E martë, 10 Dhjetor, 2024

Mitrovicë: Jeta dhe puna në një qytet të ndarë

Mitrovica në veri të shtetit më të ri të Evropës është ende e ndarë midis shqiptarëve dhe serbëve edhe 20 vite pas përfundimit të luftës.

Lumi i Ibrit, i cili kalon përmes Mitrovicës, ndan njerëzit e dy grupeve etnike: Në anën jugore të bregut të lumit jetojnë shqiptarët dhe në anën veriore serbët.

20 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, qyteti në veri të Kosovës është de facto akoma i ndarë.

Shumë qytetarë të Mitrovicës kurrë nuk kanë pasur guximin të kalojnë urën mbi Ibër, e cila është e mbyllur për trafikun. Ajo ruhet nga ushtarë italianë të armatosur rëndë dhe automjete të blinduara të KFOR-it. Forca mbrojtëse e NATO-s ende duhet të sigurojë paqen dhe stabilitetin në Kosovë.

Edhe dymbëdhjetë vjet pasi Kosova deklaroi pavarësinë, serbët në veri të shtetit më të ri të Evropës nuk e njohin qeverinë në kryeqytetin e Prishtinës. Udhëheqja politike lokale në veri punon ngushtë me qeverinë serbe në kryeqytetin serb Beogradin.

Kushdo që kalon urën mbi Ibër nga jugu në veri, shikohet nga afër nga burra me rroba civile që presin në makina si rastësisht.

Ata i shikojnë shtrembër kalimtarët, me disa flasin edhe vrazhdë.

Sapo të arrish në anën veriore të urës nuk e ke më ndjenjën e të qenit në Kosovë: Një rresht i gjatë flamujsh të kuq, blu dhe të bardhë të zbukuruar nga shqiponja e bardhë e Serbisë valëviten në hyrje të Mitrovicës së Veriut; flamuri i Republikës së Kosovës mungon.

Dygjuhësia ndihmon

Dhurata Prokshi vjen këtu çdo ditë. “Sigurisht, nuk është ndjenja më e mirë kur duhet të shkosh në veri për të punuar si shqiptare,” i tha DW-së përkthyesja 33-vjeçare. Në të njëjtën kohë, Dhurata e di: “Serbët nga veriu kanë të njëjtat ndjenja kur duhet të shkojnë në pjesën jugore të Mitrovicës”.

Qëkurse Dhurata ka filluar të punojë në gjykatën Themelore në Veri të qytetit të ndarë, nuk ka pasur kurrë konflikte. Përkthyesja i përshkruan marrëdhëniet e saj me kolegët serbë si të mira.

Fakti që ajo flet si gjuhën e saj amtare shqipe po ashtu edhe atë serbe e bën më të lehtë komunikimin me qytetarë të të gjitha etnive në Kosovë. “Në institucione si gjykata, nuk ka probleme nëse unë flas shqip. Por nëse shkon në një restaurant apo kafene në veri dhe dëshiron të porosisësh në shqip, nuk i dihet se si do të reagojnë njerëzit atje,” shpjegon Dhurata.

Kosovo | Dhurata Prokshi in Mitrovica (Vjosa Cerkini/DW)

Nga Veriu në Jug

Në skajin jugor të urës mbi Ibër, valvitet një flamur i madh i kuq me një shqiponjë të zezë në mes: stemën kombëtare të Shqipërisë. Flamuri i Republikës së Kosovës mungon edhe këtu.

Këtu Milosh Vuqiniç rregullisht kalon kufirin e padukshëm midis pjesës ku jetojnë serbët dhe pjesës së Mitrovicës të dominuar nga shqiptarët.

Serbi 23 vjeçar punon si mësues i anglishtes për një organizatë jo qeveritare me seli në jug të qytetit të ndarë. Më parë, kur ai ishte këtu për herë të parë, frika dhe pasiguria e shoqëruan atë çdo minutë të qëndrimit të tij, tha ai për DW.

“Në të njëjtën kohë, kureshtja ime nuk më linte të qetë,” vazhdon Milosh, “unë doja të zbuloja se si është jeta në pjesën tjetër të Mitrovicës.”

Kosovo | Milosh Vucinic in Mitrovica (Vjosa Cerkini/DW)

Anglishtja shmang konfliktin

Meqenëse Milosh nuk flet shqip, ai komunikon në anglisht kur udhëton në pjesën jugore të qytetit. Gjuha e huaj ofron siguri dhe shmang konfliktet. “Unë gjithashtu kam disa miq shqiptarë në punë,” tregon ai, “me ata dalim për kafe herë pas here. Ata u befasuan së pari kur u thashë se nuk kam qenë kurrë më parë në jug të Mitrovicës. Ata më treguan fillimisht Mitrovicën e Jugut – dhe pastaj Prishtinën”.

Nga të gjithë qytetarët e Mitrovicës, pasojat e ndarjes së qytetit të tyre goditën më shumë të rinjtë serbë në veri, thotë Milosh. “Ata shohin për një jetë pa kufizime dhe dëshirojnë të përparojnë profesionalisht. Në veri vështirë se ka ndonjë mundësi. Shpresojmë që gjërat më në fund të përmirësohen në të ardhmen.”

Të fundit