E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

Varhelyi në Shkup: Pa marrëveshje me Bullgarinë, vështirë të ecet para

Komisioneri për fqinjësi dhe zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka prezantuar në Shkup raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, që përmban kryesisht vlerësime të mira për punën që ka bërë vendi në drejtim të përmbushjes së reformave, por edhe për atë që duhet bërë për të arritur qëllimin e saj, nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Raporti thekson se Maqedonia e Veriut, ka vazhduar përpjekjet për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe të zbatojë reformat që kanë të bëjnë me BE-në ndërsa rezultate të mira janë vërejtur edhe sa i përket reformës në administratën publike.

Sipas raportit, lëvizje pozitive ka edhe në sferën e gjyqësorit, respektivisht në punën e Këshillit Gjyqësor dhe pavarësinë e gjyqësorit, por kërkon angazhim shtesë në zbatimin e planit aksionar të strategjisë gjyqësore sikur që kërkon përparim në hetimin dhe gjykimin e lëndëve të korrupsionit të profilit të lartë.

Komisioneri Varhelyi, tha se bazuar në raportin e hartuar Maqedonia e Veriut mund të nis bisedimet e anëtarësimit.

“Po, nëse shikoni raportin do të vëreni se është bërë përparim dhe se janë plotësuar të gjitha kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Paraprakisht duhet të miratohet korniza për zgjerim në të cilat janë theksuar rregullat dhe parimet për negociatat. Është një vendim që duhet të sjell Këshilli, kështu që po ecim sipas planit”, ka deklaruar komisioneri evropian.

Por, i pyetur mbi kontestin që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë për çështjen e gjuhës maqedonase dhe prejardhjen etnike të disa personaliteteve nga e kaluara historike, Varhelyi tha se shpreson se dy vendet do të arrijnë të kapërcejnë mosmarrëveshjet.

Ai tha se kontesti duhet të zgjidhet pasi procesi i zgjerimit të BE-së kërkon mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare.

“Është në interes edhe si të Bullgarisë ashtu edhe të Maqedonisë së Veriut që të gjejnë zgjidhje për këto çështje. Pa u sqaruar këto mosmarrëveshje, do të jetë shumë e vështirë që gjërat të lëvizin para.

“Tani është momenti që të arrihet marrëveshje. Nuk do të dramatizoja rreth kësaj çështjeje, por është një çështje serioze. Shoh përkushtim si nga ana e kryeministrit maqedon Zoran Zaev ashtu edhe nga kryeministri bullgar Bojko Borisov dhe shpresoj se do të gjejnë zgjidhje…Procesi i bisedimeve dihet se si zhvillohet dhe ne duhet të marrim mbështetjen e të gjitha shteteve..”, ka deklaruar Varhelyi.

Kryeministri Zoran Zaev tha se raporti publikohet në kohën kur Maqedonia e Veriut po punon me përkushtim në përmbushjen e reformave dhe po përgatitet për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian.

“Raporti i Komisionit Evropian jep një pasqyrë të qartë për gjendjen e përgjithshme në vend, thekson sferat ku është shënuar përparim, por edhe sferat tjera ku duhet përpjekje plotësuese për harmonizimin e tyre me standardet evropiane. Në këtë kuadër, ne edhe njëherë theksojmë përkushtimin tonë për përmbushjen e të gjitha kritereve të nevojshme që të mund të ecim përpara”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Ai dhe komisioneri evropian për fqinjësi dhe zgjerim, biseduan edhe për planin ekonomik prej 9 miliard eurosh për periudhën 2021-2027 nga i cili pritet të përfitojë edhe Maqedonia e Veriut.

Komisioneri Oliver Varhelyi, ka mbajtur një fjalim edhe para deputetëve nga të cilët ka kërkuar që të jenë më të kujdesshëm të mos shpejtojnë me miratimin e ligjeve me procedurë të shkurtuar.

Të fundit