E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

Zingraf: BE qëndrim i palëkundur në anën e Shqipërisë

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, në pritjen e përvitshme për bashkimin e Gjermanisë 30 vite më parë foli për rolin e BE dhe i bëri thirrje drejtuesve politikë: ꞔoni pëpara reformat, plotësoni kushtet e KE!

Gjermania feston më 3 Tetor përvjetorin e 30-të të bashkimit të saj. Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, në fjalën e tij në pritjen e përvitshme për këtë ngjarje historike dha mesazhe të rëndësishme për rolin e BE dhe të Gjermanisë në perspektivën europiane të Shqipërisë.

“Premisë e ribashkimit të Gjermanisë ishte rënia e Perdes së Hekurt. Pasoja rezultoi të ishte edhe ribashkimi i Europës”, tha Ambasadori Zingraf, duke iu referuar edhe dyndjes së shqiptarëve në ambasadën gjermane më 2 korrik 1990, ngjarjeve të cilat mundësuan që ”edhe Shqipëra t’ia niste nga e para dhe të rikthehej në komunitetin e shteteve europiane pas daljes nga izolimi”, vuri ai në dukje.

BE dhe Gjermania për Shqipërinë në vitin e krizës Corona

Ky vit, kur Gjermania feston 30 vjetorin e bashkimit të saj, u cilësua nga ambasadori Zingraf, “i jashtëzakonshëm, me një barrë të rëndë për Shqipërinë dhe mbarë botën” për shkak të pandemisë Corona dhe tërmetit shkatërrimtar në Shqipëri, vitin e kaluar. “Shqiptarët edhe gjatë kësaj krize përjetuan sesi Bashkimi Evropian është partneri i tyre strategjik, i besueshëm dhe solidar. Mbështetja për tërmetin dhe programet e rindërtimit pas tij, asistenca akute në përballjen me Coronën në sektorin e shëndetësisë, programet afatgjata në zbutjen e pasojave sociale dhe ekonomike – Bashkimi Evropian ecën para dhe qëndron i palëkundur në anë të Shqipërisë”, theksoi ambasadori gjerman, Peter Zingraf.

Ai tha se Gjermania plotëson këtë punë të dallueshme të Bashkimit Evropian përmes projekteve dypalëshe gjermano-shqiptare. “Angazhimi ynë i  fuqishëm në Shqipëri përfaqësohet simbolikisht nga institucionet gjermane që janë në vend. Vetëm në kuadër të Bashkëpunimit Ekonomik Qeveria Federale ka investuar në Shqipëri që prej vitit 1988 më shumë se një milliard euro në formë grantesh dhe kredish, gjë që e shndërron Gjermaninë në donatorin bilateral më të madh në vend. Edhe në kontekstin e ndihmës, që vijon ende në funksion të përballjes me tërmetin dhe pandeminë, ne marrim pjesë me kontribute të qenësishme”, theksoi ambasadori gjerman në Tiranë, Zingraf. Ai përshëndeti institucionet partnere gjermane të pranishme në Shqipëri, që i cilësoi “institucione aktive”, mes të cilave edhe Deutsche Welle-n.

Gjermania dhe perspektiva europiane e Shqipërisë

Ai solli në vëmendje rolin e veçantë që Gjermania ka marrë përsipër si vendi që ka Presidencën e Këshillit të BE,  i cili në mars të këtij viti  i ka dhënë Shqipërisë PO-në për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit”. “Perspektiva e integrimit në BE përcakton veprimet tona – jo vetëm që prej marsit, por edhe shumë përtej Presidencës sonë në Këshillin e BE. Angazhimi ynë në kontekstin e politikave zhvillimore vazhdon të ketë si synim përmirësimin e kushteve konkrete të jetesës së njerëzve  dhe mbështetjen në vendosjen dhe zbatimin e standardeve të BE. Kushtet, që Këshilli i BE i ka vënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj, u përgatitën vitin që shkoi nga Bundestagu Gjerman dhe u pranuan njëzëri në vend si Roadmap për kalendarin shqiptar të reformave” vuri ai në dukje.

Peter Zingraf (Germany Embassy Tirana)
Peter Zingraf

Thirrje drejtuesve politikë: Çoni përpara reformat në mënyrë të besueshme!

Ambasaori Zingraf tha se “përmbushja e kushteve është në interesin thelbësor të vetë shqiptarëve për formësimin e të ardhmes së vendit të tyre” “U bëj thirrje të gjithë atyre, që mbajnë përgjegjësi politike si dhe të gjitha institucioneve relevante të zbatojnë së bashku këtë prioritet kombëtar dhe të çojnë përpara reformat në mënyrë të vendosur e të besueshme. Vetëm kështu njerëzit do të mund të rifitojnë besimin e nevojshëm në politikë dhe drejtësi”.

Ambasadori Zingraf u ndal në fjalën e tij edhe në përgatitjet për zgjedhjet parlamentare në pranverën e ardhshme. “Zgjedhje të lira, të ndershme dhe të paqta në 25 prill 2021 janë me rëndësi qendrore për të ardhmen politike të vendit, i cili është para sfidash të rëndësishme: rindërtimi pas tërmetit, menaxhimi i pasojave të Coronës, nisja dhe formësimi i bisedimeve të anëtarësimit me BE. Ndaj hapat e mëtejshëm në zbatim të marrëveshjes mbi Kodin Zgjedhor të arritur në Këshillin Politik më 5 qershor duhet të vijojnë më tej në një frymë konstruktive gjithëpërfshirjeje. Koha deri në zgjedhje është e pakët, duhet bërë ende shumë”.

Të fundit