Raporti i Komisionit Europian vlerëson progresin në disa fusha dhe me tone më të buta thekson nevojën për korrigjime në ato sfera ku janë vërejtur ngecje dhe anomali. Komisioni Europian gjithashtu ka paralajmëruar një plan ekonomik për rajonin që “peshon” miliarda euro. Një impenjim shumë më i madh që nënkupton zhvillim dhe integrim të vendeve të Ballkanit Perëndimor në sistemin dhe paradigmën e standardeve europiane.
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Tashmë publikuar raporti i Komisionit Europian për Maqedoninë e Veriut për këtë vit. Raporti është vlerësuar i balancuar, ndërkohë që Brukseli vlerëson se Maqedonia e Veriut ka vazhduar përpjekjet për forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, por se mbetet edhe shumë punë për t’u bërë. Përkundër faktit që në raport janë shënuar përparime në disa fusha, megjithatë me tone më të buta, përsëri theksohen një sërë defektesh të cilat do të duhet të korrigjohen.
“Maqedonia e Veriut ka mbajtur nivelin e njëjtë të progresit në sundimin e ligjit, gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit. Maqedonia duhet ta ruajë këtë moment. Jam i inkurajuar nga angazhimi i qeverisë së re për ta avancuar agjendën e reformave për BE, në sferat fundamentale. Siç e dini, negociatat në Këshill po vazhdojnë dhe shpresoj që konferencat e para ndërqeveritare me dy vendet të mbahen gjatë kësaj presidence” ka theksuar komesioneri për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi.
Siç dihet tashmë, Maqedonia e Veriut, ka marrë datë për fillimin e bisedimeve dhe në bazë të dinamikave dhe parashikimeve pritet që gjatë muajit dhjetor të mbajë mbledhjen e parë ndërqeveritare. Përgjithësisht ky raport vlerëson përparimet, duke i theksuar mangësitë dhe angazhimet që qeveria duhet të marrë për të përmirësuar edhe më tej defektet që shfaqen në fusha të caktuara.
Ky raport vlerëson përparimet në gjyqësor, respektivisht përmirësimin e punës në Këshillin Gjyqësor, pavarësinë e gjyqësorit, por kërkon angazhim shtesë në zbatimin e planit aksionar të strategjisë gjyqësore. Sipas raportit, Komisioni Europian vlerëson progres në hetimin e lëndëve të korrupsionit të profilit të lartë, ndërkohë që ka përshëndetur formimin e Komisionit për parandalimin e korrupsionit.
Sipas raportit, Maqedonia e Veriut pjesërisht është e përgatitur në sferën e administratës publike, ndërkohë që kërkohet më tepër transparencë në reklamimin shtetëror, publik dhe partiak. Raporti vlerëson se ka pasur progres të pjesshëm në lirinë e mediave, ndërkohë që ka pasur rritje tensionesh gjatë kohës së pandemisë.
Përgjithësish, mbeten fushat problematika, të cilat kanë qenë edhe në fokusin e raporteve paraprake, ndërkohë që vërehen tone më optimiste në rrugën e progresit të Maqedonisë së Veriut drejt implementimit të rekomandimeve nga ana e Komisionit Europian. Duket se vetë fakti i marrjes së datës për fillimin e bisedimeve tashmë ka krijuar një pamje tjetër angazhimesh, të cilat pavarësisht se thuhen me një tonalitet tjetër mbeten “vrima të zeza” që përthithin normalitetin demokratik.
Kjo pamje me tone më optimiste mbi zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, por me vërejtjet të thëna në një formë pak më të butë sikur hapin një prelud angazhimesh dhe reformash të qëndrueshme, të cilat do të strukturohen në procesin e bisedimeve, gjegjësisht gjatë hapjes së kapitujve, në kohën kur tashmë vlerësimi për progresin për anëtarësim të plotë do të bëhet nëpërmjet metodologjisë së re.
Komisioni Evropian po ashtu ka prezantuar plan ekonomik prej 9 miliard eurosh si IPA 3 për periudhën 2021-2027 dhe investime që do të kapin vlerën prej 30 miliard eurosh për të zvogëluar dallimin ekonomik mes rajonit dhe BE-së.
Ky duket të jetë një impenjim shumë më i fuqishëm i BE-së në raport me rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky plan ekonomik që përfshin investime kaq të mëdha, në një farë mënyre tregon angazhimin e përhershëm të BE-së për ta pasur rajonin të integruar në gjirin e vetë. Realisht, ky plan tashmë tregon për gjithë seriozitetin që BE e shfaq ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke u përqendruar në investime zhvillimore që mbeten të domosdoshme për ta futur rajonin në paradigmën zhvillimore europiane.
Realisht, me këtë plan rajoni do të futet në një fazë tjetër zhvillimi, e cila nënkupton standarde më të larta, por në të njëjtën kohë edhe një korrelacion shumë të madh të vendeve me vlerat europiane.