Përdorimi i termeve apo cilësimeve ofenduese ndaj shqiptarëve të Kosovës, në diskursin publik të politikanëve të Serbisë, nuk është asgjë e re dhe është vetëm vazhdimësi e diskursit që publicistika dhe politikanët në Serbi e kanë pasur që nga vitet 80 dhe 90 të shekullit të kaluar, vlerëson publicisti Milazim Krasniqi.
Kjo formë e diskursit publik në Serbi, ku ndaj shqiptarëve të Kosovës përdoren terme pezhorative dhe ofenduese, tashmë është shndërruar në “kulturë” apo “normalitet”, e që “nuk është asnjëra dhe as tjera në kuptimin e mirëfilltë të fjalëve”, thotë sociologu Shemsi Krasniqi.
Vetëm përgjatë muajit të fundit, ministri i Mbrojtjes i Qeverisë teknike të Serbisë, Aleksandar Vulin, në gjashtë komunikata të kësaj ministrie, i ka quajtur shqiptarët e Kosovës me termin ofendues “shiptari”.
Në mjaft raste, edhe në paraqitjet e drejtpërdrejta publike, ai ka përdorur këtë term pezhorativ ndaj shqiptarëve të Kosovës, pavarësisht që një aktvendim i gjykatës në Serbi, më herët e ka cilësuar këtë termin si “politikisht jokorrekt dhe ofendues”.
Në fakt, termi “shiptar” është deformim i emërtimit “shqiptar”, siç e quajnë veten të gjithë ata që i takojnë entitetit etnik të shqiptarëve.
Por, deformimi i fjalës ‘shqiptar’ në ‘shiptar’, në Serbi ka konotacion negativ, si ndërlidhje me njerëz primitiv dhe të paqytetëruar, njerëz që kanë zbritur nga mali, punëtor krahu, etj. Përdorimi i termit “shiptar’ në gjuhën serbe, konsiderohet ofendues për shqiptarët.
“Diskursi fashist” që mban peng Serbinë
Publicisti Milazim Krasniqi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përdorimi në vazhdimësi i fjalorit me terme ofenduese dhe përçmuese nga politikanët në Serbi ndaj shqiptarëve të Kosovës, tregon që në Serbia nuk ka ndodhur denazifikimi dhe defashistizimi i diskursit publicitik dhe politik.
Sipas tij, ky diskurs, të cilin jo rrallë e përdorin politikanët, mbetet dominues në tabloidët serbë dhe si i tillë reflektohet edhe në mediat tjera atje. Kjo sipas tij ka ndodhur për dy arsye.
E para , siç thotë ai, Kosova, duke u ballafaquar me problemet e brendshme, ka hyrë në një fazë të, siç e quan ai, autizmit politik dhe propagandistik.
“Kosova nuk ka krijuar mekanizma të kundërvënies dhe të denoncimit të këtij diskursi fashist që vjen nga mediat dhe nga politika serbe. Në anën tjetër, Bashkimi Evropian ka hyrë në një cikël të krizës së vet të brendshme, duke përfshirë edhe problemet me Brexit-in dhe pastaj edhe me pandeminë (e koronavirusit)”.
“Kështu që e ka humbur fokusin mbi Ballkanin Perëndimor dhe mbi raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Në njëfarë mënyre, është imunizuar me këtë mënyrë të komunikimit politik dhe medial në Serbi dhe thjesht, nuk ua tërheqë vëmendjen”, theksoi Milazim Krasniqi.
Ai shtoi se një situatë e tillë paraqet rrezik të madh, sepse siç thotë ai, të gjithë ata që kanë kujtesë nga vitet 80 dhe 90 të shekullit të kaluar, sidomos pas ardhjes së Sllobodan Millosheviqit në pushtet në Serbi, e mbajnë mend se i gjithë konflikti në ish-Jugosllavi kishte nisur me ashpërsimin e diskursit militant. Ky diskurs, sipas tij, nga mediat kishte kaluar te politikanët dhe më pas “e kishte përgatitur terrenin psikologjik dhe politik për kasaphanën që ndodhi në ish-Jugosllavi”.
Sociologu Shemsi Krasniqi, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, konsideron se politikanët në Serbi e shohin si normale përdorimin e termave pezhorativ ndaj shqiptarëve.
Por, sipas tij, pavarësisht raporteve sociale që kanë pasur dhe që mund të kenë aktualisht popujt ndërmjet tyre, nuk kanë të drejtë të krijojnë gjuhë të urrejtjes ndaj njëri-tjetrit. Në të kundërtën, siç thotë ai, situata komplikohet për më tepër kur këtë gjuhë e përdorin politkanët.
Kjo, vlerëson ai, prodhon pasoja të shumta, për shkak se politikanët shërbejnë si model për popullin që e drejtojnë dhe këta të fundit vazhdojnë të barrikadohen në paragjykimet e tyre në raport me popullin tjetër.
“Kjo është ajo që ka ndodhur në Serbi. Për fat të keq, politikanët serbë, për dekada, kanë përdorur shprehje pezhorative në raport me shqiptarët. Kjo më pas është instaluar edhe në mesin e popullatës dhe qytetarëve dhe më pas krijohet një lloj hendeku, një lloj barriere e madhe, e cila është shumë vështirë të tejkalohet. Kjo i mban peng edhe ata, sepse ata pozicionohet gabimisht në raport me ne dhe nuk mund ta kuptojnë realitetit. Pa e kuptuar realitetin nuk mund t’i zgjidhin problemet”.
“Për t’i zgjidhur problemet dhe për të nisur një lloj progresi, zhvillimi, një farë normaliteti, duhet të kuptohet problemi. Ndërkaq, ata po e prodhojnë problemin, në vend se ta kuptojnë dhe ta zgjidhin problemin”, theksoi Shemsi Krasniqi.
Vulin: “Shiptari”, mos u hidhëroni
Deklaratat me terme ofenduese të Vulinit kishin rinisur më 2 tetor, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, të Shipërisë dhe të Kosovës, të mbajtur po atë ditë.
Kryeminstri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte deklaruar që ambicie e të dy qeverive është heqja e kufirit ndërmjet dy vendeve dhe se një marrëveshje ndërmjet dy qeverive çon në drejtimin që Porti i Durrësit të tranformohet në port të Kosovës.
Por, në një komunikatë të Ministrisë teknike të Mbrotjes së Serbisë, Vulin duke i quajtur shqiptarët e Kosovës me termin perzhorativ “shiptari”, kishte tënë që ajo që u jepet këtyre të fundit, nuk mund t’i ndalohet Serbisë. Vulin gjithashu ka theksuar që kryeministri Edi Rama po vazhdon me përpjekjet e tij për të krijuar një “Shqipëri të Madhe”.
Menjëherë kishte reaguar kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që ta dënojë deklaratën e minsitrit Vulin.
Rama duke iu drejtuar Vuçiqit, ka theksuar që uron që deklarata e Vulinit të jetë një shaka “përndryshe kjo do të ishte një shfaqje e dëshpëruar e të menduarit të mjerë“, të cilën presidenti serb duhet ta dënojë “pa asnjë dyshim“.
Vulin i kishte reaguar kryeministrit Rama, prapë me termin pezhorativ “shiptari”, duke thënë se ata “janë popull i ndërshëm që kanë dhënë Esat Pashë Toptanin, të cilin nuk do ta krahasonte me Ramën”.
Esat Pashë Toptani , të cilin e përmend Vulin, ka qenë një gjeneral në Perandorinë Osmane dhe politikan shqiptar në fund të shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20. Në Serbi, ai kondiserohet si mik tradicional i serbëve, ndërkaq në Shqipëri si një nga tradhtarët më të mëdhenj, për shkak të bashkëpunimit me Serbinë gjatë okupimit të Shqipërisë në luftërat ballkanike.
Po ashtu, më 2 tetor, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, u kishte dërguar një letër ambasadorëve të vendeve të Kuintit, ku kishte thënë e “fjalimi ksenofobik i Aleksandar Vulinit kundër shqiptarëve meriton dënim të fuqishëm, për shkak të lëvizjeve të turpshme dhe shoviniste të Qeverisë së Serbisë”.
Vulin më 4 tetor po ashtu në një deklaratë përdor termin “shiptari”.
Në radhën e komunikatave të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, së fundmi, më 5 tetor, i është drejtuar ministres së Punëve të Jashme të Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla me fjalët: “në qoftë se Haradinaj-Stublla turpërohet që është ‘shiptarka’, nuk duhet të hidhërohet në mua”.
Më 4 maj të vitit 2019, Vulin kishte deklaruar për të përditshmen serbe “Veçernje Novosti”, se me termin “shiptari” i quan shqiptarët e Kosovës dhe se kështu nuk i quan shqiptarët që jetojnë në Serbinë qendrore dhe në Shqipëri.
“Ky është term që ata e përdorin për vete dhe nuk e di se pse ai do të ishte ofendues”, ka thënë Vulin.
A e shkeli Vulin ligjin e Serbisë?
Por, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, duke i quajtur shqiptarët me termin pezhorativ “shiptari” është “duke e injoruar vendimin e gjykatës në Serbi, sipas të cilin ky term “është politikisht jokorrekt dhe ofendues”.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk ka kthyer përgjigje në pyetjen e Radios Evropa e Lirë, se a ka bërë ministi Vulin shkelje ligjore, duke i quajtur shqiptarët me termin pezhorativ “shiptari”. Përgjigje në këtë pyetje nuk ka dhënë as Zyra e Komisionerit për mbrojtje të barazisë në Serbi.
Por, ish-Komisionerja për mbrojtjen e barazisë në Serbi, Brankica Jankoviq, e cila para 6 vjetësh kishte sjellë vlerësimin që tabloidët në Serbi, Informer dhe Telegraf, kanë shkelur Ligjin për ndalimin e diskriminimit, për shkak se shqiptarët i kanë quajtur “shiptari”, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e pakontestueshme që bëhet fjalë për shkelje të ligjit. Sipas saj, të bësh kritikë për gjërat për të cilat nuk pajtohesh në politikë, është në rregull, por jo edhe përdorimi i diskursit ofendues.
“Nuk ekziston arsye që në shprehjen e qëndrimit tonë të përdorim çfarëdo shprehjesh, të cilat palën tjetër e ofendojnë”, theksoi Jankoviq.
Ajo përkujton që lidhur me këtë çështje ekziton edhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit në Serbi.
Kjo gjykatë, në fund të vitit 2018, e ka konfirmuar akvendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Lartë në Beograd, kundër tabloidit Informer. Në arsyetimin e saj gjykata kishte sqaruar dhe sanksionuar përdorimin e termit “shiptar” si gjuhë e urrejtjes.
Padinë e kishte bërë Anita Mitiq, atëherë aktiviste e Nismës së të rinjve për të drejtat e njeriut. Ajo thotë se ky aktvendim i gjykatës ishte një hap i madh për shoqërinë në Serbi, që të ndalojë stigmatizimin e fqinjëve të tyre dhe përhapjen e urrejtjes.
“Por, aktgjykimi nuk është i mjaftueshëm që shoqëria të ndryshojë. Është e domosdshme që shoqëria të dëshirojë që të ndryshojë, të dëshirojë të vendosë kontakte me shqiptarët. Hapi i parë dhe themelor për këtë do të ishte që të ndalojnë që t’i thërrasin me emra përçmues”, tha Mitiq.
Ajo shtoi se nuk befasohet me deklaratat e ministrit Vulin, për shkak se, sipas saj, ngjashëm ka vepruar edhe në të kaluarën.
Katerina Goluboviq, kryetare e Komitetit joqeveritar të juristëve për të drejtat e njeriut (YUCOM), thotë për Radion Evropa e Lirë që nuk pret që as presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe askush nga subjekti i tij politik, Partia Përparimtare Serbe, të reagojë ndaj diskursi të tillë.
“Aleksandar Vulin, në fakt, po e ndjek politikën e Vojislav Sheshelit (shef i Partisë Radikale Serbe). Kur ai thotë ‘shiptari’ për shqiptarët e Kosovës, ai në fakt nuk po u drejtohet fare atyre, por i drejtohet trupit zgjedhor të tij. Ai është dikush që politikën e tij vazhdon ta ndërtojë pikërisht mbi atë që e ka bërë edhe Vojisllav Sheshel, e kjo është politika luftë-nxitëse dhe e urrejtjes”, theksoi Goluboviq.
Vuçiq: Prishtina gjithçka bën për politikë të brendshme
Lidhur me deklaratat e ministrit serb të Mbrojtjes, Alekandar Vulin, ka reaguar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Përmes një shkrimi në Twiter, ai ka theksuar që deklaratat e tilla “janë dëshmi se Serbia nuk i ka ndryshuar ende politikat e saj fashiste ndaj Kosovës”.
Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për media, të hënën në Beograd, i pyetur nga gazetarët lidhur me reagimet nga zyrtarët e Pishtinës dhe Tiranës për gjuhën, me të cilën është shërbyer ministri Vulin, i është shmangur përgjigjes së drejtpërdrejtë.
Ai ka theksuar që nuk i ka përcjellur të gjitha deklaratat që kanë ardhur nga Tirana dhe Prishtina, sepse, sipas tij, “sidomos njerëzit nga Prishtina, gjithçka që bëjnë, e bëjnë për politikë të brendshme”.
“Pastaj, dikush nga këtu përgjigjet… Është e rëndësishme që shqiptarët ta dinë që nuk ekziston një çekan i hekurt me të cilin dikush do të na godasë në kokë që ne t’u japim atë që ata e dëshirojnë e që ata për çdo ditë të ofendojnë Beogradin dhe Serbinë dhe t’i sulmojnë fëmijtë tanë në Kosovë”, theksoi Vuçiq.
Vulin nuk është i vetmi zyrar i Qeverisë së Serbisë, i cili u dejtohet shqiptarëve me terme ofenduese. Edhe Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës pë Kosovën në Qeverinë e Serbisë, përmes një komunikate zyrtare, në muajin prill të vitit 2019, i kishte quajtur shqiptarët e Kosovës me termin përçmues “shiptari”.
Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, në muajin maj të vitit të kaluar i ishte ndaluar hyrja në Kosovë pasiqë kishte deklaruar se në bisedimet me Prishtinën, Beogradi ka punë me “njerëz që kanë dalë nga mali”.
Në mjaft raste edhe edhe zyrtarë tjerë të Beogradit, përfshirë edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiq, në diskursin publik kanë përdorur terma ofendues edhe për liderët politikë të Kosovës, duke i quajtur “kriminelë”, “mjeranë”, fundrrina” e të tjera.
Ndërkaq, pavarësisht aktvendimit të gjykatës në Serbi që sanksionon përdorimin e termit ofendues “shiptari”, tabloidet e atjeshme edhe më tej, e përdorin termin “shiptari” në ballinat e tyre.
Para një radikalizimi të ri të politikës serbe?
Përmes ashpërsimit të diskursit, me terme ofenduese për shqiptarët, sipas profesor Milazim Krasniqit, zyrtarët e Serbisë janë duke i ricikluar disa modele të cilat i ka shfrytëzuar në vitet 80 të shekullit të kaluar.
Sipas tij, asokohe, ashpërsimi i diskusit shoqërohej me inskenimin e ndonjë incidenti ndaj ndonjë pjesëtari të komunitetit serb. Siç thotë ai, autoritetet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, duhet të jenë të kujdesshme përballë situatave eventuale që mund të pasojnë pas ashpërsimit të diskursit politik.
“Ashpërsimi i këtij diskusi do të thotë që mund të jemi para një radikalizimi të ri të politikës serbe në drejtim të Kosovës, e cila mund të ketë edhe elemente të dhunës politike. Për këtë arsye, institucionet e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar, duhet të ndërgjegjësohen dhe të jenë vigjilent ndaj këtyre veprimeve, ndaj diskursit politik mediatik, por edhe ndaj veprimeve potenciale që mund të ndërmarrin ekstremistët serbë për të destabilizuar Kosovën”, u shpreh Milazim Krasniqi.
Sociologu Shemsi Krasniqi, thotë që bazuar në atë që dëgjohet nga politikanët serbë në raport me Kosovën, përfshirë edhe diskursin e ashpërsuar dhe me terme përçmuese ndaj shqiptarëve, Serbia ende ka mbetur peng i mendësisë politike të viteve 90.
“Serbia ka nevojë për një kthjellim në kupimin kulturor, ideologjik dhe politik, sepse ata vazhdojë që me njëfarë fanatizmi t’i ruajnë ato qëndrime dhe ato pozicionime, të cilat i kanë pasur që prej kohës së Milosheviqit. Në fakt, ne e dimë që një pjesë e madhe e estabilishmentit politik serb janë pasardhës të Milosheviqit. Ata sikur nuk po e kuptojnë që ka ndërruar koha, ka ndërruar epoka. Është një kohë tjetër dhe duhet të ndryshojë edhe gjuha edhe diskursi”, theksoi Shemsi Krasniqi.
Në anën tjetër, te shqiptarët e Kosovës gjithashtu ekziston termi “shkijet” që është ofendues për serbët. Por, ky term nuk është i pranishëm në diskursin publik, qoftë në media, qoftë te politikanët dhe zyrtarët shtetëror.
Profesor Milazim Krasniqi e cilëson si mjaft pozitive mospërdorimin publik të këtij termi ofendues për serbët nga ana e shqiptarëve. Siç theksoi ai, Kosova ka kaluar një proces të vështirë të dekontaminimit të diskursit nacionalist dhe ekstremist.
Në vitin 1999, sipas rregulloreve të dala nga Përfaqësuesi Special në Kosovë i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Bernard Kushner, ishte penalizuar ky lloj diskursi dhe parshihej burgim për çdo kënd, pëfshirë edhe gazetarët, që nxisin urrejtje racore, fetare dhe ndëretnike.
Gjithashtu, sipas tij, pas trazirave të marsit të vitit 2004, eksistonte një vlerësim që mediat e kishin një pjesë të fajit për trazirat e dhunshme dhe sipas publicistit Krasniqi, ishte punuar shumë brenda komunitetit të gazetarëve që të shmanget diskursi që nxitë urrejtje, si dhe me terme ofenduese ndaj komuniteteve tjera joshumicë. Ai ka shprehur mendimin që pas vitit 2004, “Kosova definitivisht, është shkëputur prej atij lloji të diskursit”.
/REL