Grekët dhe turqit kanë shumë afërsi kulturore, kurse shtetet e tyre një histori me shumë konflikte. Humbësit e një përplasjeje për rezervat e gazit në Mesdhe do të ishin popujt në të dyja anët e detit.
Gjyshja ime ka jetuar në Janinë. Një grua e mrekullueshme që më ka dhënë shumë dashuri e gatuante enkas për mua. E çuditshme, që sa herë që nuk e haja deri në fund gjellën e drekës, kur doja të luaja futboll, ajo më kërcënonte: Haje të gjithë pjatën, ndryshje vjen turku dhe të rrëmben! Ndoshta kjo ka qenë arsyeja, pse deri më sot i kam disa kilogramë më shumë se duhet.
Më vonë e kuptova kërcënimin e gjyshes: Janina në kuadër të luftërave ballkanike iu dha Greqisë në vitin 1913. Deri më atëherë gjyshja ime ishte qytetare e Perandorisë Osmane. Megjithëse “qytetare” është fjala e gabuar. Perandoria e familjes Osman, nuk donte qytetarë, “citoyen-ë” me vetëbesim por njerëz të nënshtruar. Grekët nuk donin ta pranonin këtë dhe u ngritën kundër sundimit osman. Kryengritja greke, jo vetëm e suksesshme, u kthye në mitin themelues të kombit grek. Dihet, se me mitet e ekzagjeron çdo komb. Krimet e bëra vetë nuk përmenden, kurse lavditë ngrihen në piedestal. Kështu mund të ketë ndodhur edhe me themelimin e Republikës së Turqisë në vitin 1922 apo shpalljen e Perandorisë Gjermane në vitin 1871 – pa harruar zviceranët që goditjen e mollës së Wilhelm Tellit thjesht e kanë shpikur.
Mitet dhe faktet historike
Në Greqi miti thotë, se shpirti i guximshëm grek me mbështetjen e kishës ortodokse triumfoi mbi turqit e shumtë në numër. Nga rezultati përfundimtar kjo edhe qëndron. Por çdo qytetar i lexuar duhet ta dijë, se pavarësia greke, pa mbështetjen e jashtme nuk do ishte e mundur të realizohej, si për shembull pa shkatërrimin e flotës turko-egjiptiane nga fuqitë e mëdha në vitin 1827. Ndoshta për këtë arsye politikanët në Ankara besojnë ende edhe sot, se Greqia gjithmonë ka qenë fëmija i përkëdhelur i perëndimit. Në Athinë madje mendohet e kundërta: Kaq shumë është e përkëdhelur Turqia, saqë ende furnizohet me armë nga partnerët e NATO-s, megjithëse mban gjysmën e Qipros të pushtuar, ka marshuar në vendet fqinje dhe mbi të gjitha ka në krye një nacionalist që krijon shumicat parlamentare.
Retorika dhe politika
Retorika e zakonshme që dëgjohet, është se turqit dhe grekët duan të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin, por politikanët e kanë fajin. Nuk e di, sa e saktë është kjo. Por kam përjetuar shpesh në të dyja anët e Egjeut, që shumë njerëz kanë një lloj malli dhe miqësohen shpejt, qoftë përmes muzikës, ushqimit, humorit apo dëshirës së përbashkët për melankolinë.
Në filmin e njohur greko turk “Politiki kouzina” regjisori, Tassos Boulmetis përpiqet të paraqesë dhimbjen e grekëve të Stambollit pa lënduar ndjenjat turke. Figura kryesore, greku Fanis që në vitet 60-të dëbohet nga Stambolli për shkak të krizës së Qipros kërkon në Athinë të gjejë veten, por grekët e shajnë si “turk”, si njeri që nuk është pjesë e vendit. Në Greqi ky film festohet si film i fuqishëm emocional, por që le një shije të hidhur. Ndoshta një impuls për politikën: Më pak emocion dhe më shumë racionalitet. Në të shkuarën e afërt ndjenjat e mëdha nuk i kanë bërë mirë marrëdhënies dypalëshe.
Në fillim të viteve 70-të, gjatë kohës së diktaturës ushtarake, e gjithë Greqia e njihte historinë e Janit dhe Mehmetit, që pijnë verë së bashku e filozofojnë për zotin. “Ti beson në zot, unë në Allah dhe të dy vuajmë”, thotë Mehmeti. Pak më vonë Athina ndërhyn me ushtri në Qipro, Turqia e ndjen veten të thirrur të veprojë dhe zë gjysmën e ishullit duke shkelur të drejtën ndërkombëtare deri më sot. Jani dhe Mehmeti nuk kanë më se ç’t’i thonë njëri-tjetrit.
Le të jemi racionalë, që ndjenjat tonë për njëri-tjetrin të kenë një fundament të fortë. Nëse Turqia dhe Greqia përplasen ushtarakisht, atëherë humbës janë të dy popujt.
Le të jemi të guximshëm: Madje vetë armiqtë e fortë Elefterios Venizelos dhe Kemal Atatürk nuk hezituan të negocionin për një konfederatë greko-turke në Mesdheun lindor. Vërtet që ky koncept është utopik, sepse lidhet me frikën turke për ndarjen e atdheut. Megjithatë: Të zhvillosh koncepte të së ardhmes është më mirë se të mprehësh shpatat. Për këtë duhen politikanë të aftë, jo nacionalistë, dhe qytetarë të mendjendriçuar, “citoyen” me vetëdije. /DW