E premte, 26 Korrik, 2024

SALAJDIN SALIHU: NË HAPËSIRËN SHQIPTARE KA KOMUNIKIM NORMAL VETËM TË ANTIVLERAVE

I etabluar më herët si një emër i përveçëm në poezinë shqiptare dhe me gjerë, Salajdin Salihu, së fundmi ka botuar dy libra të tjerë, librin nga fusha e mjekësisë me titull poetik “ Asklepi në luginën e mollëve” dhe librin me poezi “Kam pak kujtime për autobiografi”. Në një intervistë ekskluzive për KDP-në, profesori universitar dhe krijuesi, Salajdin Salihu flet për procesin krijues, për momentin kur shkrimtari “mbyll dritaret dhe lëshon perdet që të mos hyjë zhurma dhe drita e botës së jashtme në studion e tij dhe sajon një botë simbolike nëpërmjet gjuhës”.  Si njohës i thellë i teorive dhe politikave kulturore, ai flet mbi mungesën e komunikimit kulturor në hapësirat shqiptare, për praninë e kiçit dhe formave tjera bizare të cilat kanë krijuar një kaos vlerash. Salihu “organizimin e këtij kaosi” e sheh te një bashkëpunim i politikës me elitat “Nuk ka komb të lirë e të organizuar pa politikë bashkëpunuese me elitat mendore”. Por, koncepti i tij mbi elitat është i ndryshëm nga koncepti i “inteligjencies partiake”.  Për Salihun elita e vërtetë është elita e padëshiruar. Procesi krijues, emra të mjekësisë dhe shumë ngjarje tjera ndër shekuj që vijnë nëpërmjet qasjes shkencore dhe një rrëfimi origjinal, interkomunikimet në rajon dhe shumë reflektime tjera krijuese vijnë përmes kësaj interviste si një mendim i kristalizuar për t’iu dhënë kuptim shumë problemeve me të cilat ballafaqohet shoqëria shqiptare.

Intervistoi: KDP

KDP: Keni botuar së fundmi librin “Asklepi në luginën e mollëve”. Një libër që sjellë përmes dokumentimeve të shumta të dhëna mbi mjekësinë e farmacinë, etnomjekësinë dhe etnofarmacinë, veçanërisht në Pollog. Libri vjen në një kohë pandemie, kur kemi një trandje të ekzistencës njerëzore. Çfarë na kumtojnë shtresëzimet e përvojës njerëzore, sidomos në këtë kohë komplekse pandemie?

SALIHU:Nuk kam shumë dëshirë që të flas për librat e mi dhe as t’i promovoj. Për mua është kënaqësi derisa i shkruaj. Le të them diçka për përmbajtjen e librit  “Asklepi…”, i cili ka titull poetik, por është libër shkencor. Asklepi është zot i mjekësisë te grekët e lashtë, kurse Pollogu është quajtur lugina e mollëve. Libri është njëfarë historie e mjekësisë, me fokus te viset tona. Një libër profesional mbi mjekësinë mund ta shkruaj një ekspert i mjekësisë, ndërkaq historitë e mjekësisë mund t’i shkruajnë edhe të tjerët.

Ky libër flet për epidemitë dhe sëmundjet më të shpeshta në rajonet tona, madje duke filluar nga antikiteti deri në shekullin XX, gjithnjë duke u bazuar në të dhëna historike. Kam shkruar edhe për mënyrën e jetesës së njerëzve, mënyrën e të ushqyerit si pasqyrë e një shoqërie, për mjekët e parë, për mjekët si “mësues të popullit”, që kanë ndikuar në ngritjen e shkallës së kulturës shëndetësore. Ka shumë mjekë që kanë shkruar libra të dobishëm me diskurs artisti. Kanë shkruar ata për sëmundjet, epidemitë, mënyrën e jetesës, kushtet e banimit, për trajtimin e sëmundjeve në kohëra, hapësira, kultura e qytetërime të ndryshme. Kanë pasur dije të thella edhe për artin e letërsinë. Mjeku kroat, që veproi në Tetovë, Nikola Nikoliqi, e ka përkthyer në kroatisht “Epin e Gilgameshit”. Libra të këtillë ka shkruar edhe mjeku tjetër kroat, Dr. Andrija Shtampari, ideatori i sistemit shëndetësor publik në këto vise, emrin e të cilit dikur e mbante sheshi i Tetovës. Mjeku sllovak, Pavel Viskup, ka botuar një libër për njerëzit jetëgjatë në viset tona, i cili deri më sot nuk është përmendur. Ai intervistoi dhe fotografoi pleq të moshës mbi njëqindvjeçare, e studioi mënyrën e tyre të jetesës, ushqimin që e konsumonin dhe erdhi në përfundime interesante: se ushqimi i tyre i çdoditshëm ishte grosha; se punonin shumë dhe bënin gjumë të thellë; se nuk kishin përjetuar tronditje psikologjike gjatë jetës etj.

Librat e këtillë, që janë shkruar edhe nga autorët shqiptarë dhe përmenden rrallë, nuk u dedikohen vetëm mjekëve apo studentëve të mjekësisë, por të gjithë lexuesve.

Në librin tim kam shkruar edhe për mjekët e parë shqiptarë. Kam shkruar për mjekët e huaj, të cilët, të shtyrë nga ndjenja e humanizmit, i ndihmuan njerëzit në kohë epidemie. Kam shkruar mbi keqpërdorimet e profesionit të mjekut për qëllime të mbrapshta politike. Kam shkruar për epidemitë që e tronditën njerëzimin: për murtajën gjatë mesjetës, që u quajt “Vdekja e Zezë”, për pandeminë e “gripit spanjoll”, sepse prekën edhe viset tona. Kam shkruar për etnomjekësinë dhe etnofarmacinë. Kam përfshirë disa kronologji. Pra, është libër gjithëpërfshirës dhe mund të plotësohet vazhdimisht.

 

KDP: Kur filluat ta shkruanit librin dhe si ndikoi pandemia gjatë këtij procesi?

SALIHU:Librin kam filluar ta shkruaj para dy vitesh. Për rastësi librin e përfundova në kohë pandemie. Për ta shkruar këtë libër më është dashur të lexoj shumë dokumente, kronika, udhëpërshkrime dhe libra që flasin për epidemitë e ndryshme. Ato ndryshuan edhe rrjedhat e historisë. Teksa lexoja shkrime mbi këtë temë, e kuptova se bota është përballur dhe do të përballet sërish me epidemi, por nuk e kisha paramenduar se do të botoja libër në kohë pandemie.

Gjatë karantinës e ndjeva atmosferën që e kishin përjetuar paraardhësit tanë. E përfytyroja jetën e tyre në kohë emergjence. Në Shkup, Tetovë, Prishtinë dhe qytete tjera është praktikuar karantina disa herë gjatë historisë. Në kësi rrethanash ngjarjet ndodhin si te vepra “Murtaja” e Kamysë…

Gjatë kohës sa e shkruaja librin mësova shumëçka mbi përpjekjet e njerëzve që të gjenin mënyra se si ta luftonin një epidemi. Mësova se epidemitë nuk mposhteshin nga individët, por vetëm nga bashkësia, shoqëria. Mësova se epidemitë mund të mposhteshin kur njihej armiku i padukshëm. Këtë e thonë studiuesit më eminentë. Disa kanë shkruar edhe për epidemitë në territoret tona, veçanërisht në Pollog. Mësova gjithashtu se në viset tona arrinin mjekë dhe barna gjatë mesjetës, veçanërisht nga Dubrovniku, Kotori dhe qytete tjera evropiane. Mësova se atje kishte mjekë arbërorë, siç quheshin atëherë, kurse këtë e dëshmojnë shumë dokumente historike. Mësova se Shkupi ishte prekur shumë herë nga epidemitë e ndryshme. Gjithashtu, mësova se një formë e virusit e ka marrë emrin sipas një katundi të Tetovës.

Ky libër, me shumë referenca, është si njëfarë përshpirtje për mjekët që nuk rrojnë më. Është shprehje respekti për mjekët që bëjnë përpjekje mbinjerëzore për t’i ndihmuar njerëzit që vuajnë. Fatkeqësisht nuk i çmojmë sa duhet. Rrugët dhe institucionet tona mbajnë emra “personalitetesh” të panjohur, por jo edhe emra personalitetesh që kanë ndihmuar njerëzit në çastet më të vështira.

KDP: Sapo keni botuar edhe përmbledhjen tjetër me poezi “Kam pak kujtime për autobiografi”. A ekziston një predispozitë për krijimin e poezisë?

SALIHU: Letërsia ka filluar me poezinë, e cila është quajtur “pranverë e shpirtit”. Pastaj vjen proza për të cilën thuhet se është “burrërimi i një kombi”. Unë kam filluar me poezi, ndonëse shkruaj edhe prozë. Për të bërë letërsi, besoj, autori duhet ta ketë mundësinë e shijimit të lojërave të lirisë. Megjithatë, letërsia e mirë krijohet edhe nën kushte diktature.

Procesi letrar është akt vetmie. Krijimi ka tjera ligjësi, që nuk duan t’ia dinë për ligjet e shtetit. Poetit nuk i duhen bashkëmendimtarë. Ai nuk merr mandat nga askush. Nuk do t’ia dijë për turmën. Gjatë procesit të krijimit shkrimtarit nuk i duhen miq, ministra, kryetarë shtetesh. Ai, sikurse Balzaku, i mbyll dritaret dhe lëshon perdet që të mos hyjë zhurma dhe drita e botës së jashtme në studion e tij dhe sajon një botë simbolike nëpërmjet gjuhës.

Procesi krijues është i mistershëm. Ka aq procese krijuese sa ka shkrimtarë. Janë shkruar libra interesantë dhe të vlefshëm që flasin për procesin krijues dhe teket e shkrimtarëve gjenialë. Njëri prej librave të këtillë është “Alkimia e fjalës” nga Jan Parandovski. Por deri më sot asnjë libër i këtillë nuk e ka zbërthyer këtë mister. Dhe kurrë nuk ka për ta zbërthyer…

KDP: Hapësirës letrare dhe kulturore shqiptare në Maqedoninë e Veriut duket se i mungon një ndjeshmëri tjetër organizimi. Ka një kaos vlerash, si mund ta organizojmë këtë kaos, si të promovohen vektorë tjerë afirmimesh letrare dhe kulturore që nënkuptojnë sitëm të konsoliduar vlerash?

SALIHU:Në hapësirën shqiptare ka njerëz të ditur, të talentuar, por ka edhe kaos vlerash. Si ta organizojmë kaosin brenda vetes? Këtë çështje e trajton Niçe. Branko Merxhani, në analogji, e shtron këtë çështje në raport me shoqërinë. Si ta organizojmë kaosin në shoqëri, kur ata që e drejtojnë shtetin e duan kaosin? Ujku do mjegull. Do kaos. Në kaos bëhen prapësitë.

Bota jonë është ngulfatur nga fataliteti i kaosit. Organizimi i kaosit duhet të bëhet brenda nesh (në planin moral) dhe jashtë nesh (në planin shoqëror). Ky është proces i gjatë, i vështirë. Do mund e dije. Do punë të organizuar dhe strategji afatgjate.

Le ta marrin si shembull Ernest Koliqin, si ministër arsimi. Ai kishte strategji afatgjate. E realizoi një projekt jetik për ngritjen kulturore të shqiptarëve. Bëri atë që deri më sot nuk e ka bërë asnjë ministër tjetër shqiptar i arsimit. Mos harrojmë se Koliqi ishte usta i shkrimit dhe njeri me kulturë të madhe.

“Ti, Halim që s’di këndim, / Je vezir për arësim; / Mbylli shkollat, se na nxinë / Me kalemn’ e tradhëtinë. Vargjet e Nolit i shkojnë shumë realitetit tonë. Mjerisht!

 

KDP: Kush mund ta bëjë këtë organizim të kaosit?

SALIHU: Duhet ta bëjë politika, të cilën nuk duhet ta demonizojmë. Nuk ka komb të lirë e të organizuar pa politikë bashkëpunuese me elitat mendore, ndërkaq elita, në një shoqëri normale, e ka për detyrë morale t’i njeh plagët e shoqërisë dhe të ofrojë zgjidhje për shërimin e tyre.

Intelektuali është kritiku ndaj shoqërisë, ndaj pushtetit dhe shtresës udhëheqëse që ka devijuar nga misioni që i ngarkohet. Sipas Kunderës lufta kundër pushtetit është luftë e kujtesës kundër harresës. Tismaneau besonte se intelektuali nuk duhet ta zëvendësojë princin, por ta kritikojë, e kur punon mirë edhe ta lavdërojë. Mjerisht, sot kemi “elitë çarshie”, që flet me kompetencë të frikshme për çdo problem pa thënë asgjë të dobishme. E shumëfishon kiçin kulturor dhe politik. Flet me refrene, parulla, klishe. Konstaton gjendjen dhe nuk ofron zgjidhje. Termi intelektual ka marrë kuptim pezhorativ. I shkolluari që është pasiv kundrejt zhvillimeve në shoqëri nuk është intelektual. Intelektuali, siç thuhet, “paraqitet për ta marrë fjalën”, për ta thënë mendimin e tij, por për ta thënë një mendim duhet ta kesh. Për të pasur mendim duhet të lexosh dhe studiosh. Nëse një njeri hesht, pavarësisht përgatitjes profesionale, nuk është intelektual i angazhuar. Sartri e dallon intelektualin burimor dhe të angazhuar.

Intelektuali, sipas Hoze Ortega y Gaset, nuk bëhet i tillë për shkak të të tjerëve, për ndonjë qëllim të caktuar, për përfitime të ndryshme, për t’iu përshtatur mendësisë së turmës, për të marrë pëlqime të mendjes së robëruar. Intelektuali i vërtetë shkon edhe kundër turmës së azdisur, të trullosur, të ekzaltuar. Elita e vërtetë është elita e padëshiruar

Të jesh intelektual, thotë sërish Gaseti, është sëmundje e pashërueshme. Ai e ka për detyrë ta kuptojë një problem të ndërlikuar dhe pastaj ta sqarojë; të krijojë rend në kaosin e ideve dhe mendimeve. Këtë duhet ta bëjë nëpërmjet qartësisë dhe analizës së tij; t’i ndriçojë situatat e komplikuara që politika i  komplikon për qëllime të caktuara.

Partitë politike sot e kanë krijuar inteligjencien e tyre partiake. Sipas Konradit, kjo inteligjencie shtetërore (ose partiake) është hipokrite dhe aspak kompetente. Ajo e thonë atë që dëshiron ta dëgjojë partia, pushteti, qeveria. Ajo i përkulet autoritetit politik, i përkulet princit. Marciali thoshte se poeti është princi që princ mbi vete nuk do. Pa këtë ndjenjë ose mendjemadhësi (merreni si të doni) nuk mund të krijosh…

Sot jetojmë në shoqëri ku ka kaos mendimesh të gatshme, por nuk kemi studime orientuese. Edhe ato pak studime që i kemi askush nuk i merr në konsideratë. Ecim pa adresë në botën pa ideale. Një shoqëri pa ideale shkon drejt rrënimit. Ashpërsia dhe forca ia ka zënë vendin butësisë dhe brishtësinë. Njeriu i ditur trajtohet si naiv apo i padobishëm. Ashpërsia dhe forca janë stigma të vdekjes, kurse butësia dhe brishtësia janë stigma e jetës. Ne lindin të brishtë e të butë dhe vdesin si të fortë e të ashpër, thotë Lao Ce.

KDP: Gjatë kohë është shkruar për ekskomunikimin e hapësirave kulturore shqiptare, por akoma nuk kemi një mbarështrim të komunikimit të vlerave. Sikur mungojnë politikat kulturore, ndërsa komunikimet bëhen në formë aksidentale…

SALIHU: Në hapësirën shqiptare ka komunikim normal vetëm të antivlerave. Nuk ka politikë kulturore me frymë europiane, e cila do të nxiste komunikime cilësore kulturore brendashqiptare. Nuk ka debate mbi problemet e rëndësishme kulturore, që ndikojnë në jetën shoqërore. Mos harrojmë se edhe BE është projekt kulturor. I dhanë formë njerëzit e kulturës. Idenë për euron, si para, e dha Viktor Hygo, i cili mendonte se aty nuk duhej të kishte simbole nacionale, por simbole me të cilat mund të identifikoheshin të gjithë. Në euro sot kemi vetëm ura. “Babai” i Bashkimit Europian, Jean Monnet-i, ka thënë se nëse sërish do t’ia niste nga fillimi, atëherë do t’ia niste pikërisht nga kultura. Tek ne kultura ka dalë në plan të fundit. Mediat (me disa përjashtime të rralla) janë bërë hapësirë për lavdërimin e marrëzisë dhe injorancës, ngjashëm sikurse institucionet tjera kulturore. Pascal Bruckner thotë: “Ditën kur budallai agresiv do ta udhëheq shoqërinë tonë, atëherë qenia kulturore do të trajtohet si idiot; do të trajtohet si ekzemplar i çuditshëm në zhdukje e sipër, që ende e respekton thellësisht librin, disiplinën dhe mendimin”.

Kjo ditë ka ardhur. Ka ardhur dita e kiçit kulturor dhe politik. Ka ardhur dita kur edhe “personalitetet politike” i nderojnë derdimenët dhe i harrojnë ata që kombit i kanë dhënë perla. Marrëzia është e popullarizuar, thotë Borhesi.

Pra, sot as nuk mund të flasim për politikë kulturore mbarëshqiptare. Nuk dua më as të flas për këtë temë. Kam shkruar qindra shkrime dhe asgjë nuk ka ndryshuar. O botë, o prapësi, o dreq, a unë paskam lindur që ta ndreq, thotë Shekspiri. Si të ndreqim diçka që askush nuk dëshiron të ndreqet. Udhëhiqemi nga “filozofia e pallangës”.

KDP:  Interkomunikimet kulturore zakonisht hapen horizonte tjera perceptimesh përtej tendencave provinciale. Si ti jepet shtysë interkomunikimit?

SALIHU: Kam bërë një studim të gjatë për raportet ndëretnike në Ballkan, duke u fokusuar te paragjykimet, stereotipat dhe autostereotipat e natyrës etnike. Kam vënë re se këto paragjykime janë prodhuar edhe nëpër “laboratorë” për qëllime të mbrapshta politike. Kam vënë re se njerëzit normalë (nuk dua t’i quaj të thjeshtë) kanë bashkëjetuar duke ruajtur një mirëkuptim dhe solidaritet mes tyre, pavarësisht dallimeve gjuhësore, etnike, kulturore apo religjioze. Këtë e dëshmojnë shumë autorë të huaj dhe ballkanas. Me syrin e “të huajve” mund ta shohim më mirë realitetin ku jetojmë. Madje, ka prej atyre që i kanë vizituar vendet tona me këtë bindje, por kanë parë se gjendja reale ishte krejt ndryshe nga çfarë kishin lexuar e dëgjuar më parë. Ka edhe plot historianë, shkrimtarë, diplomatë e aventurierë të ndryshëm evropianë që i kanë shumëfishuar stereotipat mbi popujt e ndryshëm pa i njohur ata. Thjesht janë bërë megafonë të propagandës…

Historitë e ngatërruara ballkanase, të stërmbushura me heronj dhe “beteja të lavdishme”, rrallë flasin për solidaritetin ndërmjet popujve. Flasin vetëm për hasmëri, që nuk është se kanë munguar. Flasin për vetëviktimizim. Një vend është i bukur kur ka shumëllojshmëri kulturore, gjuhësore dhe etnike. Kur gjendemi nëpër metropole na pëlqen kjo shumëllojshmëri, por na pengon nëpër vendet tona. Elitat serbe, për shembull, kanë bërë programe për pastrime etnike, sepse kanë dashur një hapësirë mono etnike. Çmenduri. Tetova ime është e bukur për shkak të koloritit kulturor, gjuhësor e etnik. Kjo frymë duhet të ekzistojë në politikat shtetërore. Nga bisedimet e përgjuara kemi dëgjuar ofendime në baza etnike nga njerëz me pushtet. Cenimi i këtyre raporteve e shkatërron një shtet shumetnik. Gjithashtu, më hyjnë në nerva edhe disa “kozmopolitë” që më duan si qytetar, por jo edhe si shqiptar. Janë shumë hipokritë.

Për të krijuar shoqëri ndërkulturore duhet të kemi qasje pluraliste dhe jo ekskluziviste apo inkluziviste. Një studiues thotë se sipas qasjes ekskluzive e mira, e drejta, e përsosura, superiorja jemi ne, kurse të tjerët janë të ligë, të shkarë, të pagdhendur nga dalta e kulturës dhe qytetërimit. Kjo qasje shpie në shovinizëm dhe ksenofobi. Sipas qasjes inkluzive edhe të tjerët i kanë vlerat e tyre, por vlerat e mia janë më të larta. Qasja pluraliste e pranon mendimin e kundërt, shumëllojshmërinë, e respekton  dhe ndërvepron me “tjetrin e ndryshëm nga ne”. Çarls Tejlor thotë se çdo popull ka të drejtë të besojë se kultura e tij është e vlefshme.

KDP:  Ka një keqkuptim mes multikulturalitetit dhe interkultaritetit. Maqedonia e Veriut është shtet shumetnik dhe multikulturor. Cilat politika kulturore duhet të ndiqen?

SALIHU: Ka sepse ende nuk bëhet dallimi se çfarë është multikulturalitet (ose shumëkulturalitet) dhe çfarë është interkulturalitet (ose ndërkulturalitet). Për mua koncepti i multikulturalitetit është i dështuar, kurse ai i interkulturalitetit është me perspektivë. Që të krijojmë shoqëri interkulturore (ndërkulturore), e cila, si e tillë, mundëson pjesëmarrje në krijimin e vlerave supranacionale, duhet të mos kemi tendenca për dominime kulturore, gjuhësore, etnike, religjioze. Konfrontimet e natyrës etnike, diskurset folklorike, janë pjesë e arsenalit të partive politike gjatë fushatave zgjedhore. Sa bëhen pjesë e qeverisë flasin për “projekte të përbashkëta”, por helmi që kanë derdhur vepron gjatë. Ai vepron në rrugë dhe stadiume. Të njëjtin diskurs e vazhdojnë edhe ata që ngelin jashtë qeverisë. Mos harrojmë se këtu edhe nëpër libra shkollorë shqiptarët paraqiten si ardhacakë e uzurpues tokash. I helmojnë fëmijët me kësi marrinash.

KDP:  Bota e internetit ka krijuar një ambient ku vjen në shprehje “banalizimi” i artit. Gjithsecili ka një zë në këtë botë virtuale, por nganjëherë sikur ngadhënjen mediokriteti. A është ky fundi për artin e mirëfilltë?

SALIHU: Letërsia pret. Kiçi nuk pret. Asnjë vepër e mirë nuk është harruar. Për shumë libra pa vlerë është bërë shumë zhurmë, por sot nuk i kujton askush. Ka libra që janë botuar me tirazhe marramendëse. Janë shkruar për to me kilometra recensione e studime. Ka folur për to edhe politika. E sot askush nuk i kujton. Zakonisht afirmohen librat me “dobi shoqërore”. “Libri mbi Milutinin”, i Danko Popoviqit, me frymë shoviniste, është ribotuar kushedi sa herë dhe është shumëfishuar me qindra mijëra ekzemplarë, si viruset. Por është pamflet pa vlerë artistike, i shkruar për qëllime të mbrapshta politike. Është prej librave që një populli i sjellin dobi kur nuk lexohen, kur harrohen. Libra me përmbajtje ideologjike kemi edhe në sistemin tonë kulturor…

Në hapësirën shqiptare sot bëhet lajm dite kur boton libër një personazh “vip” (siç u pëlqen t’i quajnë) dhe kalojnë në heshtje libra ku autorët aty derdhin gjithë dashurinë dhe pasionin e tyre. Është kohë spektakli e mode. Letërsia e mirë nuk e njeh modën. Ajo nuk është sezonale, as argëtuese, as nuk është e përshtatshme për tubime. Rrjetet sociale nuk e bëjnë askënd shkrimtar. Letërsia e mirë është shkruar edhe kur nuk ka pasur rrymë elektrike.

Në rrjetet sociale, megjithatë, shumëfishohen shumë krijime të vlefshme. Interneti gjithashtu na ka mundësuar të kemi qasje nëpër biblioteka virtuale, ku gjen libra të ri e të vjetër, ku gjen shumë dokumente.

Të fundit