi parasysh periudhën e stërzgjatur të tranzicionit, apo të kalimit nga sistemi njëpartiak me ekonomi dhe medie të kontrolluara në sistemin shumëpartiak me ekonomi dhe media të lira.

Fakti se dyshimi është për keqpërdorim të parave të taksapaguesve evropianë e bën këtë aferë jo të lehtë për ta futur në sirtarët e harresës ballkanase. Kjo ka bërë që për hetimin e rastit të jetë i interesuar edhe Komisioni Evropian. Andaj, Qeveria e Shkupit duhet të dëshmojë në vepër përkushtimin për të luftuar korrupsionin, duke çuar deri në fund rastin kundër një funksionari të partisë më të madhe në pushtet. Nëse nuk arrin ta bëjë këtë atëherë, jo Bullgaria, por mungesa e kapacitetit anti-korrupsion mund të shtyjë fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

 

 

 

Të fundit