Ministrja maqedonase e kulturës, Irena Stefoska, pohon në një intervistë për emisionin “Ballkan” në Abc News se marrëdhëniet kulturore midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera. “Ne, të gjithë popujt në Ballkan ndajmë trashëgimi të përbashkëta kulturore dhe historike. Dëshiroj të them se ka shumë gjëra që na lidhin“.
Stefoska, siç transmeton KDP, pohon se midis dy vendeve janë nënshkruar marrëveshje të ndryshme ndërshtetërore për bashkëpunim në fushën e kulturës. “Shumë artistë të njohur nga Shqipëria tradicionalisht vijnë në festivalin “Vera e Ohrit”, një nga festivalet më të vjetra ndërkombëtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, muzikantë, këngëtarë operistikë. Përveç kësaj në festival gjithashtu ndërkombëtar, “Mbrëmjet Strugane të Poezisë” mysafirë tradicionalë janë miqtë tanë poetë nga Shqipëria. Ka shumë, bashkëpunojnë në nivel të shoqatave folklorike, gjithashtu ka bashkëpunim ndërkufitar, bashkëpunojnë edhe rajonet ku gërshetohen gjuhët e tyre”.
Republika e Maqedonisë së Veriut për herë të parë u prezantua në vitin 2018 në Panairin e madh të librit në Tiranë ndërkohë që në Manastir është Muzeu i Alfabetit shqip, në të cilin është kodifikuar drejtshkrimi i gjuhës shqipe.
“Me siguri keni qenë në Muze, nëse jo, ua rekomandoj. Më vjen mirë që në Republikën e Maqedonisë së Veriut respektohet një ngjarje e madhe, e rëndësishme për bashkëqytetarët e mi shqiptarë, edhe këtu në vend, edhe më gjerë, nënkuptohet për fqinjët tanë në rajon. Për më tepër, tani do të shprehem nga një këndvështrim gjinor, feminist, me Këshillin për kodifikim të gjuhës shqipe ka kryesuar e famshmja Parashqevi Qiriazi. Ajo dhe motra e saj kanë punuar shumë në rajon, edhe në Shqipëri, për emancipimin e grave dhe të të rinjve në fillim të shekullit të 20-të”.
Gjatë vitit të kaluar, në Baku, pjesa e liqenit të Ohrit që është në Shqipëri, u shpall pjesë e listës së trashëgimisë kulturore botërore dhe të dyja vendet, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, e kanë për detyrë që ta menaxhojnë së bashku, nën patronazhin e UNESKO-s.
“Kjo më gëzon shumë dhe në këtë aspekt, pasi bëhet fjalë për trashëgimi kulturore dhe historike. Dëshiroj të theksoj se në mandatin tim, dhashtë Zoti që Covid-19 të përfundojë sa më shpejt, do të doja që bashkëpunimi të intensifikohet ose të fillojë në nivel ekspertësh, me ekspertë, specialistë për mbrojtje të trashëgimisë kulturore, shkëmbim, seminare, edukim i të rinjve, ekspertëve të konservimit dhe të restaurimit, sepse mendoj se është e nevojshme, jo vetëm për rajonin e Ohrit, por për mbrojtje të trashëgimisë kulturore në të dyja vendet, të amalgameve të shtresave historike që në Ballkanin shumëngjyrësh” tha ajo.
Stefoska thekson gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit midis ekspertëve dhe ngritjen e nivelit të ekspertizës. “Mendoj se trashëgimia kulturore në këtë kohë moderne, të paktën në rajonet e varfra siç janë vendet tona, të varfra financiarisht, por të pasura në kulturë, është një fushë ku mendoj se duhet të punohet“ përfundoi ministrja.